Si ta bejme ushqyerjen me gji?

0 0

Para se fëmija të vihet në gji, duhet të lahen duart me shumë kujdes me ujë dhe sapun. Pastaj pastrohen gjinjtë vetëm me ujë të vakët. Eshtë mirë që thithat të zhyten në ujë të vakët. Në vazhdim, gjinjtë thahen ngadalë e me kujdes me një pecetë të thatë. Gjinjtë nuk duhet të thahen duke i fërkuar me pecetë ose me peshqir.
Disa rregulla bazë:
– Gjinjtë duhet të lahen të paktën një herë në ditë.Parapëlqehet të lahen pasi fëmija ka pirë, me qëllim që bebi të njohë nënën e tij edhe me anë të erës. Nuk duhet të përdoren pomada ose lëndë të tjera, qoftë për aromë të mirë, qoftë për parandalim të çarjeve të gjirit. Larja e gjinjve nuk duhet të bëhet me sapun, sepse mund të thajë lëkurën.
– Nuk duhet të përdoret acidi borik si dezinfektant, sepse është helmues për fëmijën.
– Gjinjtë duhet të mbahen të thatë, prandaj duhet të mbulohen shpesh me garza të thata.
– Mirë është që gjinjtë të mbahen zbuluar ( kur është e mundur ), në mënyrë që të shmangen fërkimet me rrobat , të cilat mund të shkaktojnë dëmtime të mundshme.
Masazhi i gjirit
Eshtë mirë që përpara se fëmija të vendoset në gji, të bëhet një masazh i shkurtër i gjirit. Si bëhet ky masazh? Kapet njeri prej gjinjve me të dy duart dhe me lëvizje të lehta rrethore bëhet masazhi i tij. Qëllimi është që të zbuten gjinjtë, në mënyrë që qumështi të rrjedhë pa vështirësi.
A ka ndonjë rregull për dhënien e gjirit?
Nuk këshillohet vendosja e fëmijës në të dy gjinjtë gjatë një vakti. Është mirë që ai të vendoset një vakt në njërin gji dhe vaktin tjetër në gjirin tjetër. Duhet vepruar kështu, sepse krijohet mundësia që të zbrazet plotësisht gjiri dhe në të njëjtën kohë, të ndryshojë përmbajtja e qumështit të gjirit, në varësi të thithjeve të fëmijës. Qumështi i thithur nga fëmija me thithjet e para ka përmbajtje të ndryshme me atë të marrë në thithjet e fundit.
Duke e vënë në mënyrë të çrregullt fëmijën në të dy gjinjtë, ne rrezikojmë që fëmija të mos marrë të gjitha lëndët për të cilat ai ka nevojë.
Fëmija nuk duhet vendosur asnjëherë në gji, në qoftë se nëna nuk ndihet e qetë. Edhe pse fëmija qan, mos mendoni se i ka kaluar koha e ushqyerjes. Kjo gjë e bën shpesh nënën të ankthshme dhe ngutet që ta verë menjëherë në gji. Ky ankth shtohet edhe më shumë sepse fëmija qëllon që s`e kap me lehtësi gjirin në momentin që ky i jepet. Kini parasysh: gjithmonë rehatohuni vetë, rehatoheni fëmijën tuaj ( duke e përkundur, duke i kënduar, duke e ledhatuar ), dhe pastaj vendoseni në gji.
Cili është pozicioni i përshtatshëm?
Nuk mund të themi se ka një pozicion ideal për të vendosur fëmijën në gji. Sidoqoftë, pozicioni i papërshtatshëm krijon probleme në ushqyerjen e fëmijës tuaj.
Rregulli kryesor është që vetë ju të zini një pozicion sa më të rehatshëm. Fëmija mund të ushqehet duke qëndruar shtrirë ose ulur.
Në qoftë se juve ju pëlqen më shumë të qëndroni ulur, atëherë duhet që shpina juaj të jetë e mbështetur mirë, me qëllim që të shmangen tkurrjet e muskujve të kurrizit, ndërsa këmbët të vendosen në një stol, me qëllim që të lëshohen muskujt e barkut.
Nëna nuk duhet të përkulet gjatë ushqyerjes së fëmijës. Në këtë rast fëmija ushqehet në një pozicion gjysmë shtrirë. Njëra dorë e nënës mban kokën, kurse dora tjetër trupin.
Një mënyrë tjetër e ushqyerjes së fëmijës ulur realizohet duke e mbajtur fëmijën ashtu siç mbahet “topi i regbisë”. Fëmija vendoset mbi një jastëk, kurse njëra dorë e nënës i mban kokën. Pozicioni si “topi i regbisë” është më shumë i përshtatshëm për ushqyerjen e binjakëve, kur kemi fryrje dhe forcim të gjinjve, kur nëna ka gjinj shumë të mëdhenj, kur fëmija ka vështirësi në kapjen e gjirit ( siç ndodh me fëmijtët e lindur parakohe, ose me peshë të vogël në lindje ) si edhe kur nëna ka dhimbje barku ( në rastin e lindjeve me operacion ).
Disa grave u pëlqen t`i ushqejnë fëmijët e tyre, duke qëndruar shtrirë, sidomos kur ndihen të lodhura, ose kanë dhimbje për shkak të plagës nga lindja ( epiziotomia ) ose ajo e operacionit. Një pozicion i tillë është i rehatshëm edhe gjatë natës. Në këtë rast, fëmija mbahet shtrirë, i mbështetur në shpinë me një jastëk.
Më sipër ne përmendëm se nuk ka një pozicion ideal për ushqyerjen me gji, i tillë që të favorizojë rrjedhjen më të mirë të qumështit. Nga ana tjetër nuk duhet të harrojmë se edhe fëmija ka preferencat e veta. Kështu, sidomos në javët e para pas lindjes, pozicionet për dhënien gji të fëmijës duhet të ndryshohen edhe nga një vakt në tjetrin. Në fakt, qumështi në gjendrën e gjirit shpërndahet pak a shumë në mënyrë të njëtrajtshme në të gjithë gjirin. Nëqoftëse nëna e bën zakon të ushqejë fëmijën vetëm në një pozicion, atëherë mund të ndodhë që fëmija duke thithur, të zbrazë vetëm një pjesë të gjirit dhe jo të gjithë atë.
Në këtë mënyrë, në pjesën e pazbrazur të gjirit qumështi grumbullohet dhe kështu gjiri fillon të fryhet, të dhembë, të çahet dhe më tej të pezmatohet.
Duke ndryshuar pozicionin e fëmijës nga një vakt në tjetrin, ushtrohet shtypje mbi pjesë të ndryshme të thithit. Kjo ndihmon zbrazjen e gjirit dhe parandalon problemet që mund të ndodhin me gjirin në ditët e para pas lindjes. Një gjë e tillë nuk duhet të kuptohet si “një rregull i ri për çdo ditë të re”, por si një “teknikë” që krijon kushte për një ushqyerje të suksesshme me gji.
Pasi nëna ka zgjedhur pozicionin e vet, për t`i dhënë gji fëmijës, është e nevojshme që edhe fëmija të vendoset në një pozicion të përshtatshëm. Për shembull, në qoftë se nëna e ushqen fëmijën në pozicionin ulur, atëherë është e rëndësishme që me njërën dorë të mbajë kokën e fëmijës dhe me dorën tjetër, të ndihmojë fëmijën që të kapë gjirin, duke i ofruar fëmijës jo vetëm thithin, por edhe areolën ( pjesën e errët të gjirit.
Edhe pse thithja e gjirit tek fëmija është një refleks i lindur, në fillim nëna dhe fëmija nuk “njihen” ashtu si duhet dhe kjo gjë mund të krijojë “vështirësi” edhe për veprimet më të thjeshta. Gjatë vendosjes së fëmijës në gji, dora e lirë mban gjirin, kurse gishti i madh i dorës vendoset mbi thith. Gishti i madh lëviz lirshëm mbi gji dhe ndihmon fëmijën që të luajë me thithin, të hapë gojën dhe pastaj ta kapë atë.
Nuk këshillohet kapja e thithit ndërmjet gishtit tregues dhe të mesit, sepse një gjë e tillë mund të pengojë rrjedhjen e qumështit, në vend që ta nxisë atë. Veprime të tilla të thjeshta ndihmojnë fëmijën që të kapë gjirin edhe atëherë kur gjiri i nënës është shumë i madh.
Lemza dhe gromësimat
Pas çdo vakti fëmija duhet të mbahet për disa minuta në pozicion vertical. Kjo do ta ndihmojë atë për të nxjerrë gazrat. Nuk duhet të shqetësoheni, në qoftë se fëmija vjell pak pas pirjes, ose e zë lemza, pasi kjo do të thotë se stomaku i tij është mbushur.






Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu



Materiale te ngjashme

Lidhja me fëmijën tuaj pas...

Fëmija juaj i porsalindur është në kraharorin tuaj ndërsa derdhni lot gëzimi. Besojmë se e keni imagjinuar momentin kur fëmija juaj vjen në botë si momenti më i lumtur i...

Pse çdo grua shtatzënë duhet...

Anomalitë gjenetike mund të ndodhin në çdo shtatzëni, prandaj testi NIPT është i rëndësishëm për çdo grua shtatzënë, pavarësisht nga mosha e saj apo risku i predispozitës gjenetike. Ekspertët mjekësorë...

MËSONI MË SHUMË PËR TESTIN...

A e dini se mund të zbuloni nëse fëmija juaj është i shëndetshëm që në javën e 10-të të shtatzënisë? Ju mund ta zbuloni shëndetin gjenetik të foshnjës tuaj gjatë...

DIVO, për t’i bërë 1000...

Çdo ditë është e rëndësishme por 1000 ditët e para të jetës janë vendimtare pasi janë castet ku krijohen rrenjët, baza e zhvillimit të fëmijës tuaj por ndërkohë edhe modeli...

Ne kemi reklame ju lutem caktivizoni adblock ne menyre qe te navigoni lehtesisht.
Faleminderit!

A keni një llogari? Identifikohu


Regjistrohu


X

Ndrysho fjalkalimin


X