Për 8 marsin dhe patetikët që nuk e duan festë!

0 1

Mëngjesin e sotëm u zgjova duke dëgjuar tingujt e këngës “I am woman”  të Helen Reddy. Në dhomën ngjitur vjehrra ime (ajo është më feministe se unë) kishte ndezur radion dhe një emision po transmetonte këngën në fjalë.

Unë jam rritur në një familje tradicionale tipike shqiptare ku femra ka më pak të drejta sesa mashkulli dhe normalisht frymëzohem duke dëgjuar këngë të tilla. (Këtë e them si paralelizëm për të treguar se e njoh dhe e kam përjetuar realitetin e një qyteti të vogël dhe konservator).

U kujtova se sot është 8 marsi dhe para se të nisesha për në punë urova femrat që i konsideroj më të çmuarat në jetën time.

E di që kjo ditë është simbolikë e një proteste të nisur me parrullën “Bukë dhe paqe” ku femrat kërkojnë të drejta të barabarta, por realiteti ynë është shumë larg atij të një shekulli më parë e për këtë arsye nuk kam asgjë kundër atyre që festojnë sot.

Fundja, a nuk kanë luftuar edhe ato gra dikur për arritjet sociale dhe politike që kemi sot në shoqëri?

Ishte e pamundur të mos përballesha në rrjetet sociale sidomos, por edhe në diskutime shoqërore me shprehje patetike të tipit “Po ç’është kjo festë? Sot është ditë proteste!” ose “Shqiptarët i adhurojnë festat komerciale si 8 marsi dhe 14 shkurti”, apo “Dilni protestoni, sot mos shkoni tek Folia për të parë striptistët”.

Paraprakisht më vjen të them se nuk ka asnjë gjë anormale në të shkuarit në një club dhe të shikosh disa meshkuj të kërcejnë thuajse nudo, e sidomos kur kjo shihet tejet normale për burrat që “jargaviten” pas balerinave striptiste.

Por më vjen të them edhe që moralizmat e tepruara për ndërgjegjësim në një ditë si kjo më duken pa vend dhe dëshpërimisht me nota negative, që duan të pengojnë edhe atë pak gëzim që përjetojnë gratë e vendit tonë.

E para sepse këta që kanë akses në rrjetet sociale e këta që diskutojnë nëpër kafene e kanë në dorë të ndryshojnë gjithçka që nuk ju pëlqen në lidhje me padrejtësitë që bëhen për gratë, nënat, shoqet dhe të dashurat e tyre. Të gjithë ne mund ta bëjmë këtë çdo ditë të vitit, jo vetëm sot. Dhe e dyta sepse nuk ka asgjë të keqe që femrat në këtë ditë të “harbohen”, “shfrenohen”, apo çdo lloj folje me konotacion negativ e maskilist, që i vendoset gjerësisht argëtimit të femrave në këtë ditë.

Argëtimi i tyre sot, jo domosdoshmërisht tregon që ato janë shtypur gjatë gjithë vitit, jo domosdoshmërisht tregon se ato kanë marrë leje për këtë ditë nga burrat dhe se për këtë shkak duhet të privohen nga e drejta për të pasur një festë, sikur edhe për faktin që natyra i ka ngarkuar me kaq përgjegjësi.

Unë kam bindjen se kushdo që feston sot është e lirë ta bëjë këtë gjatë gjithë vitit dhe s’ka nevojë për të marrë leje nga askush. Problemi, mendoj, qëndron tek ato që as sot nuk marrin një lule, që as sot nuk kanë të drejtën  të dalin, që as sot nuk e kanë mundësinë për të blerë diçka për veten.

Problemi qëndron në atë pjesë të shoqërisë ku paratë mezi dalin për të thyer urinë e jo më për të menduar për festa. Problemi qëndron tek ata njerëz që nuk kanë kohë të mendojnë për gjëra të tilla të konsideruara si gjëra qejfi, për sa kohë që kanë halle më të mëdha mbi shpinë.

Kjo është ajo që duhet të na shqetësojë çdo ditë të vitit, por sot le t’i lejojmë gratë të festojnë e të argëtohen, të marrin dhurata e të dalin kudo ku kanë dëshirë.

Mua 8 marsi më sjell në mendje sakrificat e nënës sime, të cilën me gjithë jetën e vrullshme që bëj, nuk e falenderoj dot aq sa duhet për ato që ka bërë për mua. Dhe nuk lejoj askënd në këtë botë të më ndalojë me biseda boshe t’i uroj asaj, motrës, vjehrrës apo nuses së vëllait tim “Gezuar festën”.

Ju jeni gjithë energjia, fuqia dhe paqja në tokë. Jeni ju, pastaj është jeta!

“Oh po, jam shumë e mençur, por mençuria ime ka lindur nga dhimbja”, thuhet në tekstin e këngës “I am woman” dhe kjo është arsye për të festuar sot dhe kur të doni ju./ Nga Elena Oshafi






Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu



Materiale te ngjashme

A keni raste te familjarëve...

Nëse ti ose të afërmit e tu jeni prekur nga kanceri i trashëguar, mund të pyesni veten se si mund ta përdorni këto njohuri në të ardhmen dhe të jeni...

Për ty mike që je...

E di… Ndiej padrejtësi tani që po shkruaj për ty. Ndihem fajtore sepse jam një nga gratë me fat. Çdo fjalë që shkruaj më thumbon... Sepse e di. E di...

9 mënyra si t’i tregoj...

Të zbulosh se je shtatzënë është një nga momentet më të rëndësishme të jetës. Është lajmi më i madh i jetës suaj, lajmi që mezi prisni t'i ndani me partnerin...

Shkon në spital me temperaturë...

Mëngjësi i sotëm ka ardhur me një lajm të trishtë për një familje në Elbasan dhe tronditës për gjithë qytetarët. Një vogëlushe 3-vjeçare ka ndërruar jetë në spitalin rajonal të...

Ne kemi reklame ju lutem caktivizoni adblock ne menyre qe te navigoni lehtesisht.
Faleminderit!

A keni një llogari? Identifikohu


Regjistrohu


X

Ndrysho fjalkalimin


X