Qumështi i nënës është ushqimi më i mirë për fëmijën, dhe këtë nuk mund të mos e përsëritim në çdo rast që trajtojmë këtë temë. Por jo gjithmonë nëna është në gjendje ta ushqejë fëmijën e saj me gji, kjo për arsye të ndryshme. Shpesh në raste të tilla nëna mund të marrë shumë këshilla të cilat nuk janë aspak të shëndetshme për fëmijën, dhe një prej tyre është ushqyerja e fëmijës me qumësht lope.
Qumështi i lopës është shumë i shëndetshëm për viçin dhe shpesh mendohet se mund të jetë edhe për fëmijën, madje disa mendojnë se ky qumësht është më i mirë se qumështi i formulës. Kjo është shumë larg të vërtetës, dhe qumështi i lopës nuk duhet absolutisht t’i jepet fëmijës para moshës 1-vjeçare.
Qumështi i lopës shkakton tek fëmija një mungesë të theksuar hekuri, dhe për pasojë mund të shkaktojë anemi. Gjithashtu në rast se fëmija është anemik, simptomat do të përkeqësohen pasi bashkë me feçen do të dalin edhe sasi gjaku, të cilat mund të mos dallohen me sy të lirë. Gjithashtu ky qumësht është shumë i pasur me proteina, të cilat janë në norma të larta për oganizmin e fëmijës të vogël, apo më keq akoma të fëmijës së porsalindur, pa harruar të përmendim sasinë e natriumit, kaliumit të cilat mbingarkojnë veshkat. Edhe sasia e mineraleve të tjera të rëndësishme për fëmijën (kalçiumi dhe fosfori) nuk është në normat e duhura.
Duke u nisur nga sa thamë më lart nevoja për të gjetur një alternativë të përshtatshme në rast se qumështi i nënës mungon apo është jo e mjaftueshme është e madhe. Kohë më parë përdorej qumështi i lopës i holluar apo edhe qumështi i bagëtive të tjera duke qenë se ishin më të tretshëm nga fëmijët si për shembull, qumështi i deles apo i dhisë. Më pas u bënë tentativat e para për ta modifikuar këtë qumësht, duke u përqëndruar kryesisht në modifikimin e përqëndrimit të sheqerit, yndyrnave dhe proteinave në mënyë që ai të ishte sa më i përshtatshëm për fëmijën e vogël. U prodhua kështu për herë të parë qumështi i formulës.
Kur qumështi i nënës nuk është i mjaftueshëm duhet që fëmija të ushqehet me qumësht formule duke e përgatitur atë në nivel të lartë higjene dhe me dozat e duhura.
Kur është i nevojshëm përdorimi i qumështit artificial?
Nëse fëmija ka një rritje brenda normave dhe nuk paraqet ndonjë problem, urinon të paktën 6 herë brenda harkut kohor të 24 orëve nuk është e nevojshme t’i jepet qumësht shtesë, kjo edhe nëse këkon vazhdimisht gjirin. Fëmija e kërkon gjirin për shumë arsye dhe jo vetëm se mund të ketë uri, për shembull ka dëshirë të qëndrojë pranë nënës. Qumështi i formulës duhet të evitohet nëse pediatri i fëmijës nuk e shikon si diçka të domosdoshme.
Ai mund ta shikojë të nevojshme që fëmijës t’i jepet qumësht kutie nëse ai dyshon se fëmija ka kriza hipoglicemie (sasi të ulëta sheqeri në gjak), kur fëmija ka rënie të theksuar në peshë dhe fëmija shfaq shqetësime të tilla si ethe, përgjumje dhe irritim, ose nëse qumështi vonon të vijë, konkretisht nëse kalojnë 5-6 ditë nga lindja dhe qumështi nuk vjen. Kulloshtra shërben për të ushqyer fëmijën gjatë ditëve të para të jetës dhe më pas nëse nëna nuk ka qumësht mund të këshillohet të veprojë ndryshe.
Është normale që fëmija i porsalindur të pësojë një rënie peshe e cila konsiderohet fiziologjike, e cila varion nga 5-8% të peshës së lindjes, për këtë arsye nëna nuk duhet të shqetësohet nëse fëmija nuk po shton peshë por po dobësohet, kjo gjatë javës të parë pas lindjes. Nëna duhet të shqetësohet nëse rritja e fëmijës gjatë 3 muajve të parë do të jetë më pak se 120-150 gram në javë. Fëmija pas muajit të 3-të duhet të shtojë rreth 300 gram në muaj (ose më shumë).
Lexoni dhe: A ka nevoje femija juaj per nje qumesht formule qe ta ndihmoj me fillimin e qumeshtit te lopes?
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu