Tani nuk mund të bëjmë më pa të: kemi nevojë për celularin që të qëndrojmë të lidhur me botën, në një kuptim të gjerë. Smartfoni është pjesë e jetës sonë, nuk na duhet vetëm për të bërë thirrje telefonike, por edhe për të biseduar, kontrolluar mediat sociale, postën elektronike, llogarinë bankare përmes internetit, për të vendosur alarme, për të mbajtur një axhendë kalendarike, me orare takimesh etj.
A është e gjitha kjo normale? Absolutisht jo. Meqenëse kjo varësi ka marrë dimensionin e sëmundjes: nomofobia, domethënë ankthi i gjeneruar nga të mos pasurit me vete telefonin celular. Nuk është një “sëmundje zyrtare” në kuptimin që nuk ekziston në librat shkollorë të psikiatrisë. Të parët që vuajnë prej saj janë adoleshentët.
Mendimi i ekspertit
Nomofobia dhe mënyra e jetesës: Përdorimi i telefonave inteligjentë dhe marrëdhënia me studimin e psikopatologjisë, nxjerr në pah marrëdhënien midis nomofobisë dhe psikopatologjisë. Për studiuesit, ata që përjetojnë më keq distancën nga smartfoni shpesh vuajnë nga simptoma obsesioni dhe madje edhe sulme paniku, në rastet më serioze. Gjithashtu sipas studimit, paniku i telefonit celular mund të lidhet me ndjenjat e pamjaftueshmërisë dhe inferioritetit. Me pak fjalë, edhe nëse nuk ka asnjë diagnozë deri më sot, nomofobia shoqërohet nga një simptomatologji që ekziston.
Shifra alarmante
Në një nivel praktik, autorët e studimit ofruan dy pyetësorë për 495 të rinj midis moshës 18 dhe 24 vjeç, pak më shumë se gjysma (52%) vajza e gra. Pyetësori i parë vlerësoi varësinë ndaj telefonave inteligjentë, tjetri praninë e ndonjë simptome psikopatologjike (ankthi, fiksime, ndjenja të inatit). Rezultati ishte befasues: pjesëmarrësit përdorën telefonët e tyre për 4 deri në 7 orë në ditë gjithsej, më tepër duke lundruar në rrjetet sociale.
Pa dallim gjinie
Analiza zbuloi se sa më shumë pjesëmarrësit e përdornin smartgonin e tyre, aq më i madh ishte stresi që ndienin kur nuk e kishin në dispozicion. Për më tepër, sa më të larta rezultatet e marra nga pjesëmarrësit në hulumtim, për sa i përket obsesionit, aq më e lartë ishte frika për të qenë pa telefon. Sidoqoftë, nuk u shfaq asnjë marrëdhënie midis nomofobisë dhe gjinisë: burrat dhe gratë, të paktën në terma nomofobikë, janë të barabartë.
Ndikimi i vërtetë në jetën e përditshme
Ekziston një ndryshim midis një përdorimi të smartfonit që na lehtëson jetën, për shembull na bën të shikojmë miq në video kur nuk është e mundur të jemi së bashku ose na bën të punojmë më mirë dhe kudo që jemi, dhe një përdorimi që ndërhyn në jetën tonë. Dhe ky lloj i dytë i përdorimit ka më shumë të ngjarë të shkaktojë ankth kur jemi larg telefonit, shpjegon Ana-Paula Correia, profesore e asociuar në Departamentin e Studimeve Arsimore të Universitetit Shtetëror të Ohajos dhe drejtore e Qendrës së Universitetit për Edukimin dhe Trajnimin për Punësim dhe një nga autoret e studimit. Sipas autorëve të hulumtimit, njerëzit më të tensionuar mund t’i shohin telefonët e tyre si mjete të menaxhimit të stresit. “Ky koncept nuk ka të bëjë vetëm me telefonin” – Correia kujton: “Njerëzit përdorin smartfonin për aktivitete të tjera, përfshirë mediat sociale, për të qëndruar të lidhur, për të ditur se çfarë po ndodh me ata që i kanë si modele në jetën e tyre”.
Nomofobia prek më së shumti të rinjtë dhe ata që kanë tendencë të kenë vetëvlerësim të ulët dhe probleme të marrëdhënieve. Ky fenomen është pjesërisht i lidhur me përdorimin e detyrueshëm të mediave sociale.
Lexo edhe: Përdorimi i zgjatur i smartfonit ju shkakton dhimbje koke
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu