Jemi mësuar shpesh që në rrjete sociale të shfaqim anën më të mirë të gjithçkaje, duke krijuar kështu një realitet virtual që s’ka lidhje me atë realin. Aq më tepër kur bëhet fjalë për ditë festive si kjo e sotmja, shohim lule, urime, dedikime e gjithçka mund të lidhet me festën, gëzimin e një dite të tillë.
Nga ana tjetër ndodh shpesh të dëgjojmë e shohim krejt papritur ngjarje të trishta, qe janë në të shumtën e rasteve shfaqje e mllefit të akumuluar prej kohësh dhe befasohemi se si ndodhi kështu kaq papritur? Në fakt jo, nuk është papritur, por janë sjellje e ngjarje për të cilat ne zgjedhim të flasim shumë pak. Ne na pëlqen t’i përdorim platformat tona sociale për t’i treguar botës ku kalojmë pushimet, ku blejmë rrobat, çfarë hamë për drekë, por askush nuk merret me komentet që përmbajnë gjuhë urrejteje, bullizëm, përjashtim. Askush nuk merret me adresat false që i japin të drejtën vetes t’i drejtohen në vetë të parë kujtdo pa asnjë filtër. Që aty fillon urrejtja, diskriminimi, përbuzja dhe pastaj kur këto shprehje të dhunës e mllefit shfaqen edhe në jetën reale, na duken se ndodhin krejt papritur.
Kjo nuk do të thotë se tani duhet të përqendrohemi tek dhuna, urrejtja, bullizmi, diskriminimi, por duhet të ngrejmë zërin kundër tyre për t’i thënë STOP pranimit të tyre si diçka krejt normale. JO, të flasësh me urrejtje, ofendime, nuk është normale! As mos e bëni dhe as mos e pranoni! Kundërshtojeni dhe mundësisht me zë të lartë sa herë t’ju jepet rasti. Është më mirë të reagosh herët e të parandalosh duke u përballur me të keqen më të vogël, sesa të dalësh në protestë për jetë të humbura, për vetvrasje që shpesh lindin nga një konflikt virtual.
Ky ka qenë edhe fokusi i autores së shumë programeve Olsa Muhameti, sot në ditën e grave. Ajo ka zgjedhur që urimin e kësaj dite ta bëjë me një mesazh tepër të fortë për të gjitha vajzat e gratë që e ndjekin.
Nisur nga një mesazhdërguese në llogarinë e saj, e cila përdorte fjalë të rënda, të pahijshme, që mbillnin urrejtje, Olsa Muhameti bën thirrje që përpara se të kërkojmë barazi dhe të drejta nga burrat, duhet të respektojmë e duam më shumë njëra-tjetrën. Ajo thekson se ky publikim s’është vetëm si diçka personale që ka ndodhur asaj, apo për të bërë viktimën, por e trajton çështjen në një konteskt shumë më të gjerë shoqëror.
Mesazhi që i ka ardhur Olsës, është pikërisht shembulli që NUK duhet të ndjekim, ndërsa për fjalë dhe qëndrim si ai i Olsës kemi nevojë më shumë për 8 Mars e për çdo ditë të vitit.
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu