Për një gjidhënie të mirë është shumë e rëndësishme që gruaja gjatë ditëve të para pas lindjes të marrë ndihmën e duhur. Këtë mund ta marrë shumë mirë edhe gjatë qëndrimit në spital, nga stafi mjekësor, nga ku do të mësojë si ta vendosë fëmijën në mënyrën e duhur në gji, çfarë pozicioni të mbajë ajo vetë etj. Por në disa raste gjidhënia nuk është një eksperiencë aq e lehtë dhe për këtë mund t’ju vijnë në ndihmë kokat e silikonit që vendosen në gjoks. Le të shohim si duhet t’i përdorni ato në mënyrën e duhur, si të zgjidhni të duhurat etj.
Si t’i përdorim kokat e silikonit dhe pse?
Një nga problemet që nëna mund të hasë gjatë gjidhënies janë thithat e sheshtë ose të futura nga brenda gjirit, gjë e cila do të bënte që fëmija të mos e kapte gjirin në mënyrën e duhur. Në disa raste kokat e silikonit mund të përdoren si mënyrë lehtësimi e dhimbjeve të shkaktuara nga çarjet që gjiri mund të pësojë. Në këto raste gjidhënia nuk bëhet më një eksperiencë e pëlqyeshme por, stresuese. Pikërisht të çarat e gjirit zakonisht formohen si pasojë e një moskapje të mirë të fëmijës por nëse ndodh mund të përdorni koka silikoni në vend që të mendoni të hiqni dorë nga gjidhënia, të cilat do të jenë një mënyrë e mirë për të mos e bërë gjirin të irritohet dhe më shumë.
Në treg mund të gjeni koka prej silikoni ose llastiku. Ju duhet të dini se kokat e llastikut deformohen shumë lehtë, sidomos nëse sterilizohen në temperature të larta, dhe krahas kësaj mbledhin push dhe pluhur dhe për pasojë duhet t’i ndërroni vazhdimisht. Silikoni është një material i cili pastrohet më lehtë dhe në përgjithësi fëmijët e pëlqejnë më shumë.
Përsa i përket formës mund të gjendet në formë rrethi, fluture apo gjysëm fluture, të cilat mund t’i gjeni në madhësi të ndryshme në mënyrë që të përshtatet fluksi i qumështit në varësi të moshës së fëmijës. Është shumë e rëndësishme që të zgjidhni edhe madhësinë e duhur gjithashtu, në mënyrë që të mos e pengojë fëmijën kur pi. Nëse koka e silikonit kap ose jo qiellzën e fëmijës, mund ta kontrolloni me gisht.
Si t’i vendosim kokat e silikonit?
– I mbani gjithmonë kokat e silikonit brenda kutisë së tyre plastike, në mënyrë që të siguroni një higjenë të mirë të tyre;
– I lani mirë duart para se t’i vendosni kokat e silikonit në gjoks;
– Para vendosjes në gjoks mund ta mbushni kutinë plastike me ujë të nxehtë, pasi nëse ato nxehen do të zbuten dhe do të fiksohen më mirë në gjoks, duke bërë që gjatë pirjes së fëmijës të mos futet ajër, duke bërë që të dalë menjëherë qumësht. Ju duhet t’i lini në ujë të ngrohtë për rreth 3-5 minuta;
– Shtyni gjoksin para dhe më pas e vendosni silikonin në qendër duke e shtypur në mënyrë që të fiksohet më mirë, pa futur ajër në mënyrë që të mos keni nevojë ta mbani me dorë gjatë gjidhënies;
– Para se të vendosni fëmijën në gji duhet ta shtrydhni pak gjirin që të dalë pak qumësht dhe fëmija ta kuptojë se çfarë do të pijë;
– Pasi keni mbaruar së dhëni gji fëmijës, i lani mirë kokat e silikonit me një detergjent neutral dhe pa aromë. Më pas i shpëlani me ujë të bollshëm dhe i vendosni brenda kutisë plastike.
Nuk është vërtetuar se përdorimi i kokave të silikonit shkakton rënie të prodhimit të qumështit të gjirit. Do t’ju këshillonim të përdornit kokat e silikonit në formë fluture pasi do të krijonin një kontakt të mirë lëkurë me lëkurë midis nënës dhe fëmijës.
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu