Sindroma e ovareve policistike

0 0

Çfarë është sindroma e ovareve policistike?

Çrregullimi më i shpeshtë endokrin i grave në moshën riprodhuese.
Tek femrat, vezoret prodhojnë kryesisht hormone femërore (estrogjen dhe progesteron). Përveç tyre, normalisht vezoret prodhojnë edhe hormone andogjene (mashkullore) në një sasi më të reduktuar. Në sindromën e ovareve policistike kemi një prodhim të androgjenëve në një masë më të madhe se norma nga ana e vezoreve dhe një dëmtim të prodhimit të vezëve si rezultat i çekuilibrimit hormonal të shkaktuar nga shkaqe të ndryshme.
Sindroma e Ovareve Policistike, është një sëmundje metabolike që shkakton çrregullim të ciklit menstrual dhe shtim të pilozitetit (qimeve). Kjo sëmundje ndikon në të gjithë trupin pasi shoqërohet edhe me çrregullime të hormonit insulinë (përgjegjës për metabolizmin e glukozës).
Sindroma e Ovareve Policistike është një sëmundje që haset shpesh. Nëse ajo diagnostikohet herët dhe mjekohet me kurën e përshtatshme, pacientja jo vetëm që mund të arrijë të ketë fëmijë por njëkohësisht mund të vazhdojë jetën normalisht. Sëmundja e merr emrin nga shtimi i numrit të kisteve në vezore gjatë çdo cikli menstrual, gjë që ndodh për shkak të moszhvillimit aq sa duhet të strukturës folikulare dhe mosplasjes së folikulit (vezës) në vezore.
Sindromën e Ovareve Policistike e shkakton devijimi në një stad të papërcaktuar i profilit hormonal që mundëson prodhim e vezëve tek femra. Shkaqet që prishin sekretimin e këtyre hormoneve janë: stresi i rëndë psikologjik, niveli i lartë i hormonit të prolaktinës si edhe çrregullime të sekrecionit të hormoneve të tiroideve. Shkaktar i çrregullimit të ekuilibrit hormonal mund të jenë edhe sëmundja e diabetit, ose prirja ndaj kësaj sëmundje dhe sekretimi në masë të madhe i androgjenëve.

Simptomat e ovareve policistike

Dy shenjat kryesore të sindromës së vareve policistike janë vonesë dhe çrregullim i ciklit menstrual dhe shtim i pilozitetit në trup. Shtimi i pilozitetit vihet re më së shumti në zonën e mjekrës, në kraharor, në majën e gjirit dhe në kërthizë, në pjesët e brendshme të pjesës së sipërme të kofshëve, si edhe në zonën e qafës. Vihet re rënie e flokëve veçanërisht në zonën e ballit dhe shfaqje e akneve në lëkurë, veçanërisht në zonën e fytyrës, shpinës dhe shpatullave.
Në një femër pranohet si normale vonesa 1-2 herë në vit e ciklit mestrual ose çrregullime në dy vitet e para të ciklit. Nëse vonesat janë më të shpeshta, duhet të merret parasysh mundësia e shfaqjes së sindromës së ovareve policistike. Tek një femër që vuan nga sindroma e ovareve polikistike vihen re probleme me fertilitetin (infertilitet apo arritje me vështirësi e një shtatëzanie), aborte të shpeshta, lindje të parakohshme, ose shfaqje e diabetit gjatë shtatëzanisë. Në 50 % të të sëmurave vihet re dhjamosje në pjesën e barkut ose në zonën e mesit.

Si trajtohen ovaret policistike?

Në diagnostikimin e sëmundjes është shumë e rëndësishme të bëhen analiza të ndryshme hormonale. Çrregullimet që ndodhin në proçesin e prodhimit të vezëve përcaktohen me kontrollimin e temperaturës bazale të trupit dhe të matjes së hormonit progesteron në ditën e 21-të të ciklit menstrual. Veç kësaj, për përcaktimin e vlerave të androgjenëve duhet të analizohen edhe hormonet DHEA-S, Testosteroni i lirë, LH dhe FSH. Kryerja e një ekografi e trans-vaginale tek një femër që ka një pilozitet të rritur dhe çrregullim apo vonesë të ciklit, zbulon lehtësisht ovaret policistike. Analizat që ndihmojnë në diagnostikimin e Sindromës së Ovareve Policistike janë: hormonet FSH, LH, estradioli dhe progesteroni, prolaktinë, hormonet e tiroideve, dhe analiza mbi diabetin (glicemia).Shihet i dobishëm edhe ekzaminimi në lidhje me yndrynat në gjak.
Nëse masa e qimeve është shumë e madhe dhe ato rriten shumë shpejt atëherë duhet bërë analiza hormonale e gjëndrave mbiveshkore si dhe ekzaminime në lidhje me mundësinë e ndonjë tumori.

Trajtimi

Mjekimi i sindromit të ovareve policistike ndryshon në varësi të dëshirës për të pasur fëmijë ose jo. Nëse pacientja nuk ka dëshirë të ketë fëmijë, atëherë me marrjen e kontraceptivëve ndalohet prodhimi i vezëve si rrjedhojë edhe formimi i kisteve. Nëse nuk përdoren kontraceptivë, është e nevojshme marrja e hormonit progesteron në kohë të caktuara të ciklit mestrual (këtë interval e përcakton mjeku gjinekolog). Nëse pacientja shpreh dëshirën për të pasur fëmijë atëherë për të siguruar prodhimin normal të vezëve, merren ilaçe hormonale të ndryshme nga goja ose në formë injeksioni. Por duhet pasur kujdes sepse ndonjëherë mund të shfaqet një situatë që mund të kërcënojë jetën e pacientes: formimi në të njëjtën kohë i shumë vezëve në vezore (për shkak të stimulimit nga mjekimi). Për këtë arsye, mjekimi që stimulon prodhimin normal të vezëve duhet mbajtur nën kontroll të rreptë nga gjinekologu. Rënia në peshë është e këshillueshme për suksesin e mjekimit. Nëse vihet re mundësia për shfaqjen e diabetit, duhet ndjekur një kurë me ilaçet e duhura në këtë drejtim. Metodat kirurgjikale të mjekimit me hapjen e vrimave të vogla në vezore për të pakësuar numrin e kisteve janë alternativa që duhen aplikuar të fundit.

Sindroma e ovareve policistike duhet marrë seriozisht edhe për shkak se mund të krijojë probleme nëse nuk trajtohet për një kohë të gjatë.
• Sindroma e Ovareve Policistike rrit rrezikun për shfaqjen e diabetit me kalimin e viteve. Ky rrezik rritet më tepër tek personat mbipeshë. Faktori kryesor që fshihet pas zhvillimit të kësaj sëmundjeje (rezistenca ndaj insulinës) rrit mundësinë e shfaqjes së diabetit në të ardhmen. Për këtë arsye përdorimi i ilaçeve si metforminë dhe ilaçeve të tjera që rrisin ndjeshmërinë e insulinës, mund të vonojë ose eliminojë zhvillimin e diabetit.
• Tek personat shumë të ndjeshëm, sindroma e ovareve policistike mund të shkaktojë zhvillimin e diabetit gjatë shtatzanisë. Për këtë arsye nënat e reja të prirura ndaj sindromës së ovareve policistike duhet të mbahen nën kontroll më të rreptë gjatë shtatzanisë.
• Yndyrnat në gjak mund të jenë të larta. Nëse pacientet janë mbi peshë dhe kanë prirje ndaj diabetit, ato mund të hasin probleme si: ngushtim të enëve të gjakut, rrahje të çrregullta, kriza kardiake. Pacienteve u sugjerohet të mos shtojnë peshë, të mbajnë nën kontroll tensionin, sheqerin në gjak dhe të marrin ilaçe për uljen e nivelit të lipideve.
• Tek gratë me sindromën e ovareve policistike, kanceri i trupit të mitrës haset më shpesh për shkak se shtresa e brendshme e mitrës ka ngelur nën ndikimin e estrogjenëve për një kohë të gjatë. Tek femrat mbipeshë, me sëmundje të diabetit, të tensionit të lartë, dhe që nuk kanë kaluar asnjë shtatzani është shumë i madh rreziku për të patur kancer të mitrës. Me rregullimin e prodhimit të vezëve ose të marrjes së progesteronit, si dhe me mbajtjen nën kontroll të peshës, diabetit dhe hipertensionit është i mundur reduktimi në minimum i rrezikut ndaj kancerit të mitrës.

Lexoni edhe: Si të parandalojme kancerin ovarian?






Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu



Materiale te ngjashme

Pse çdo grua shtatzënë duhet...

Anomalitë gjenetike mund të ndodhin në çdo shtatzëni, prandaj testi NIPT është i rëndësishëm për çdo grua shtatzënë, pavarësisht nga mosha e saj apo risku i predispozitës gjenetike. Ekspertët mjekësorë...

MËSONI MË SHUMË PËR TESTIN...

A e dini se mund të zbuloni nëse fëmija juaj është i shëndetshëm që në javën e 10-të të shtatzënisë? Ju mund ta zbuloni shëndetin gjenetik të foshnjës tuaj gjatë...

Jo çdo NIPT është NIFTY

"Çfarë është testi NIFTY? A janë NIPT dhe NIFTY e njëjta gjë? A ka rëndësi se cilin të zgjedhësh? Këto janë të gjitha pyetjet me të cilat përballen shumë gra...

Gjithçka që duhet të dini...

Testi NIFTY nga GenePlanet u mundëson prindërve të ardhshëm të mësojnë më shumë për shëndetin e foshnjës së tyre ndërkohë që ai ose ajo është ende në mitër. Në këtë...

Ne kemi reklame ju lutem caktivizoni adblock ne menyre qe te navigoni lehtesisht.
Faleminderit!

A keni një llogari? Identifikohu


Regjistrohu


X

Ndrysho fjalkalimin


X