Antibiotiku është një medikament shumë i rëndësishëm për tu përdorur nëse fëmija vuan një infeksion bakterial, i cili mund të përshkruhet nga mjeku edhe nëse fëmija është i vogël dhe përdorimi i tij është i domosdoshëm. Antibiotikët duhet të merren gjithmonë me rekomandimin e mjekut, duke mos abuzuar në asnjë mënyrë me përdorimin e tyre. Shpesh nënat që kanë fëmijë të vogël bëhen skeptike në lidhje me përdorimin e këtij medikamenti, duke menduar shpesh se ai mund të kompromentojë shëndetin e fëmijës. Dhe megjithatë duhet të theksojmë se antibiotiku, nëse është i nevojshëm të përdoret, nuk paraqet pasoja negative në shëndetin e fëmijës, përkundrazi. Të gjithë prindërit duhet të dinë se përdorimi i tij duhet të bëhet duke ndjekur në mënyrë shumë të rreptë këshillat e mjekut, duke evituar në mënyrë katgorike përdorimin e tij sipas dëshirës tuaj.
Cfarë duhet dhe nuk duhet të bëni ndërsa fëmija është duke marrë antibiotik:
- Antibiotiku duhet të merret gjithmonë me pëlqimin e mjekut, i cili pas një vizite të hollësishme ka bërë diagnostikimin e sëmundjes dhe e ka parë të domosdoshëm përdorimin e tij. Në përgjithësi ky medikament rekomandohet në rastet kur tek fëmija diagnostikohet një infeksion bakterial, duke theksuar se përdorimi i tyre është i panevojshëm në rastet e një infeksioni viral. Përdorimi i një antibiotiku pa rekomandimin e mjekut mund të jetë shumë e rrezikshme për shëndetin fëmijës duke qënë se mund të zhvillojë tek ai rezistencë.
- Bashkë me antibiotikun duhet të merren edhe vitaminat e nevojshme, të cilat do të ripërtërijnë florën bakteriale. Dozimi duhet të bëhet nga mjeku, duke u plotësuar gjithmonë nga vitaminat e sipërpërmendura.
- Duhet të jetë gjithmonë mjeku ai që do të bëjë vlerësimin e dozës si edhe të kohës që duhet të zgjasë trajtimi me antibiotik. Edhe pse për ju mund të mos jetë diçka e pranueshme që fëmija të marrë këtë medikament, duhet të ndiqni me përpikmëri këshillat e mjekut. Marrja e antibiotikut në orare të ndryshme, duke bërë që shpesh të ndërpritet dhe të rifillohet serish ditën tjetër, jo vetëm do të rezultojë pa asnjë efekt, por edhe mund të zhvillojë tek fëmija rezistencë e cila do ta bëjë jo efektiv ripërdorimin e tij edhe në një moment tjetër.
- Medikamenti duhet të jepet gjithmonë në një orar të caktuar, dhe kjo është shumë e rëndësishme pasi substanca aktive që ndodhet në medikament mund ta bëjë efektin e saj vetëm në këtë mënyrë.
- Trajtimi nuk duhet të ndërpritet edhe nëse simptomat përmirësohet brenda pak ditësh. Ai duhet të merret për aq kohë sa është përshkruar nga mjeku, pavarësisht kësaj.
- Nëse antibiotiku mund të shfaqë tek fëmija efekte anësore si lodhje, të përziera, shqetësime në stomak etj, duhet të këshilloheni me mjekun, dhe jo të ndërprisni trajtimin me dëshirën tuaj personale.
- Jo të gjithë antibiotikët janë të njëjtë dhe për këtë arsye nuk duhet të përdorni llojin që një i afërm i juaj mund ta ketë përdorur tek fëmija i tij, edhe nëse simptomat që fëmijët kanë shfaqur janë të njëjta. Duhet të jetë gjithmonë mjeku ai që do të bëjë vlerësimin e duhur të gjendjes dhe për pasojë do të rekomadojë medikamentin e duhur që duhet të merrni.
- Në përgjithësi, një antibiotik i hapur duhet të ruhet në frigorifer dhe të konsumohet brenda 8-10 ditëve. Megjithatë duhet të lexoni gjithmonë fletën udhëzuese që shoqëron medikamentin dhe për pasojë të zbatoni ato që ajo shkruan me shumë përpikmëri.
Lexoni edhe: Bajamet e irrituara, kur duhet të përdorim antibiotikë?
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu