Nje “Frozen” tjeter? O zot, cfare tmerri!

0 0

Një “Frozen” tjetër? O Zot, çfarë tmerri! Të gjitha mamatë që kanë një vajzë jo më pak se tre vjeç e jo më shumë se tetë vjeç, duhet ta njohin mirë torturën “Frozen”. Fustanë me “Frozen”, këpucë me “Frozen”, bluzë me “Frozen”, çarçafë me “Frozen”, libra, revista, gota, filxhanë. Në çdo cep të shtëpisë është ose kukulla Ana ose kukulla Elsa, që të ngatërrohen nëpër këmbë kudo ku shkel. Lëre pastaj ajo kënga që të përndjek gjithë ditën dhe përdredhjet e vajzës tënde të vogël, që të bëjnë ta mallkosh “Disney”-n deri në brezin e shtatë, që nuk u mjaftua me një tufë çupëlinash të cilat o martohen me princa o rashë e vdiqa (dhe për ta bërë këtë janë gati të durojnë edhe bishat e llahtarshme edhe mollët e helmatisura), po shkon e krijon edhe një bionde që kallkanos dynjanë, e që kur vajza as 5 vjeç e imiton, vetëm fëmijë nuk duket më. Për të mos folur pastaj për atë lojën e roleve, ku ti je përherë Ana, babi sigurisht Kristofi dhe vajza është domosdo Elsa, të cilën nuk duhet as të guxosh ta mërzitësh, sepse ajo po të dojë të ngrin e të bën statujë akulli me fuqitë e saj magjike. Dhe meqë ti je aq shpesh “një mama e keqe”, se nuk plotëson teka të tipit: më jep ipad-in të shoh atë lojën me Anën dhe Elsën në You Tube, je e detyruar që gjithë ditën të bëhesh një statujë akulli dhe mjerë ti po nuk ju binde magjisë që lëshohet nga gishtat që të drejtohen gjithë mllef në surrat.

Anën dhe Elsën i ke kudo pullë poste. Pavarësisht se ke mbushur një dhomë plot me fytyrat e tyre, i ke parë të stampuara edhe në vendet më të paimagjinueshme, dyqanet e fëmijëve nuk ngopen së sajuari lloj lloj lodrash e xhingla minglash, mor po edhe varëse e unaza, pasqyra e krehëra që s’i hyjnë në punë as dreqit, gjithëfarë marrëzish që i bëjnë vogëlushet të marrosen edhe më shumë nga sa janë marrosur e mos të ngopen asnjëherë së kërkuari çdo gjë që ka një Anë ose një Elsë ose të dyja bashkë. Nuk ka sfidë më të shpifur kur ti kupton se lojën me dy motrat e ke të humbur sa herë që një turiçkë me sy që i shkëlqejnë të drejtohet me përgjërim “Aaaaaaaahhhhhhh, Ana dhe Elsa. Ma bli, të luteeeeem”. Patjetër që nuk duhet as të mendosh ndonjë ditëlindje të tipit “do shuajmë ca qirinj mbi tortë e do fryjmë ca tullumbace”. Po shoqja e ngushtë, që e solli Elsën me gjithë gërshet të verdhë e fustan bojëqielli në mes të kopshtit? “Dua dhe unë Anën dhe Elsëëëëëën”, të cilat janë sy vajza që kushtojnë jo pak para, e që t’i servir çdo kompani eventesh për fëmijë, që e njeh mirë fuqinë e fustanit bojëqielli dhe asaj parukes së verdhë. Dhe ti i fton në ditëlindje, i paguan sa të duan, blen lloj lloj fustanësh tyli e lloj lloj rraqesh me të famshmen “Frozen”, lexon për të treqindtën herë librin, derisa arrin në atë pikën kur kupton se ti i urren me gjithë shpirt që të dyja motrat dhe lajmi se një “Frozen” tjetër po u realizoka, të duket lajmi më i tmerrshëm, që të ngre qimet e kokës përpjetë. Sigurisht “Disney”, për të zezën tënde, e njeh mirë fuqinë ka ky film i animuar për të konvertuar në para çdo gjë të ka lidhje me dy motrat e famshme. Prandaj i është futur punës për të na i nxirë jetën edhe më shumë dhe për të krijuar një “Frozen” të dytë, që do shfaqet zyrtarisht më 27 nëntor 2019. Ama ky është lajmi që vogëlushen tënde do ta lumturojë aq shumë dhe ti mezi po pret t’ja thuash!

Pergatitur nga Tiranapost.al






Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu



Materiale te ngjashme

Shembujt e ndëshkimeve negative që...

Shkencëtarët e sjelljes përdorin termin "dënim" për të përshkruar veprimet që ulin gjasat që një sjellje specifike të përsëritet. Dhe në atë disiplinë akademike, fjala "negativ" tregon largimin. Pra, nga...

A ka TikTok përmbajtje seksuale...

Mijëra vajza të reja po postojnë përmbajtje seksuale në TikTok për një audiencë prej miliona ndjekësish, duke i lënë ato në mëshirën e “grabitqarëve”në internet. Ka shqetësime në rritje për...

Tri arsye përse notat nuk...

Sistemi arsimor është ndër më të diskutuarit dhe që ka ngjallur shumë pakënaqësi, jo vetëm në vendin tonë, por kudo. Megjithatë, disa koncepte, si për shembull ai i notave, janë...

Barbie thyen klishetë, sjell sirenën...

Nga thellësitë e oqeaneve vjen një lodër e re e gatshme për të zgjeruar konceptin e gjithëpërfshirjes dhe diversitetit: është Ken 'merman', versioni mashkullor i sirenës Barbie. Mattel ka njoftuar...

Ne kemi reklame ju lutem caktivizoni adblock ne menyre qe te navigoni lehtesisht.
Faleminderit!

A keni një llogari? Identifikohu


Regjistrohu


X

Ndrysho fjalkalimin


X