Me rastin e festave të fundvitit, një vëmendje e veçantë i kushtohet gatimeve të atyre ditëve dhe padyshim mënyra si i zbukurojmë tryezat është po aq e rëndësishme sa shija që ato kanë. Më poshtë, po ju tregojmë një antipastë të thjeshtë, por që do t’i japë shumë ngjyra festave tuaja.
Përbërësit:
- disa degë rozmarinë;
- disa kokrra pomodorini;
- një copë djathi kaçkavall;
- mocarela në rrathë të vegjël;
- një copë sallam;
- disa kokrra ullinj.
Përgatitja:
Për të krijuar këtë pjatë festive, në formën e pemës së Krishtlindjeve, e vetmja gjë që na duhet të bëjmë, është dekori dhe të tregohemi krijues në mënyrën se si i vendosim përbërësit në pjatë. Si fillim marrim një pjatë prej druri të posaçme për antipasta. Vendosim në fundin e saj dy degë rozmarine, në formën e këndit që krijojnë dy brinjët e çatisë së shtëpisë.
Në të njëjtin pozicion vendosim djathin kaçkavall, të cilin e kemi prerë në formë rrathësh. Kështu vazhdojmë me shtresat e tjera duke shtuar sërish rozmarinë, pas saj mocarela, vazhdojmë me shtresën e rozmarinës, ullinj dhe pastaj sallamin e prerë në feta.
Në fund, me një prerëse kuzhinë ne formë ylli, presim pak djathë kaçkavall dhe e vendosim në kulmin e pjatës.
Kjo ishte një nga antipastat në formë peme, e cila i jep një pamje mjaft festive tryezës suaj të Krishtlindjeve apo Vitit të Ri. Gjithçka që ju duhet për përgatitjen e saj është vetëm kreativitet dhe shumë dashuri.
Ju bëftë mirë!
Lexo edhe: Si të përgatisim salcë kosi me arra? Antipasta ideale
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu