Ngjyrat, materiali, aksesorët dhe stili: të gjitha udhëzimet që na jep konsulentja e imazhit për të bërë të mundur dukjen sa më bukur gjatë shtatëzanisë. Sipas saj rregulli numër 1 është të mos e fshihni kurrë barkun!
1- Si të jemi në modë gjatë shtatëzanisë?
Gjatë shtatëzanisë trupi i gruas pëson ndryshime të mëdha brenda një harku të shkurtë kohor. Gjatë kësaj periudhe ju duhet të mësoni të vlerësoni format tuaja, duke mos hequr dorë nga veshjet që do t’ju bejnë të dukeni seksi, përfshirë këtu edhe këpucët apo sandalet me taka.
2- Cilat janë rregullat e përgjithshme?
Mëmësia është një eveniment shumë i bukur që ndodh në jetën e gruas, i cili duhet përjetuar me qetësi dhe pa hequr dorë nga gjërat që ju bëjnë të ndiheni mirë. Cdo grua ka stilin e saj si një mënyrë e pasqyrimit të personalitetit të saj. E vetmja gjë që ju duhet të bëni është ndonjë ndryshim i vogël, për t’ju përshtatur sa më mirë ndryshimeve që do të ndodhin në trupin tuaj. Ju nuk duhet ta fshihni asnjëherë barkun tuaj!
3- Si t’i nxjerrim në pah format?
Në përgjithësi ekzistojnë 5 struktura trupi dhe për t’u dukur sa më bukur ju duhet të mundoheni të nxirrni në pah atë pjesë të trupi që e vlerësoni më shumë, në mënyrë që vëmendja të përqëndrohet tek pjesa më e bukur e trupit dhe të largohet nga ajo që mund të ketë difekte. Të qënit shtatëzanë nuk përbën problem për t’u veshur dhe dukur bukur, mjafton që ju të vishni rrobat dhe aksesorët e duhur.
4- Cilat janë materialet më të mira?
Materialet e buta janë idealet për ta bërë një grua shtatëzanë të duket bukur si edhe të ndihet rehat. Preferohen veshjet prej pambuku dhe linoje, sidomos gjatë stinës së verës. Duhet të evitoni materialet sintetike dhe transparente.
5- Cilat janë ngjyrat më të përshtatshme?
Dihet që ngjyrat e errëta e tregojnë trupin më të dobët, por duhet theksuar se gjatë shtatëzanisë gruaja duket si një lule e bukur, prandaj këshillohet edhe ngjyra e bardhë, ngjyrat e lehta ( rozë e lehtë, e kaltër, ngjyrë pjeshkë, lejla e celët etj ).
6- Veshje të thjeshta apo me stampa?
Për ta bërë trupin të duket më i dobët veshjet e thjeshta janë perfekte, por në disa raste mund të guxoni edhe të vishni disa veshje me stampa të vogla. Përsa i përket veshjeve me stampa të mëdha duhet t’i anashkaloni të cilat do t’ju bëjnë të dukeni shumë të shëndosha dhe të shkurta.
7- Duhet të vishemi vetëm me veshje të stinës?
Nëse pjesë e garderobës tuaj është një fustan që ju tregon bukur trupin por është fustan veror, mund ta vishni edhe në pranvere apo vjeshtë duke e rregulluar me një xhup lëkure apo kimono të gjatë. Ndërsa në dimër mund ta kombinoni me një palë geta të trasha, cimze dhe pallto me ngjyrë të errët.
8- Cili është një gabim që duhet të evitojmë?
Sipas konsulentes së imazhit një gabim që duhet ta evitoni është veshja e materialeve të forta, të cilat kanë tendencën të shtypin zonën abdominale ( barkun ).
9- I thoni jo veshjeve që do t’ju tregojnë si “thes”!
Me rritjen e barkut është normale që të ndiheni të fryra dhe jo seksi. Ju duhet të mundoheni të evitoni veshjet e gjera të cilat do t’ju bëjnë të dukeni si “thes”. Këtë mund ta bëni duke veshur për shembull një fustan të drejtë deri tek gjuri i cili do t’ju bëjë të dukeni më e dobët. Sipër mund ta përshtasni me një xhup lëkure ose xhinsi. Përsa i përket këpucëve ju mund ta kombinoni me atlete ose ballerina gjatë ditës osë sandale me taka gjatë mbrëmjes.
10- Mund t’i përdorim strecet?
Strecet e kanë gjithmonë “rrugën e hapur” për t’i veshur, pasi janë të rehatshme dhe ju japin mundësinë t’i vishni kudo. Ju mund t’i përdorni ato gjatë një shëtitje si edhe gjatë daljeve në mbrëmje. Provoni t’i vishni me një bluzë të zezë të gjerë, xhup lëkure dhe një palë atlete.
11- Po fustanet stil perandori?
Një secret për t’u dukur bukur gjatë shtatëzanisë është veshja e fustaneve stil perandori, të cilët kanë një fashë poshtë gjoksit, e cila shkon deri në fund të këmbëve. Këto lloj fustanesh mund të vishen në një event të cilin mund ta kombinoni me një çante “clutch” ( tip kulete ) me gurë, dhe nëse mundeni mund të vishni këpucë me takë të lartë. Në fytyrë mund të vendosni një buzëkuq me ngjyrë perle dhe shkëlqim.
12- Cfarë mund të veshim gjatë ditës?
Nëse dëshironi të dukeni bukur gjatë ditës mund të vishni një bluzë pambuku, fund me stampa të vogla si edhe sandale me pak takë. Për të kompletuar pamjen mund të vendosni edhe syzet e diellit.
13- Mund të ndërrojmë rrobat me nënat e tjera?
5-6 muajt e parë të shtatëzanisë ju mund të përdorni rrobat që keni në garderobën tuaj. Më pas duhet të përdorni veshje të tjera të cilat do t’i përshtaten më shumë ndryshimeve të trupit. Nuk ju këshillojmë të bleni shumë veshje premaman, por në vend të kësaj ju mund të organizoheni me gra të tjera shtatzana që njihni dhe të shkëmbeni rrobat në bazë të nevojave personale.
14- Ku mund të blejmë rroba të përshtatshme?
Ekzistojnë shumë firma low-cost të cilat kanë një raport shumë të mirë çmim-cilësi, të cilat mund t’ju ofrojnë linja delikate të veshjeve. Ju gjithashtu mund të bleni edhe online të cilat mund t’i gjeni edhe me ofertë.
15- Mund të më hyjnë në punë veshjet e përdorura?
Sigurisht që po! Ju mund të gjeni atje shumë veshje të rehatshme dhe të bukura të cilat do t’ju bëjnë të dukeni në modë gjatë shtatëzanisë. Një tjetër këshillë që mund t’ju japim është që në rast se duhet të merrni pjesë në një ceremoni e mira është të merrni me qera një fustan dhe jo ta blini, pasi trupi juaj nuk do të jetë më i njëjti pas lindjes.
16- Po veshjet intime?
Edhe pse tashmë mund të keni një bark të fryrë nuk duhet të hiqni dorë nga veshja e të brendshmeve seksi. Ju mund të përdorni veshje me tantella, prej pambuku ose mëndafshi, sigurisht duke kombinuar pjesën e sipërme me atë të poshtme.
17- Si duhet të jenë rrobat e plazhit?
Duhet të veshim rroba banje të ndara apo trup? Kjo varet nga preferencat tuaja. Për konsulenten e imazhit të dyja e kanë “rrugën e hapur”.
18- Si duhet të jenë këpucët?
Nëse jeni mësuar me takat nuk është e nevojshme të hiqni dorë prej tyre as në shtatëzani. Ndoshta do të ishte më e përshtatshme të mos i vishnit gjatë gjithë kohës për të evituar lodhjen dhe fryrjen e këmbëve. Për veshjen gjatë ditës do të ishin perfekte një palë ballerina ose atlete tenisi.
19- Cilët do të ishin aksesorët e duhur?
Për një pamje sa më të kompletuar nuk do të ishte e nevojshme vetëm një veshje e bukur por edhe aksesorët. Ju duhet të përdorni bizhuteritë e vogla dhe elegante si edhe duhet të shmangni vendosjen e varëseve të mëdha dhe të gjata.
20- Po makjazhi?
Së fundi këshilla e konsulentes së imazhit do të ishte: mos harroni të nxirrni në pah fytyrën tuaj duke përdorur makjazhin e duhur. Gjatë periudhës së shtatëzanisë lëkura mund të ndryshojë duke u shfaqur më e ashpër, e thatë, pa harruar daljen e njollave. Ju duhet të përpiqeni të bëni një akjazh të lehtë gjatë ditës dhe pak më të rëndë gjatë darkës. Gjithmonë duhet të vendosni krem mbrojtës kundër diellit poshtë krem pudrës.
Lexoni edhe: Reçipetat në shtatzani
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu