8 Marsi, festa e çdo gruaje, festa e çdo nëne! Një ditë e vetme që simbolizon atë që cdo grua është cdo ditë të vitit, atë që ajo jep në çdo moment për familjen dhe fëmijën e saj. Përkujdesja fillon që nga dita e lindjes, nga orët e para të jetës dhe ne ishim pikërisht atje ku fillon gjithçka, në një nga maternitetet e qytetit të Tiranës, në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”!
Stafi i “Për nënat” dhuroi një lule për të pazëvendësueshmen nënë, për të pazëvendësueshme nëna. Ato sapo kishin sjellë në jetë një fëmijë, sapo kishin filluar të njiheshin me rolin e ri që do t’i shoqëronte përgjatë gjithë jetës së tyre, ishte 8 marsi i parë që festonin festën e gruas si nëna!
Emocionet e tyre dukeshin në cdo shikim, por më tepër se to ndoshta ishim të emocionuar ne që shkonim pranë tyre. Vërtet të jesh nënë është diçka e mrekullueshme por edhe të rikthehesh në një vend ku jepet jetë të bën të mendosh edhe njëherë të gjitha ato momente kur ke sjellë në jetë fëmijën tënd!
Mes dëshirës së madhe për të bërë të lumtur një nënë, duke i dhururar asaj diçka simbolike, dhe sigurisht duke i ofruar ndihmë në lidhje më gjithcka që mund të ketë nevojë përgjatë rritjes së fëmijës, ne i kemi uruar mirseardhjen edhe bebushave të tyre me një arush jo më të bukur se vetë ata! Sa krijesa të vogla ishin, strukeshin gati të “pambrojtur” mes gjirit të nënave të tyre dhe gjithçka tjetër dukej se ishte e tepërt, dukej se prishte magjinë që ndodhej mes tyre në atë moment. Ishin momentet e tyre të para bashkë dhe ne i shijuam aq shumë sa shpesh edhe na rrihte zemra fort!
Por mes emocioneve të ardhjes në jetë të një fëmije, na u desh të përjetonim edhe emocionet dhe frikën që ndienin ato gra të sektorit të “Onkologjikut”, ku nënat luftonin me sëmundje të vështira dhe trishtimi dukej sapo hyje në atë pjesë të spitalit. Të dhuronim diçka na bëri të përjetonim dhe shikonim gjithcka nga afër, të shikonim me sytë tanë se si është realiteti i jetës. Se nënat dhe gratë në shoqërinë tonë, në çdo shoqëri, luftojnë çdo ditë për më të mirën, dhe në jo pak raste luftojnë edhe për vetë jetën e tyre! I urojmë të gjithave sërish, shërim të plotë dhe të shpejtë!
Më pas stafi i “pernenat.al” ka takuar dhe dhuruar lule për shumë gra të komunitetit rom që merren me pastrimin e xhamave të makinave në hyrje të rrugës “Tiranë-Durrës”. Sytë e tyre shndërrinin nga gëzimi se dikush po dhuronte dicka për to në një ditë që çdo grua meriton të ndihet e lumtur dhe e vlerësuar. Rruga tashmë na çoi edhe në maternitetin e qytetit të Durrësit. Ai trëndafil i kuq ju dha me shumë dashuri jo vetëm nënave që sapo kishin sjellë në jetë një fëmijë në këtë strukturë, por edhe të gjithë stafit të spitaleve, e madje edhe familjarëve të tyre.
Dhe në fund nuk kishte si të mos dhurohej diçka edhe për ato gra dhe nëna që çdo ditë zgjohen herët në mëngjes, ndërsa ne ndoshta të gjithë jemi në gjumë për të shkuar dhe për të marrë shërbimin. Ato janë në shërbimin tonë, të sigurisë tonë. Ne shkuam edhe pranë punonjëseve të policisë së Komisariatit të qytetit të Durrësit! Në çdo lule që dhuronim ndjenim një emocion të veçantë, ndiheshim mirë sa herë që një zonjë buzëqeshte.
Ne dhuruam diçka. Dhuroni dhe ju sa më shumë të keni mundësi, mos mendoni sa kushton ajo që po dhuroni, mendoni vetëm rëndësinë e gjestit tuaj…
')}
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu