Ndodhemi në Indi dhe rasti të shokon, të le pa fjalë… të bën të mendosh sa vlen jeta e një fëmije, e një fëmije me probleme të caktuara mendore apo fizike, sa vlen jeta e një vajze, dhe në rastin konkret të një vajze të gjetur në pyllin “Katarniya Ghat forest range”. Ajo nuk është më shumë se 8-9 vjeç dhe në pamje të parë të jep përshtypjen e një fëmije me probleme jo vetëm psikologjike por edhe fizike, me shumë pak aftësi në të ecur, në të kryerin e nevojave personale e kështu me rradhë.
Sipas reporterit Uttar Pradesh, vajza u gjet në janar të këtij viti në një pyll të rrezikshëm të Indisë, dhe mendohet se për të janë kujdesur disa majmunë për një kohë jo shumë të gjatë, kjo pasi vajza edhe pse nuk është në gjendje të ecë normalisht, bazat e zhvillimit i ka si prej një qënie njerëzore. Pra kjo hedh poshte teorinë se vajza është braktisur që në foshnjëri në pyll.
Po ç’rëndësi ka kjo?
Pse duhet të përpiqemi të gjejmë historikun e braktisjes së një fëmije kur jemi para një krimi brutal, gati çnjerëzor? Kaq pak vlen jeta e saj për nënën, babain, shoqërinë? Kaq shumë vlejti jeta e saj për disa majmunë, të cilët u munduan që vajza të qëndronte larg thellësive të rrezikshme të pyllit? Por ndodh edhe kështu! Në indi njerëzit nuk e “preferojnë” një vajzë me probleme mendore, në Indi një vajzë vlen më pak se një djalë, dhe për prindërit do të ishte më me leverdi “ta hiqnin qafe” në vend që të kujdeseshin për të!
Mjeku Singh shprehet se vajza mund të ketë jetuar shumë gjatë ose jo në pyll, por ky nuk është problemi. Braktisja e saj rëndon shumë mbi vlerat e shoqërisë, familjes dhe mbi të gjitha prindërimit! Që në momentin që është gjetur ajo ka shfaqur sjellje të dhunshme, nuk ka aftësi të përdorë tualetin, nuk ka aftësi komunikuese, pra mendohet se ajo ka jetuar për një kohë të gjatë në këtë xhungël. E megjithatë aftësia e saj e shpejtë për të reaguar i bën mjekët të mendojnë se është rritur nga “njerëz”. Në fillim ajo zvaritej dhe tani ec, pra nuk ka qënë në xhungël që në lindje. E vërteta është se familja e saj nuk e ka dashur, sepse në zonat rurale ndodh edhe kështu!
Por ne e dimë se vajzat vlejnë, se vajzat nuk kanë asnjë ndryshim nga djemtë, se të kesh një vajzë apo një djalë të bën të jesh po njësoj prind, të bën të ndihesh po njësoj nënë apo baba, të bën të marrësh po të njëjtën dashuri! Vajzat vlejnë, këtë le ta dinë vajzat, le ta dinë djemtë, le ta pranojë njëherë e përgjithmonë shoqëria Indiane, shoqëria jonë, dhe cilado që deri më sot ka trajtuar apo vazhdon të trajtojë stereotipet gjinore si një burim lumturie dhe mirëqënie, ku ajo grua që sjell në jetë një djalë ka më shumë vlera se ajo që sjell në jetë një vajzë… ku ajo grua që sjell në jetë një vajzë është “fajtore”, të cilën e shoqëron gjithë jetën shprehja “nuk dite të bëjë djalë”, dhe që ndoshta jeton gjithë jetën me shpresën që një ditë të “arrijë” të bëjë një djalë!
Lexoni edhe: Duhet te jesh vetvetja, letra e nje nene drejtuar vajzes se saj
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu