Serklazhi aplikohet nëse gjatë shtatëzanisë diagnostikohet një paaftësi e qafës së mitrës, pra kur ajo nuk është në gjendje të mbajë në mënyrë të sigurt fetusin brenda trupit të gruas deri në ditën e përcaktuar për lindje. Një situatë e tillë mund të shkaktojë abort spontan ose lindje prematurë. Ja cilat janë disa nga përgjigjet që do t’ju ndihmojnë të kuptoni më mirë serklazhin
1. Në çfarë konsiston serklazhi?
Serklazhi është një praktikë gjinekologjike e cila konsiston në mbylljen e qafës së mitrës, duke çliruar pak nga mukoza e saj dhe më pas duke e futur në një material të absorbueshëm dhe hipoalergjik me gjatësi rreth gjysëm centimetri. Ajo do të shërbejë për të mbajtur të mbyllur qafën e mitrës. Ndërhyrja zgjat disa minuta dhe kryhet nën efektin e anestezisë totale. Pjesa e vendosur gjatë kësaj ndërhyrje do të hiqet më pas në momentin që do të shfaqen kontraksionet e para, pa qënë nevoja për një ndërhyrje tjetër. Serklazhi kryhet në zonën vaginale në disa raste shumë specifike, megjithatë nuk përjashtohet edhe mundësia e kryerjes në rruge transabdominale ose me anën e një teknike laparoskopie.
2. Në cilat raste aplikohet serklazhi?
Serklazhi mund të kryhet si teknikë parandaluese ose trajtuese.
• Për qëllime parandaluese
Në këtë rast serklazhi programohet nëse gruaja ka pasur të paktën 2 aborte spontane ose lindje prematurë, të shkaktuara nga dobësia e qafës së mitrës, të ndodhura kryesisht nga java 13-16 të shtatëzanisë.
• Për qëllime trajtuese
Në këtë rast serklazhi aplikohet për të trajtuar qafën e mitrës e cila paraqitet e paaftë për të mbajtur fetusin brenda trupit të nënës për gjatë gjithë shtatëzanisë. Zakonisht konsiderohet anormale një hapje e cerviksit me më shumë se 2.5 cm. Një sinjal alarmi i hapjes së qafës së mitrës janë kontraksionet dhe rrjedhjet ematike (të gjakut), për këtë arsye duhet të shkoni për vizitë tek mjeku. Paaftësia e cerviksit mund të jetë gjenetike ose e shkaktuar nga anomali të muskulaturës së tij, e cila kur ndesh edhe disa faktorë që e favorizojnë (disa ndërprerje të shtatëzanive spontane ose të provokuara etj) mund të shkaktojë hapje të qafës së mitrës ose lezione në fijet muskulare.
3. Duhet të pushojmë pasi është bërë serklazhi?
Pasi është aplikuar serklazhi gruaja qëndron për disa ditë në spital duke ju nënshtruar një kure me antibiotikë për të paktën një javë, me qëllim që të shmanget rreziku i shfaqjes së ndonjë infeksioni të mundshëm. Pasi është kthyer në shtëpi gruaja mund të këshillohet ose jo të bëjë rregjim shtrati, gjithsesi ajo duhet të bëjë një jetë të qetë, duke evituar sforcimet dhe marrëdhëniet seksuale, të paktën gjatë javëve të para pas serklazhit. Pas kësaj ndërhyrje gruaja duhet të bëjë gjithashtu edhe vizita më të shpeshta tek mjeku si edhe të marrë pushim nga puna.
4. Cilat janë rreziqet që mund të shfaqen më pas?
Serklazhi, i cili gjithsesi është një trup i huaj për organizmin e gruas, mund të stimulojë kontraksionet e uterusit ose të zhvillojë një infeksion, situatë e cila mund të provokojë çarjen e membranave, pra shtatëzania mund të përfundojë në abort spontan ose lindje të parakohshme. Gjithashtu pas ndërhyrjes mund të shfaqen tek nëna gjakderdhje të vogla, të cilat nuk janë të dëmshme për fetusin, por që gjithsesi janë të bezdisshme për gruan.
5. Mund të kryhet lindje normale nëse aplikohet serklazhi?
Serklazhi nuk është një kusht që e pengon gruan të lindë në mënyrë natyrale, përkundrazi duke qënë se pëlhura e vendosur në qafën e mitrës hiqet dhe kjo mund të bëjë që hapja e saj të favorizojë edhe më shumë lindjen natyrale.
6. Ka ndonjë alternativë tjetër për mënyrën e kryerjes së serklazhit?
Mbyllja e qafës së mitrës mund të kryhet edhe nëpërmjet vendosjes së një unaze prej gome, në mënyrë që ta mbajë atë për të mos zbritur. Kjo është një mënyrë më e thjeshtë se serklazhi, e cila mund të kryhet pa anestezi. Megjithatë kjo ende nuk është një mënyrë e aprovuar për t’u përdorur.
Lexo dhe: Regjimi i shtratit, ja rastet kur rekomandohet
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu