Nga të gjitha sëmundjet ekzantematike të lëkurës, sëmundja e gjashtë është një nga më pak të njohurat. Por kjo nuk do të thotë se duhet të nënvlerësohet: megjithëse nuk është e rrezikshme, në të vërtetë, është e mundimshme për foshnjën. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të dini se çfarë është dhe si ta trajtoni si duhet.
Sëmundjet ekzantematike
Sëmundja e gjashtë është një nga shtatë sëmundjet ekzantematike, që janë infeksione të karakterizuara nga një skuqje e lëkurës, e ashtuquajtura “ekzantema” dhe nga simptoma të tjera të tilla si shkarkimi i hundëve, temperatura ose kollitja. Nëse në javët e para të jetës foshnja, në sajë të antitrupave të marra nëpërmjet placentës, pothuajse gjithnjë arrin të shpëtojë nga rreziku, që nga muaji i gjashtë i jetës është veçanërisht i prekshëm ndaj këtyre çrregullimeve.
Transmetohet nga pështyma
Sëmundja e gjashtë është një çrregullim i shpeshtë tek fëmijët e moshës ndërmjet gjashtë muaj dhe dy vjeç. Ajo shkaktohet nga virusi HHV-6 ose HBLV, që i përket familjes së virusit Herpes, i cili transmetohet përmes pështymës dhe mukusit.
Manifestohet me temperaturë të lartë
Sëmundja e gjashtë ka një inkubacion prej rreth dhjetë ditësh, gjatë të cilit fëmija nuk ka simptoma. Pas kësaj kohe, manifestimet e para shfaqen: temeperaturë e lartë, skuqje dhe dhimbje në fyt, ënjtje e gjëndrave në qafë. Pas pak ditësh, papritmas, shfaqen shenjat e para në lëkurë, me një ngjyrë të zbehtë rozë karakteristike: ato përhapen në të gjithë trupin, duke shpëtuar vetëm duart, këmbët dhe fytyra. Kjo fazë zgjat disa ditë dhe nuk shkakton kruajtje.
Si të ndërhyhet
Simptomat dhe shqetësimet bëjnë regres dhe zhduken spontanisht për disa ditë. Pediatrit ndoshta mund të këshillojnë përdorimin e paracetamolit për të mbajtur rritjen e temperaturës së foshnjës nën kontroll. Në prani të konvulsioneve është e këshillueshme që menjëherë të informoni pediatrin ose të shkoni në urgjencë.
Fëmija mund të transmetojë sëmundjen e gjashtë nga tri ditë para fillimit të temperaturës deri në dy ditë pas fillimit të pikave karakteristike të lëkurës.
Lexo edhe: E nxjerrin jashte nga avioni sepse vuante nga nje semundje e lekures
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu