Mund të ndodhë që gjatë pushimeve tuaja apo gjatë një dite të kaluar në pishinë fëmija juaj të futet në ujë pa ju pasur ju pranë, gjë e cila do të jetë e rrezikshme. Për këtë arsye ju duhet të merrni disa masa në mënyrë që t’i bëni momentet e pushimeve tuaja sa më të qeta. Ju duhet të keni parasysh se nuk duhet ta lejoni asnjëherë fëmijën tuaj të futet në ujë të thellë, dhe kur themi ujë të thellë marrim në konsideratë gjatësinë e fëmijës.
Uji është shumë tërheqës dhe i rrezikshëm për fëmijët
Nuk ka rëndësi nëse është det, lumë, pishinë, liqen, fëmija është gjithmonë shumë i tërhequr nga uji, por në të njëjtën kohë kjo do të jetë edhe një faktor rreziku për të, por që sigurisht gjithçka varet nga mosha dhe gjatësia e fëmijës. Nuk mund të themi se vaska e banjës është e rrezikshme për një fëmijë adoleshnt, por mund të themi se është e rrezikshme për një fëmijë shumë të vogël, i cili edhe në ujë të cekët nuk mund të qëndrojë ulur pasi rrëshket.
Është e rëndësishme të njohim ambientin
Disa faktorë rreziku janë të lidhur kryesisht me njohjen apo mosnjohjen e ambientit specifik ujor. Për shembull lumi dhe liqnei janë më të rrezikshëm pasi kanë shtrat jo uniform, ujëra të turbullta dhe me rryma të forta, të cilat mund të jenë të rrezikshme edhe për një notar profesionist. Për këtë arsye ju duhet të dini se nëse do të pushoni me fëmijën tuaj pranë një lumi apo liqeni duhet të jeni të sigurt për zonën ku fëmija juaj po lahet.
Përsa i përket detit, rreziku kryesor është prania e disa gropave në të cilat uji bëhet shumë i thellë në mënyrë të papritur, në të cilat këmbët e fëmijës nuk mund të prekin tokë. Një rrezik tjetër mund të jenë edhe të ashtuquajturat “rryma të kthyera”, të cilat mund të jenë shumë të forta dhe për pasojë mund ta shtyjnë një person drejt thellësisë më të madhe.
Mbikqyrja nuk është asnjëherë tepër!
Nuk duhet që ta humbni nga sytë asnjëherë fëmijën tuaj për asnjë moment ndërsa është futur në ujë apo është pranë tij. Fëmijët kanë veti të tërhiqen nga shumë gjëra ndërsa janë në plazh dhe për këtë është shumë e lehtë të largohen brenda pak castësh nga shikimi i nënës apo babait.
Sigurisht që mënyra më e mirë që fëmija të lahet i sigurt është noti, dhe për këtë mund të kujdeseni t’ja mësoni fëmijës që në moshën 3-vjeçare, periudhë që mund të mësohet noti “i qenit”. Nëse jeni në plazh dhe deti është tepër i trazuar ju nuk duhet të futeni në ujë me fëmijën tuaj.
Kujdes me krahët dhe kamardaret e tjera
Kamardaret, qofshin ato krahë, rreth për t’u vendosur në pjesën abdominal të fëmijës, dyshek etj nuk janë pajisje që sigurojnë mbrojtje të plotë të fëmijës. Ato janë lodra dhe si të tilla duhet të përdoren. Ato duhet të përdoren nga fëmija ndërsa ai është në breg dhe gjithmonë në mbikqyrjen e prindërve, ndryshe mund të bëhen faktor rreziku për fëmijën. Mos e leni fëmijën me kamardare në trup ndërsa është jashtë ujit, pasi është një veprim i ekzagjeruar.
Tregoni kujdes edhe ndërsa jeni në shtëpi
Ju duhet të keni kujdes që të mos e lini asnjëherë fëmijën vetëm ndërsa jeni duke i bërë banjë, qoftë edhe për disa sekonda. Sa më i vogël të jetë fëmijë aq më i madh do të jetë edhe rreziku. Nëse në shtëpi do të keni një pishinë duhet të siguroheni që fëmija juaj të mos i afrohet asnjëherë ndërsa ju nuk jeni atje. Një alternativë do të ishte vendosja e barrierave mbrojtëse në mënyrë që fëmija të levizë i sigurt në kopësht.

Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu