Mund të jetë ndikimi i hormoneve, i lodhjes pas lindjes, apo dhe ndërgjegjësimi që jeni bërë nënë dhe ajo gjyshe që e ndryshon marrëdhënien tuaj pasi fëmija ka ardhur në jetë. Por cilat janë motivet e këtij ndryshimi emotiv midis jush?
Vjehrra zotëruese ndaj jush dhe fëmijës të porsalindur
Lindja e fëmijës duket se ndikon disi në çrregullimin e harmonisë familjare, por fatmirësisht kjo tronditje që vjen në familje jo gjithmonë është negative dhe në disa raste ajo mund të krijojë një ekuilibër të ri dhe të fortë. Roli i ri i prindit mund ta bëjë nënën ose babain të dojë të eksperimentojë dhe të mësojë sa më shumë, dhe shpesh herë në këtë ekpseriencë gjyshërit mund të bëhen pengesë ose shtysë për të ecur përpara dhe për të rritur fëmijën në mënyrën më të mirë të mundshme.
Në të vërtetë gjyshërit duhet të përpiqen të pranojnë ndryshimin që ka ndodhur duke e parë nusen dhe djalin e tyre si prindërit e atij fëmije, pra të pranojnë se ata tashmë kanë një rol të ri me të cilin duhet të përshtaten. Në shumë raste ndodh që gjyshërit të ndiejnë dashuri shumë të madhe për fëmjë që sapo ka ardhur në jetë, duke risjellë në kujtesën e tyre momentet kur ata kanë qënë prindër për herë të parë. Dhe megjithatë shpesh ky rol, pra ai i gjyshes dhe i gjyshit duket se nuk pranohet dot me shumë lehtësi, pasi ata e ndiejnë që janë thjesht protagonistë në jetën e fëmijës së vogël që ka ardhur në jetë, dhe spektatorë të veprimeve që do të bëjnë nusja dhe djali i tyre në lidhje me rritjen dhe përkujdesin që do t’i japin fëmijës. Ata duhet të pranojnë se tashmë djali i tyre është rritur dhe është bërë baba! E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me prindërit e gruas që tashmë është bërë nënë!
Ndonjëherë gjyshërit mund të bëhen për prindërit e rinj një mbështetje shumë e madhe emotive dhe fizike, por në disa raste mund të bëhen edhe një pengesë e vërtetë, ku ata, dhe veçanërsisht gjyshja do të kritikojë dhe nuk do të pëlqejë asnjë nismë që prindërit do të marrin në lidhje me rritjen e fëmijës, dhe sidomos nëse bëhet fjalë për nënën e re. Mungesa e komunikimit të mirë midis dy brezave në më të shumtën e rasteve do të sjellë konflikte në familje, sidomos nëse ata do të jetojnë nën të njëjtën çati, fenomen që haset shumë shpesh në vendin tonë, konflikte të cilat nuk do ta ndihmojnë aspak nënën e re të përshtatet sa më me lehtësi me rolin e ri dhe të kapërcejë frikën që ajo ndien, përkundrazi do të ndikojë në përkeqësimin e saj.
Marrëdhënia nuse-vjehërr, çfarë të bëjmë?
Një marrëdhënie e mirë nuse-vjehërr duket se krijohet me shumë vështirësi, pasi ashtu siç e përmendëm edhe më sipër në vendin tonë ekziston dhe praktikohet në mënyrë të dukshme bashkëjetesa midis brezave e cila duket se nuk është në favor të kësaj. Por, përse ndodh kjo? Pasi nusja e re sjell në shtëpi fëmijën vjehrra fillon ta “udhëzojë” për mënyrën si duhet të sillet me fëmijën edhe pse ndërkohë ajo nuk ja ka kërkuar një gjë të tillë. Nëna e djalit është gjyshja dhe ka një dashuri të madhe për fëmijën e porsalindur, por kjo dashuri dhe eksperienca e saj nuk duhet të ndërhyrjnë në marrëdhënien që nëna e re po përpiqet të krijojë dhe përforcojë me fëmijën e saj. Ajo ka nevojë ta njohë fëmijën, të njohë nevojat e tij, të mësohet me jetën e re, pasi edhe për të ky është një ndryshim shumë i madh. Ekperienca e vjehrrës? Është kjo ekperiencë më me vlerë se instikti i nënës? Aspak! Dhe një gjë të tillë e di çdo grua që është bërë nënë!
E dini se pothuajse çdo grua ka nevojë për nënën e saj në momentet e para pas lindjes së fëmijës, edhe pse mund të ketë një raport gati të përkryer me vjehrrën e saj? Sigurisht që kështu do të ndodhë! Por përse? Kjo ndodh sepse marrëdhënia e gruas me vjehrrën kalon nëpërmjet partnerit të saj, bazohet mbi respektin dhe mund të themi se asnjëherë nuk mund të jetë aq e zhdërvjellët sa ajo që gruaja ka me nënën e saj. Prania e nënës në momentin e pas lindjes do t’i falë gruas që sapo ka sjellë në jetë fëmijën e saj një qetësi shumë të madhe shpirtërore, do t’i japë më shumë siguri për t’u përballur me vështirësitë që mund t’i shfaqen gjatë orëve të para pas lindjes.
Nëse dëshironi të jetoni sa më qetë pasi fëmija juaj ka ardhur në jetë duhet të përpiqeni që me qetësi ta bindni nënën e bashkëshortit tuaj se dëshironi që ajo t’i falë shumë dashuri fëmijës tuaj dhe të jetë e pranishme në rritjen e tij, por vetëm fizikisht, të tjerat t’jua lerë juve në dorë, duke qënë e sigurt se do të përpiqeni të merrni gjithmonë vendimet e duhura për të.
Mbani mend se duhet të përpiqeni të mbani një raport të mirë me të në mënyrë që të ruani ekuilibrin familjar, sidomos nëse jetoni në një shtëpi me të!
Lexo edhe
10 gjerat qe nje vjeherr nuk duhet t’i thote nuses
Si te menaxhojme nje marredhenie jo te mire nuse-vjeherr
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu