Mesazh nga unë, 24-vjeçarja që ka ende frikë fqinjin fisnik me paterica e zë të ngjirur

0 0

“Mos e prek atë se digjesh, mos u afro aty se të bën pis, jo këtu se të ha gogoli, erdhi xhaxhi polici, po vjen doktoresha me gjilpërë, e dëgjove si trokiti dera, mos atë se është k*akë” janë disa nga “kërcënimet” e shoqëruara me tinguj e pëshpërima të zhurmshme që pothuajse çdo prind ia bën fëmijës së tij sa herë nuk dëshiron ta vrasë mendjen pak sekonda më gjatë për të shpjeguar arsyen e vërtetë përse fëmija nuk duhet të bëjë një veprim, apo çfarë rrezikshmërie paraqet një objekt për të.

Ndoshta kështu janë rritur shumë prej jush, ndoshta kështu po rrisni edhe ju fëmijët tuaj, por ndoshta edhe e keni dëgjuar e lexuar se kjo nuk është mënyra e duhur për t’i thënë fëmijës “jo”. Ndoshta keni lexuar fjalën “argument” si fjalën kyçe të çdo artikulli këshillues për edukimin e fëmijëve. E megjithatë, ka momente që kur ju si prindër dëshironi të vazhdoni të lani enët, të ktheni një përgjigje në mesazh, të mos ndërprisni bisedën me një shoqe, zgjidhni të mos i jepni fëmijës argumente përse nuk duhet të prekë prizën, por i thoni vetëm “xiiiiix”, duke i shkaktuar trembje të sigurt për atë moment, por me shumë mundësi edhe për të ardhmen, sa herë t’i afrohet një prize.

Kështu jam rritur edhe unë.

Tani që mendohem, kjo mund të jetë një nga arsyet përse kam fobi lartësitë. Sepse njëherë jam rrëzuar nga tarraca e një shtëpie, kur isha nën kujdesin e një kushërire dhe ajo, nga frika se mund ta qortonin prindërit e mi, më këshilloi të mos tregoja, pasi mami do më jepte dajak po të mësonte se kisha hipur atje lart, sepse ishte gabim i madh. Unë sigurisht nuk tregova dhe nuk guxova më të hipja në vende të larta. Ende sot i kam shumë frikë dhe kur ndodhem në ambiente të tilla nuk shikoj kurrë poshtë se dikur më mësuan se ishte gabim.

Ndoshta kjo është arsyeja edhe përse kam fobi ujin dhe ende në moshën 24 vjeçare nuk e di notin. Po, më kujtohet shumë mirë pusi në oborrin e shtëpisë së tezes sime (që e kisha edhe fqinj e për këtë arsye e vizitoja çdo ditë), të cilit e kisha të ndaluar në mënyrë kategorike t’i afrohesha. Sot që jam e maturuar arrij ta kuptoj qartë arsyen, se pusi më vinte jetën në rrezik, por ende më ngjall ndjesi negative kur kujtoj që më thoshin se nga pusi del gogoli.

Ndoshta prandaj e kam ende frikë errësirën, sepse më kujtohet që gjatë natës, për hardhinë në tarracën e shtëpisë përballë, më thoshin se është trupi i kërrusur i një hajduti e për këtë arsye duhet të flija.

I qëndroj fort mendimit se ky stil edukimi më ka ndikuar në shumëçka jam sot, por po nga të njëjtët edukues më është ngulitur thellë në qenien time edhe toleranca dhe të gjitha episodet e mësipërme kam arritur t’i mirëkuptoj (edhe pse ende luftoj çdo ditë për t’i tejkaluar).

Vetëm diçka nuk kam gjetur ende forcën t’ua fal.

Mua nuk më “kërcënonin” vetëm me gogola, doktorë, gjilpëra, djegie, k*akë e pis. Një nga episodet e përsëritura, që sot e quaj traumën më të madhe të fëmijërisë, për mua ka qenë kërcënimi duke përdorur një njeri konkret.

– Haje se erdhi xhaxhi J!

– Mos qaj se të dëgjon xhaxhi J!

– Mos dil në vapë se vjen xhaxhi J!

Xhaxhi J ishte një zotëri fisnik në lagjen time, fati i të cilit nuk kishte qenë aq bujar. Vite më parë ai kishte bërë një aksident dhe pasojat e tij i vuan edhe sot. Ai ecën me dy paterica dhe për shkak të një operacioni që ka bërë në fyt, zëri i del i ngjirur, i çuditshëm (dhe për një fëmijë që sapo ka filluar të komunikojë mund të jetë edhe i frikshëm).

Për këtë arsye, kushdo që mund të shpenzonte disa orë të ditës me mua, familjarët, tezja, kunata e saj, komshiet tona (duke qenë se jam rritur në një qytet të vogël ku komuniteti i lagjes ishte shumë ndërveprues, ishin të shumtë personat që kujdedeseshin për mua përveç prindërve), sa herë nuk u bindesha për diçka, e kishin fjalën gati. Mjafton të më përmendin xhaxhi J dhe unë bëja gjithçka që më thoshin.

Nuk mbaj mend sa herë ka ndodhur të ndërroj rrugën nëse dëgjoja patericat ose zërin e xhaxhi J disa metra më tutje, fare pa e parë. Nuk mbaj mend sa herë jam kyçur në dhomë kur ai vinte për vizitë në shtëpinë tonë dhe gëzohesha që të paktën nuk mund të ngjiste shkallët e rrinte në fund të tyre. (Kur e kujtoj sot më duket vetja çnjerëzore që një fatkeqësi e tillë e dikujt tjetër tek unë ngjallte gëzim. Por unë isha fëmijë. Një fëmijë i frikësuar! Ndoshta frika na bën instinktivë dhe nuk na lë as kohë as kapacitet për të menduar dhe unë thjesht gëzohesha që ai nuk ngjiste dot shkallët). Por, kishte raste kur zëri i tij më dukej se vinte pak më afër dhe kisha frikë mos hynte në dhomë, edhe pse e kisha kyçur. Nuk mbaj mend sa herë kam ndërtuar skenare në kokën time sesi mund të dilja nga dritarja nëse ai vinte brenda, dhe pse dritarja ishte me hekura, të cilët nuk e nxinin trupin tim.

Mes gjithë kësaj situate që nuk di ç’emër t’i vë, sepse është edhe e turpshme edhe e dhimbshme edhe abuzuese njëkohësisht, do të doja që të paktën të thoja se në X periudhë gjithçka mbaroi. Por nuk e them dot, sepse nuk ka mbaruar. Nuk mbaroi as kur unë u bëra adoleshente. Unë vazhdoja të kisha frikë njësoj nga xhaxhi J. Nuk mund të harroj ditën e ftohtë të dimrit kur ai po bënte shëtitjen e tij të zakonshme me paterica dhe shalli që kishte vendosur në fyt që duhet ta mbronte për shkak të operacionit, i ra pjesërisht duke iu varur përpara trupit. Ai nuk mund ta rregullonte sepse po të hiqte dorën, do t’i binte paterica. Më kërkoi ndihmë mua. Po, ajo që unë kisha pasur frikë gjithë jetën, ndodhi. Unë u përballa fizikisht, shumë afër me të. E dini çfarë bëra? Nuk shkova.

Po, e di që po mendoni se jam e pedukatë, që nuk kam dhembshuri e humanizëm, por më besoni nuk është ashtu. Unë në atë moment u ndjeva më keq se ai që padashje u injorua, por nuk munda. Frika më pushtoi, duke shfaqur edhe pasojat e saj fizike në trupin tim. M’u prenë gjunjët, u rrëqetha, më dukej sikur ndieja çdo pikë gjaku që më kalonte në vena dhe nuk pata guxim të hidhja asnjë hap, as drejt tij për ta ndihmuar, as në drejtim të kundërt për t’ju shmangur. U mpiva. Frika, keqardhja, pendesa, dhembshuria, turpi kishin zënë vend e ishin bërë një tek unë në ato çaste. Për fat të mirë, kushërira ime bashkëmoshatare ndodhej pranë meje dhe shkoi për t’i rregulluar shallin. Më lehtësoi shumë pak fakti që ai e mori ndihmën që i nevojitej.

Mund të tingëllojë çuditshëm, por unë ende sot kam shumë frikë nga xhaxhi J. Po, po nëse e vetmja mënyrë që të më besoni është që të betohem, atëherë ju betohem: kam frikë. Më priten njësoj gjunjët, më shpeshtohen njësoj rrahjet e zemrës, e ndiej ende njësoj gjakun në vena sa herë dëgjoj çak-çukun e patericës së xhaxhi J, apo sa herë dëgjoj tingullin e ngjirur të zërit të tij.

Ende sot nuk e përshëndes kurrë kur shkëmbehem me të, as nëse jam me prindërit dhe ata i flasin. Ende sot po të mundem ta shmang, ndërroj rrugë, ose nëse nuk mundem, bëj sikur flas në telefon. Po, njësoj si atëherë kur nga frika e tij mbaroja gjithë pjatën, pushoja së qari, nuk dilja në vapë etj etj.

Dhe e dini çfarë më dhemb më shumë nga gjithë kjo histori? Nuk më dhemb trauma ime, por mesazhi shumë i gabuar, çnjerëzor që unë duhet t’i trembesha një personi, sepse ai kishte vështirësi fizike.

Ju lutem, mos e bëni këtë me fëmijët tuaj.

Unë, 24-vjeçarja që ka ende frikë fqinjin me paterica dhe zë të ngjirur.

Lexo edhe: Si t’ja largoj fëmijës frikën nga errësira?

A do te shkoni me pushime verore kete vere?

  • Jo, nuk do te shkojme (44%, 559 Votes)559
  • Po, do t'i kalojme ne Shqiperi (27%, 339 Votes)339
  • Do te shkojme, por ende nuk e kam vendosur se ku... (18%, 236 Votes)236
  • Po, do te shkojme jashte Shqiperise (11%, 144 Votes)144

Total Voters: 1 278

Loading ... Loading ...





Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu



Materiale te ngjashme

A keni raste te familjarëve...

Nëse ti ose të afërmit e tu jeni prekur nga kanceri i trashëguar, mund të pyesni veten se si mund ta përdorni këto njohuri në të ardhmen dhe të jeni...

Për ty mike që je...

E di… Ndiej padrejtësi tani që po shkruaj për ty. Ndihem fajtore sepse jam një nga gratë me fat. Çdo fjalë që shkruaj më thumbon... Sepse e di. E di...

9 mënyra si t’i tregoj...

Të zbulosh se je shtatzënë është një nga momentet më të rëndësishme të jetës. Është lajmi më i madh i jetës suaj, lajmi që mezi prisni t'i ndani me partnerin...

Shkon në spital me temperaturë...

Mëngjësi i sotëm ka ardhur me një lajm të trishtë për një familje në Elbasan dhe tronditës për gjithë qytetarët. Një vogëlushe 3-vjeçare ka ndërruar jetë në spitalin rajonal të...

Ne kemi reklame ju lutem caktivizoni adblock ne menyre qe te navigoni lehtesisht.
Faleminderit!

A keni një llogari? Identifikohu


Regjistrohu


X

Ndrysho fjalkalimin


X