“Une ndihem vetem”! Ato qe nje nene nuk i thote

0 0

Unë nuk e linda këtë fëmijë për ta rritur e vetme, nuk e linda këtë fëmijë që të qëndroj gjithë ditën në shtëpi duke e konsideruar veten si një “robot” në shërbim të gjithçkaje dhe asnjëherë të vetes time, të dëshirave dhe nevojave të mia. Unë nuk u bëra nënë që ju të gjithë të gëzonit për fëmijën tim ndërsa unë nga ana tjetër të mos kisha asnjë vlerë, ose të paktën të kisha vlera vetëm përsa i përket pastrimit të shtëpisë, përkujdesejes së fëmijës dhe kaq.

Pas kësaj fytyre të mërzitshme që shikoni çdo ditë, të këtij personi gjithmonë nervoz fshihet një grua, fshihet një njeri me ndjenja të gjalla që ka nevojë për mbështetje dhe afrimitet, ka nevojë të dëgjohet dhe mbi të gjitha të respektohet. Fshihet një njeri që ka nevojë të jetojë jetën, të ketë shoqërinë e saj, të takojë familjarët e saj jashtë kufijve skandalozë që një shoqëri e mbyllur dhe paragjykuese vendos.

Çfarë mund të ndodhë në trurin e një gruaje që qëndron mbyllur në shtëpi për më të shumtën e kohës? Çfarë ndodh me mendimet e një gruaje të frustruar që duhet të veprojë dhe mendojë gjithmonë ashtu si duan të tjerët? Cfarë ndodh me atë grua që të shpreh hapur me apo pa fjalë se ka nevojë për ndihmë, ka nevojë për mbështetjen tënde, sepse ndihet keq dhe ndoshta po përjeton një depresion të lehtë apo të rëndë?

Mendoni se unë nuk kam ndjenja? Mendoni se unë jam këtu vetëm të pastroj dhe riprodhoj? Mendoni se unë nuk e kam të drejtën e fjalës? Se në shtëpi zëri im nuk duhet të dëgjohet edhe kur jeni duke më bërë një padrejtësi? Mendoni se unë mund të duroj gjithçka që ju keni nevojë të bëni apo shprehni në drejtimin tim? Dhe pastaj është faji im që ndihem gjithmonë keq…

Edhe unë nuk dua të ndihem keq, nuk dua t’i bërtas fëmijës tim, nuk dua të jem e mërzitur për pjesën më të madhe të kohës. Por ja që është kështu! Kam fatin e mirë ose të keq të jem pjesë e këtij mentalitetit tuaj të mbyllur, të këtij mentalitetit që po më mbyt çdo ditë, që po më shkatërron fytyrën, po më krijon rrudha në një moshë tepër të re, po më bën të dukem gjithmonë e më keq, më ato flokët që nuk kam aspak dëshirë t’i kreh, me këtë fytyrën gjithmonë të ngrysur dhe me një pamje që nuk ka aspak lidhje me atë të një gruaje normale, nuk ka aspak lidhje me gruan që ka jetuar më parë tek unë.

Pse nuk më konsideroni? Pse nuk më pyesni njëherë nëse lodhem? Nëse jam e mërzitur? Nëse dua të bëj diçka për festa? Pse duhet të jem unë gjithmonë që vij pas dëshirave tuaja? Pse mendoni se unë duhet të jem gjithmonë e lumtur? Sepse më keni krijuar ju një  “ambient të ngrohtë dhe familjar?”, sepse mua nuk “më mungon asgjë?” E dini se çfarë më mungon mua?

Më mungon liria. Liria e të jetuarit të jetës time, pranë bashkëshortit dhe fëmijëve të mi, por edhe pranë jush nëse dëshironi, vetëm jo kështu, jo në këtë mënyrë! Jo në atë mënyrë ku ju keni gjithmonë të drejtë dhe unë gabim. Jo në atë mënyrë ku e nënshtruara duhet të jem gjithmonë unë, ku nuk kam të drejtë të fle një orë më shumë, ku nëse nuk e bëra mirë atë punë nuk jam një grua e shkathët dhe e dënjë.

Unë jam e denjë dhe do të jem edhe më shumë nëse ju do të më bënit të ndihesha e tillë, sikur të mendonit se pas çdo fjale të thënë ngjallet një ndjenjë dhe kur keni mundësi të ngjallni një ndjenjë pozitive pse duhet të bëni të kundërtën?

Sepse kështu duhet? Kush i vendos këto rregulla? Kush e ka vendosur se gruaja, nusja e re duhet të jetë një “mobilje” në shtëpi që kryen një apo dy funksione të caktuara dhe kaq? Pse e trajtoni në këtë formë një vajzë? Me siguri ju që trajtoni nusen tuaj kështu do të keni rritur edhe vajzën tuaj kështu. Përse duhet të edukoni kështu vajzat? Pse i trajtoni kështu nuset? Pse duhet t’i bëni vajzat tuaja objekte që mund t’i nënshtrohen çdokujt?

Mua nëna ime nuk më mësoi kështu! Unë në familjen time nuk u rrita kështu. Atje gjithmonë më dëgjonin dhe respektonin edhe pse u largova në moshë shumë të re për të ardhur në shtëpinë tuaj. Mua atje nëna ime gjithmonë më pyeste se çfarë doja të haja, se çfarë më duhej të blija për të veshur sepse isha vajzë e re dhe kisha dëshirë të blija një fustan të ri, mua babai im gjithmonë më pyeste se çfarë dëshiroja të bëja pasi të mbaroja shkollën, me nënën time gjithmonë bisedoja në lidhje me modën, me librat, me filmat e fundit që po shfaqeshin në kinema, jo sepse i ndiqnim të gjithë por sepse na pëlqente të disklutonim së bashku. Po tani? Mos ndoshta unë vuaj më shumë sepse tek ju gjeta një realitet ndryshe, ku të flasësh për modën është shpërdorim të hollash, ku nëse shkon në kinema nuk di të kursesh para për familjen, ku në lidhje me drekën apo darkën duhet të vendosë çdokush përveç teje? Kush është gabim? Ai mentaliteti i familjes time? Apo është gabim ky mentaliteti që nuk të lejon të jetosh e lirë? Ku nuk mund të bësh asgjë pa menduar më parë se çfarë do të thotë edhe personi më i largët i fisit? Ndoshta asnjë nga këto mentalitete nuk është mirë apo gabim, sepse ju jetën tuaj mund ta jetoni si të doni, vajzat tuaja mund t’i rrisni si të doni, por unë kam sipër vetes time një perde që ma keni vendosur ju, nga e cila dua të çlirohem sa më parë, ndoshta vetëm atëherë do të mund të jetoj!

Lexoni edhe: Gjithcka do te shkoje mire fjalet e nje te panjohuri qe ndihmuan nenen ne veshtiresi






Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu



Materiale te ngjashme

Lidhja me fëmijën tuaj pas...

Fëmija juaj i porsalindur është në kraharorin tuaj ndërsa derdhni lot gëzimi. Besojmë se e keni imagjinuar momentin kur fëmija juaj vjen në botë si momenti më i lumtur i...

A keni raste te familjarëve...

Nëse ti ose të afërmit e tu jeni prekur nga kanceri i trashëguar, mund të pyesni veten se si mund ta përdorni këto njohuri në të ardhmen dhe të jeni...

DIVO, për t’i bërë 1000...

Çdo ditë është e rëndësishme por 1000 ditët e para të jetës janë vendimtare pasi janë castet ku krijohen rrenjët, baza e zhvillimit të fëmijës tuaj por ndërkohë edhe modeli...

Për ty mike që je...

E di… Ndiej padrejtësi tani që po shkruaj për ty. Ndihem fajtore sepse jam një nga gratë me fat. Çdo fjalë që shkruaj më thumbon... Sepse e di. E di...

Ne kemi reklame ju lutem caktivizoni adblock ne menyre qe te navigoni lehtesisht.
Faleminderit!

A keni një llogari? Identifikohu


Regjistrohu


X

Ndrysho fjalkalimin


X