Kur duhet të fillohet ushqyerja me gji?
Ushqyerja me gji duhet të fillohet sa më herët që të jetë e mundur, sapo kushtet e fëmijës dhe të nënës talejojnë një gjë të tillë. Kjo do të thotë se i porsalinduri duhet të vendoset në gji qysh në sallë të lindjes, ose të paktën brenda 6 orëve të para pas lindjes. Në këtë mënyrë, jo vetëm nxitet ardhja e qumështit tek nëna, por edhe ndihmohet fëmija të fillojë procesin e defekimit, të marrë energjitë e nevojshme, të shmangë shumë probleme të mundshme të shëndetit etj.
Jo vetëm kaq!
Shumë sjellje të mëvonshme të fëmijës në drejtim të zakoneve së të ushqyerit përcaktohen pikërisht nga kjo vendosje për herë të parë e fëmijës në gji. Një përvojë shumë interesante nga Anglia tregon se kur fëmija vendoset menjëherë pas lindjes mbi barkun e nënës, ai ngjitet vetë drejt gjirit dhe e kap spontanisht atë. Nëqoftëse fëmija vendoset rreth 6 orë pas lindjes mbi barkun e nënës, ai nuk afrohet vetë tek gjiri, por duhet të ndihmohet që ta kapë gjirin e nënës. Nëse vendoset pas 24 orëve, ai jo vetëm që e ka shumë të vështirë kapjen e gjirit, por është i plogësht ose grindet shumë dhe vuan që të mësojë këtë zakon të lindur dhe shumë të rëndësishëm.
Gabimi i parë i nënës!
Nga ana tjetër, çdo nënë është shumë e rëndësishme të dijë, se deri në ardhjen e qumështit nuk duhet t’i japë fëmijës së vet qumësht artificial. Në disa raste ekstreme nëna i jep fëmijës ujë me sheqer. Një gjë e tillë mund të bëhet e rrezikshme për fëmijën! Dhënia e qumështit artificial mund të nxisë sëmundjet alergjike tek fëmija edhe pse dhënia e këtij qumështi është e përkohshme. Dhe nga ana tjetër, fëmija çmësohet njëherë e përgjithmonë të kapë gjirin. Ka me qindra studime në këtë drejtim. Sot shkencëtarët mendojnë se një sjellje e caktuar bëhet e përjetshme në varësi të drejtimit të drejtë apo të gabuar që ka marrë përvoja e parë.
Lexoni dhe: Kulloshtra, perfitimet me te mira nga qumeshti i pare
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu