Kungulli i verdhë e ka origjinën nga Amerika Qëndrore duke qënë i së njëjtës familje me kungullin jeshil. Lëkura e kungullit të ëmbël mund të jetë e verdhë, jeshile ose portokalli si edhe përmasat mund të jenë të ndryshme.
Vlerat ushqyese të kungullit
Pjesa e brendshme e kungullit (brumi), ka pak kalori dhe shumë ujë (rreth 95%). Ai gjithashtu përmban pak sheqer dhe është një burim shumë i mirë fibrash, beta-karoteni, vitamine C dhe kripërash minerale si: kaliumit, fosforit dhe kalciumit. Edhe farat e kungullit, të cilat mund të konsumohen të pjekura, përmbajnë substanca ushqyese të rëndësishme si: fitosteroli, acide yndyrore të shëndetshme etj. Ai gjithashtu përmban proteina, lipide si edhe kalori me një vlerë prej 18 kCal për 100 gr.
Si ta ruajmë kungullin e ëmbël?
Mund të ruhet për gjatë gjithë dimrit në ambient të errët, të freskët dhe të thatë. Nëse kungulli çahet, pjesët e tij mund të mbështillen me anën e një qese kuzhine të posaçme, i cili duhet të kosnumohet brenda pak ditësh. Nëse keni dëshirë mund ta ruani edhe në pjesën e akullit (ta ngrini) dhe më pas ta zieni.
Si mund ta gatuajmë?
Kungulli mund të jetë përbërësi bazë i ushqimit të fëmijës i cili mund të vendoset në supën e fëmijës. Në supë ai mund të kombinohet me patate, karrotë, miell orizi etj. Gjithashtu, nëse fëmija tashmë ka filluar të konsumojë të gjitha ushqimet, mund të përgatisni me të orizin (rizoto), mund ta gatuani në avull, të pjekur në furrë, në torta të ndryshme etj. Ai gjithashtu mund të përdoret si një ëmbëlsues perfekt i perimeve me shije më të hidhur si: spinaqi apo barishtet e tjera. Ai gjitashtu mund të shoqërojë purenë e mollës duke e rregulluar me pak kos.
Kur mund ta konsumojë fëmija?
Mund të përdoret në supën e fëmijës që në momentet e para (6 muajsh) kjo pasi ai është i ëmbël, me shije, krijon pure kremoze si edhe është lehtësisht i tretshëm nga organizmi i fëmijës.
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu