Gratë, por edhe anëtarët e tjerë të familjes, drejtohen në strategji dhe bojëra të ndryshme për të eleminuar thinjat, të cilat me kalimin e moshës fillojnë të shfaqen.
Gjenet dhe stresi
Edhe pse varet kryesisht nga procesi natyror i plakjes dhe gjenet, stresi gjithashtu mund të luajë një rol në zbardhjen e flokëve. Ky është rezultati i hulumtimit, i botuar në ‘Nature’ nga Universitetet e São Paulo në Brazil dhe Harvard, i cili ka analizuar marrëdhëniet midis flokëve të bardhë dhe stresit.
Kjo gjë varet nga sistemi simpatik
Shkencëtarët u përqëndruan në sistemin nervor simpatik, i cili aktivizohet në prani të një ngjarjeje stresuese. Nga “qendra e tij e kontrollit”, mbërrijnë mesazhe që shpërndahen në të gjithë trupin, deri në secilën gjendër individuale të flokëve, strukturën në lëkurën ku lindin flokët.
Në rast të stresit të tepërt, lëshohet një substancë e quajtur norepinefrinë, e cila absorbohet nga qelizat burimore brenda folikulës. Në kushte normale, një pjesë e qelizave burimore ka për detyrë të ngjyrosë flokët.
Norepinefrina e prodhuar në kushte stresi bën që qelizat burimore të flokëve të “superaktivizohen”, të cilat brenda një kohe të shkurtër mbarojnë dhe nuk mund të prodhojnë më pigmentin i cili i jep flokëve aq shumë bukuri.
Mendimi i ekspertit
“Tani e dimë me siguri se stresi është përgjegjës për këtë ndryshim specifik të ngjyrës së flokëve dhe e dimë se si funksionon”, thotë autori i kërkimit dhe anëtar i Universitetit të Harvardit Ya-Cieh Hsu.
Parakushtet për trajtime të reja
Duke analizuar gjenet tek minjtë që u morën në studim, studiuesit identifikuan gjithashtu proteinën që dëmton qelizat burimore nga stresi. Pastaj kur kjo proteinë u shtyp, trajtimi parandaloi ndryshimin e ngjyrës së flokëve. Kjo hap rrugën për një strategji për të vonuar thinjen e flokëve.
Ta dini!
“Duke kuptuar saktësisht se si stresi ndikon në qelizat burimore që rigjenerojnë pigmentin, ne vendosëm themelin për të kuptuar se si stresi prek indet dhe organet e tjera në trup,” përfundoi Dr. Hsu. Dhe ky “është hapi i parë kritik drejt zhvillimit të një trajtimi të mundshëm që mund të ndalojë ndikimin negativ të stresit. Ne kemi ende shumë për të mësuar në këtë fushë “.
Lexo edhe: Stresi në punë shkakton këtë sëmundje të zemrës
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu