Një nënë e re ka sjellë në jetë fëmijën e saj të pestë ndërsa nuk ishte fare në dijeni që kishte qenë shtatzënë.
Suzanne Holdsworth, 34 vjeç, nga Wetherby në West Yorkshire ka rrëfyer se e mori vesh që ishte shtatzënë vetëm dy muaj para se të lindte.
Por kjo nuk është hera e parë që gruaja nuk kishte shenja shtatzënie pasi e njëjta histori i kishte ndodhur tre vite më parë kur do të lindte fëmijën e saj të katërt. 34-vjeçarja ka treguar për The Sun se ajo kishte vazhduar të pinte alkool madje edhe kishte humbur dy kilogramë.
Por një ditë ajo filloi të ndihej keq pasi dërgoi djalin dhe dy vajzat në shkollë.
Suzana tregoi:
“Fillova të ndihesha keq dhe kisha një dhimbje të çuditshme në bark. Bëra një dush dhe kjo më ndihmoi por pastaj u ndjeva edhe më keq. Bashkëshorti im mori një ambulancë dhe kur mjekët erdhën nuk po e kuptonin se çfarë nuk shkonte. Pata një dhimbje të tmerrshme dhe u detyrova të hiqja pantallonat që kisha veshur. Mjeku më ndihmoi dhe mbeta me gojë hapur kur pashë që ai po mbante në krahë një foshnjë. Mu deshën pak sekonda për ta kuptuar se ai ishte i imi.”
E njëjta histori duket se do të ndodhte edhe kësaj here sikur gruaja të mos e kishte kuptuar sërish në muajin e shtatë të shtatzënisë.
Ajo tregoi se nuk e di si mund të ketë ndodhur kjo pasi nuk kishte absolutisht asnjë shenjë .
“Kur kam qenë gjashtë muajshe shtatzënë kam punuar shumë për ditën tonë të dasmës, ku edhe fustani i nusërisë më rrinte i gjerë. Pak javë më vonë fillova të ndihesha e lodhur. Në fakt për disa muaj periodat vazhdonin të më vinin por pas këtyre shenjave shkova të blija një test dhe kur pashë që ishin dy vija zemra po më rrihte fort. Mendova se isha vetëm një muajshe por kur shkova tek doktori më tha që isha 7 muajshe. E vetmja gjë që doja në ato momente ishte të dilja jashtë”, ka treguar ajo.
Në javën e 38 të shtatzënisë, Suzana solli në jetë vogëlushen e saj të dashur të cilën e quajtën Araya. “Ajo peshonte pak më tepër se 3 kg, por unë gjatë gjithë kohës kam qenë e frikësuar për shëndetin e saj edhe pse Araya lindi me një peshë normale dhe për më tepër ishte një vajzë shumë e bukur. Megjithatë, unë ende s’mund të besoja se tashmë isha nënë e 5 fëmijëve.”
Lexoni edhe: Mos e lani foshnjen pas lindjes, po shkaterroni mbrojtesen e tij
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu