Dermatiti në zonën e bebelinës është një problem që haset shpesh gjatë 2 viteve të para të jetës, gjendje që shoqërohet me inflamacion në zonën gluteale, gjenitale si edhe rrëzë kofshëve. Në rastet më të lehta mund të shfaqet një skuqje më e lehtë dhe në rastet më të rënda edhe lezione.
Si ta kuptojmë se kur kemi të bëjmë me kandida?
Nëse në zonën e skuqur shfaqet edhe një “kornizë” e bardhë me siguri keni të bëni me kandida (myk).
Shkaqet
Shkaqet mund të jenë të shumta dhe këtu mund të përmendim: kontaktin e gjatë me urinën dhe feçet, prezantimin e një ushqimi të ri, përdorimin e një medikamenti të caktuar, prania e një bakteri apo kërpudhe e cila e përkeqëson edhe më tepër gjendjen, ndërrimi i rrallë i bebelinës, pra të gjithë këta faktorë favorizojnë lezionet e lëkurës.
Si ta trajtojmë problemin?
Gjëja më e mirë që mund të bëni është ta parandaloni duke evituar të gjithë faktorët e sipërpërmendur, duke e larë fëmijën gjithmonë me ujë të rrjedhshëm dhe duke evituar letrat e lagura, sidomos ato me parfum dhe alkool, si edhe duke përdorur një pastë (krem më i trashë) me faktor mbrojtës , duke evituar përdorimin e pudrës. Pasta zakonisht ka një përbërje oksid zinku (5-10%) në mënyrë që të jetë në gjendje të krijojë një shtresë mbrojtëse.
Po nëse tashmë nuk kemi mundur ta parandalojmë?
Në këtë rast mjeku mund të këshillojë përdorimin e një antimykotiku, antibiotiku etj. Gjatë kohës që do të jeni duke përdorur këtë medikament duhet ta lini lëkurën e fëmijës të ajroset sa më gjatë duke e hequr bebelinën për disa orë në ditë. Gjithashtu këshillohet të përdorni bebelina me masë më të madhe se zakonisht.
Lexoni edhe: Nderrimi i bebelines
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu