Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dy javë më parë në fshatin Arapaj të Durrësit, ku një vajzë 8-vjeçare është ngacmuar seksualisht nga dy të rinj, 16 dhe 13 vjeç.
Ngjarja u zbulua vetëm ditën e djeshme, ndërsa opinioni publik është tronditur nga rasti i publikuar që vjen pas disa rasteve të tjera të publikuara më parë, si ai i një 13-vjeçareje nga Kavaja e cila u përdhunua në grup nga disa adoleshentë apo ai i vajzës nga Lezha që përdhunohej nga babai.
Lidhur me të tilla ngjarje të rënda dhe me faktin që ato po ndodhin gjithnjë e më shpesh, Pernenat.al ka pyetur sociologun Gëzim Tushi, i cili ka sqaruar se pse po ndodhin të tilla raste në shoqërinë tonë dhe çfarë duhet të bëjnë prindërit për të mbrojtur fëmijën.
Ndër të tjera sociologu thotë se “kurrë më parë nuk kanë qënë kaq të zgjeruara krimet seksuale me të miturit”, dhe se prindërit duhet t’i mësojnë fëmijës konceptin mbi seksualitetin dhe kulturën e marrëdhënieve seksuale.
Intervista:
- Pas lajmit për ngacmimin seksual të 8-vjeçares në Durrës, nënat duan të dinë se sa të rrezikuar janë fëmijët e tyre në shoqërinë ku jetojmë?
Padyshim që sot janë shtuar rreziqet që kanë të bëjnë me nevojën dhe kujdesin e shtuar të mbrojtjes së fëmijëve nga abuzimi i mundshëm seksual. Të gjitha format e abuzimit janë bërë të pranishme, evidente, të mundshme dhe me rrezik për shëndetin, seksualitetin dhe personalitetin e fëmijës. Shoqëria po përballet me format më banale të ngacmimit seksual, pedofilisë dhe incestit. Nuk është fjala që këto gjëra duhet t’i dinë vetëm nënat por edhe baballarët dhe pjesëtarët e tjerë të familjes. Ka shumë rëndësi që me fëmijët duhet folur më qartë dhe hapur për seksualitetin e tyre dhe rreziqet që vijnë nga jashtë (ambienti social) dhe nga brenda (zhvillimi i tyre fizik e seksual).
- Pse gjithnjë e më tepër dëgjojmë tek ne të ndodhin ngacmime apo përdhunime të miturish, dhe cilat janë rrethanat që po çojnë në këto ngjarje kaq të shpeshta?
Shoqëria shqiptare është në fazën e zgjeruar të liberalizimit të seksualitetit, një situatë e cila për fat të keq viktimizon jo vetëm femrat por dhe fëmijët. Zgjerimi i numrit të maniakëve të seksit, qarkullimi i lirë dhe pa kontroll i tyre e bëjnë situatën shqetësuese. Këta janë kriminelë që duhen bërë zap nga ligji, duke i dënuar penalisht apo duke i izoluar në qëndra të rehabilitimit psikiatrik. Kurrë më parë nuk kanë qënë kaq të zgjeruara krimet seksuale me të miturit. Qoftë nga bashkëmoshatarët apo nga pjesëtarë të lidhjeve të gjakut me ta. Është një turp moral, social që kemi këtë situatë të zgjeruar të abuzimit me fëmijët.
- Çfarë përgjegjësish duhet të marrin më shumë prindërit për edukimin e fëmijëve, në mënyrë që t’i mbrojnë ata nga abuzimet por edhe t’i edukojnë që në të ardhmen të mos jenë abuzues?
Prindërit janë edukatorët e parë të natyrshëm për edukimin seksual të fëmijëve të tyre, ata që duhet t’i mësojnë fëmijët që të vlerësojnë personalitetin e tyre, të kenë një koncept më të drejtë për seksin, seksualitetin dhe kulturën e marrëdhënieve seksuale. Nëse prindërit nuk e bëjnë këtë detyrë organike dhe mendojnë se ata mund ta mësojnë në mënyrë intuitive apo përmes komunikimit me shokët apo median, situata nuk është e sigurt. Mbi të gjitha është urgjente që tek fëmijët të krijojmë kulturën e denoncimit të menjëhershëm të kujtdo që tenton fizikisht, verbalisht apo me mjete të tjera të ngacmojë seksualisht atë.
- Cili është roli i mësuesve, kujdestarëve apo të afërmve të tjerë në mbrojtjen e fëmijëve?
Familja dhe shkolla janë institucione madhore të sigurisë morale dhe mbrojtjes së fëmijëve nga perversët seksualë apo nga tronditjet që ata pësojnë për shkak të pjekurisë së parakohshme seksuale apo të një mëndjelehtësie që qarkullon tek adoleshentët të cilët mbivlerësojnë aspektet biologjike dhe kënaqësitë e sipërfaqshme të seksualitetit. Me ta duhet folur hapur. Në shkollë duhet bërë më shumë për ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe krijimin e koncepteve më të qarta për ontologjinë dhe fenomenologjinë e seksualitetit fëminor. Prindi dhe mësuesi janë “liderë” të pandryshuar e të pazëvendësueshëm të këtij procesi./Pernenat.al
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu