Mosha ku mishi i huaj është më i përhapur është 4-7 vjeç dhe këtu nuk ndikon gjinia e fëmijës, megjithatë nuk mund të përjashtojmë edhe rastet e shfaqjes së mishit të huaj në mosha më të vogla, sidomos para moshës 3-vjeçare. Fëmijët që konsiderohen me mish të huaj në hundë, paraqesin hipertrofi të shprehur të adenoideve. Adenoidet janë pjesë e indit limfoepitelial të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes të cilat vendosen në murin e sipërm të nazofaringut dhe në këtë rast ky ind zmadhohet, gjë e cila shoqërohet me rritjen e imunitetit mbrojtës edhe në zonën e hundës.
Si formohet mishi i huaj?
Në momentin që adenoidet do të bien në kontakt me viruset dhe mikrobet që gjenden në mjedisin e jashtëm do të zmadhohen për të prodhuar më shumë elementë mbrojtës. Në momentin që zmadhimi i tyre do të jetë tepër i madh do të bllokojë frymëmarrjen me hundë.
Faktorët që ndikojnë në këtë patologji
Mund të themi se një rol të rëndësishëm luajnë kushtet e jetesës, ambientit ku fëmija banon, infeksionet e pa kuruara, alergjitë e mundshme, viruset dhe mikrobet etj. Të gjithë këto faktorë do të bëjnë të mundur shtimin e aktivitetit të adenoideve duke shkaktuar problemet në rrugët e frymëmarrjes.
Cilat janë shenjat që fëmija shfaq?
Problemi i parë që haset është vështirësia në frymëmarrjen me hundë, dhe për pasojë ata do të marrin frymë me gojë dhe kjo gjë është më e theksuar gjatë natës ku fëmijët jo vetëm marrin frymë me gojë por edhe gërhasin. Në varësi të kohëzgjatjes, tek fëmija mund të shfaqet edhe apnea (ndërprerja e frymëmarrjes për disa sekonda apo minuta gjatë gjumit). Kjo është një simptomë tepër e rrezikshme për jetën e fëmijës. Gjithashtu fëmija mund të shfaqë edhe ulje të dëgjimit si edhe dhimbje veshi.
Si duhet të bëhet trajtimi i fëmijës?
Në rastet kur zmadhimi është minimal tek fëmija mund të përdoret një solucion me pika ose sprai apo aerosol. Në disa raste mund të bëhet trajtimi me kortizonikë nëpërmjet injeksioneve. Në rastet më të rënda, pra kur masa është tepër e madhe do të kërkohet nga mjeku reduktimi i masës me anën e ndërhyrjes kirurgjikale.
Lexoni edhe: Pse femijet kane dhimbje koke?
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu