Tërmeti i 26 nëntorit tronditi mbarë Shqipërinë, por pasojat më tronditëse padyshim ishin në Durrës dhe Thumanë, aty ku ishte dhe epiqendra. Emisioni “Me Zemër të Hapur”, në News 24, ka prekur sot anën njerëzore të tërmetit 6,4 ballë të shkallës Rihter, i cili la pas jo vetëm një bilanc tragjik viktimash, por dhe një fragment përjetimesh të dhimbshme për shumë të prekur nga kjo fatkeqësi.
Ata që me siguri e përjetuan më keq lëkundjet e frikshme të tërmetit ishin fëmijët. Në një prenoncim dhe njëkohësisht në një rrëfim të dhimbshëm drejtoresha e jetimores “ Shtëpia e Fëmijës” tregon përjetimet e fëmijëve në këtë institucion.
Drejtoresha Mimoza Xhelilaj tregon sesi një vajzë e vogël kërkonte mamin e saj në ato momente frike dhe paniku. “Kishim rastin e një vajze të vogël që thërriste “mami, mami”. Ishte tërmet katastrofal. Ishte frikë, shumë e rëndë”-u shpreh ajo për kamerat e News 24.
Si përfundojnë fëmijët në këtë institucion?
Fëmijët janë me prindër, por ka dhe fëmijë të braktisur. Prindërit kanë probleme të forta ekonomike dhe sociale, divorce, prindër të burgosur apo që marrin drogëra. Në këtë moment ndërhyn shteti, që fëmijën ta mbajë shteti, derisa prindërit të stabilizohen. Ka dhe fëmijë jashtëmartesorë, apo që nuk ua di familja. Punonjëset e kësaj shtëpie janë heroina, ato janë nëna edhe vetë, por kanë lënë familjet e tyre dhe punojnë jashtë orarit për të qenë pranë këtyre fëmijëve.
Çfarë ndodhi në tërmetin e madh të 26 nëntorit?
Në ato momente nuk kishe çfarë të shikoje, errësirë, lëkundje, gjendje e jashtëzakonshme. Gjëja e parë ishte të flisja me ta, më thanë se ishin tronditur jashtë mase. Kishim rastin e një vajze të vogël që thërriste “mami, mami”. Me asistencën e psikologes sikur po e kalon.
Si është menaxhuar këto ditë me pasgoditjet situata?
Fëmijët kanë dashur shumë, e ndjej që duan një grup të madh njerëzish dhe unë kam shtuar stafin. Kanë dashur të kenë lëvizje, i kemi marrë me festa, me lojëra.
A keni psikolog në këto momente pranë shtëpisë së foshnjës?
Kemi psikologun dhe punonjësin tonë social, por edhe organizata ofrojnë psikologë falas.
Mund të më thoni për çfarë keni nevojë sot?
Nuk na mungon gjë, s’mungojnë as veshjet, as ushqimet. Por neve na duhen mjete për t’i konsumuar, lapsa, plastelina, lojëra, si dhe dy karroca deri në 1 vjeç për të shëtitur bebet në kohë të qetë. 2-3 karroca, se aq bebushë kemi, të tjerët i marrim për dore. Pra, duam mjete didaktike. Kemi 4 bebushë, u morën në krah nga kujdestaret kur ra tërmeti. Natën e tërmetit kanë qenë dy kujdestaret e turnit dhe rojet, përjetimi ka qenë dramatik.
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu