Kujdesi i pergjithshem i vetes tuaj

0 0

Ushtrimet
Përgjithësisht duhet të themi se ushtrimet e moderuara fizike janë të pranueshme gjatë shtatëzanisë, por pas tyre ju duhet të pushoni të paktën për 1-2 orë. Sportet e rrezikshme dhe ushtrimet fizike të sforcuara duhet të shmangen. Ushtrimet në klasa me punonjës të specializuar dhe ushtrimet aerobike janë gjerësisht të përdorshme dhe mjaft të dobishme gjatë shtatëzanisë.
Nëse keni praktikuar ushtrime aerobike para shtatezanisë, mund t’i vazhdoni ato edhe gjatë saj. Mund të themi pa ngurrim se shumë probleme për ju dhe fëmijën gjatë shtatëzanisë mund të vijnë si pasojë e një jete jo aktive, pa lëvizje.
Punësimi
Nëse keni një punë jo të lodhshme, qe kerkon pak lëvizje, mund të vazhdoni të punoni normalisht edhe gjatë shtatëzanisë. Puna që kërkon aktivitet të madh fizik dhe lodhje trupore, kërkon vlerësimin e mjekut gjinekolog, për të vendosur vazhdimin e mëtejshëm. Duhet pasur parasysh që çdo grua ka gjendje shtatëzanie të ndryshme dhe tolerancë të ndryshme ndaj aktivitetit fizik.
Aktiviteti fizik rrit punën e zemrës si edhe nevojën për oksigjen të nënës, duke ulur në të njëjtën kohë prurjen e oksigjenit në placentë, për pasojë ulet oksigjeni qe shkon për beben.
Aktualisht në Shqipëri, nuk kemi të dhëna apo studime të sakta rreth punësimit te grave shtatëzana, por dihet që në përgjithësi gratë në vendin tonë edhe gjatë shtatëzanisë bëjnë punë të rënda fizike, gjë e cila mund të sjellë në përfundim tragjik të shtatëzanisë.
Nga ana tjetër, studimet kanë treguar se pesha e bebeve të lindura nga nëna që bëjnë punë të rënda, është deri në 400 gram më e vogël se ajo e bebeve, nënat e të cilave bëjnë punë normale, apo nuk kanë punuar fare.
Gjithashtu, nëse keni punë me qendrim të gjatë në këmbë, jeni në rrezik më të madh për lindje para kohe, sesa gratë me punë të tjera. Është mirë që t’i shmangni punët e rënda, si edhe t’ju sigurohen periudha të përshtatshme pushimi gjatë ditës. Nëse keni pasur probleme dhe komplikacione gjatë shtatëzanive të mëparshme, duhet të shmangni punët dhe lodhjen fizike.
Udhëtimet
Udhëtimi me tren, avion apo me makinë, nuk ka efekte të dëmshme gjatë shtatëzanisë, më i dëmshëm mund të jetë largimi nga mjeku, i cili ndjek shtatëzaninë. Natyrisht udhëtimet e gjata duhet të bëhen me leje të mjekut dhe pasi të jenë marrë masat e duhura për çdo lloj problemi që mund të shfaqet gjatë udhëtimit.
Çdo gjë varet edhe nga mosha e shtatëzanisë në momentin e udhëtimit. Kujdes duhet në rastet e udhëtimeve me makinë, kur rrugët nuk janë në gjendje të mirë. Në këto raste rekomandohet një shpejtesi mesatare dhe shmangia e sipërfaqeve me gropa.
Banjat
Gjatë shtatëzanisë banjat janë më se të rekomandueshme. Vetëm në tremujorin e tretë nuk rekomandohen banjat në vaskë me ujë shumë të ngrohtë, sepse mund të sjellin marrje mendsh dhe gjendje të fikti.
Veshja
Gjatë shtatëzanisë rekomandohen veshje të lehta, praktike dhe të rehatshme. Nuk duhet të përdoren veshje të shtrënguara, por sa më të lirshme, sepse pengohet qarkullimi i mirë i gjakut.
Veshjet këshillohen të jenë prej pambuku. Rritja e masës së gjoksit, kërkon përdorimin e të brendshmeve të lirshme, me numër më të madh se më parë, te cilat gjithashtu duhet te jene prej pambuku. Nuk këshillohen këpucë me taka të larta apo të ngushta. Ato duhet të jenë sa më të rehatshme, për të mos e bërë ecjen të lodhshme.
Probleme të tretjes dhe të jashtëqitjes
Gjatë shtatëzanisë jashtëqitja fillon të çrregullohet, si pasojë e lëshimit të muskulaturës së lëmuar, shtypjes së mitrës mbi zorrën e trashë në fillim të shtatëzanisë dhe në fund të saj. Përveç bezdisjes së shkaktuar nga kapsllëku, kalimi i feceve nëpër zorrën e trashë mund të shkaktojë çarje të dhimbshme të saj dhe të japë hemorragji nga zorra e trashë. Nëse nuk keni pasur probleme të tilla gjatë shtatëzanisë, mund ta shmangni këtë gjendje me shtimin e lëngjeve, ushtrimeve jo të rënda fizike, dhe kur është e nevojshme mund të përdorni laksativë ( ilaç kundër kapsllëkut ) të lehtë.
Marrëdhëniet seksuale
Ka gjithmonë një dyshim se marrëdhëniet seksuale gjatë shtatëzanisë mund të shkaktojnë abort apo lindje para kohe. Natyrisht nëse pas një kontakti të tillë vërehet hemorragji vaginale apo dhimbje të forta të barkut, ky rrezik bëhet i dukshem.
Në fakt, mendimi se kontaktet seksuale gjatë shtatëzanisë janë të dëmshme për ju apo fëmijën, duhet të zhduket një herë e përgjithmonë. Kontaktet janë të ndaluara vetëm në rastet kur rreziku për abort apo lindje para kohe është i vërtetuar nga mjeku specialist gjinekolog.
Pranohet gjerësisht nga të gjithë specialistët se për gra të shëndetshme dhe shtatëzani pa rrezik, marrëdhëniet seksuale nuk janë të dëmshme.
Edhe në muajt e fundit të shtatëzanisë, marrëdhëniet seksuale nuk janë të ndaluara. Megjithë studimet e shumta, nuk është gjetur lidhje midis lindjes para kohe dhe shpeshtësisë së kontakteve seksuale. I vetmi problem mbetet gjetja e pozicionit të duhur, sidomos në muajt e fundit të shtatëzanisë.
Shpëlarjet vaginale
Shpëlarjet vaginale mendohet të përdoren vetëm kur janë të domosdoshme, sepse shpesh mund të jenë të dëmshme, ndonjëherë edhe nga keqpërdorimi. Ato përdoren kur ka sekrecione të shtuara vaginale, të cilat tregojnë se gruaja ka një infeksion vaginal, apo kur janë të rekomanduara nga mjeku.
Sidoqoftë nuk duhet përdorur “poire” ( pompë, e cila çon material të lëngët me presion ) llastiku, dhe nuk duhet të futet kanjula ( maja e kësaj pompe ) më thellë se 6-7 cm brenda në vaginë.
Kujdesi për dhëmbët
Mjaft protokolle të ndjekjes para lindjes përfshijnë edhe kontrollin rutinë të dhëmbëve. Koncepti se shtatëzania e rëndon prishjen e dhëmbëve, ende nuk është i vërtetuar.
E vetmja gjë që dihet me siguri është se gjatë shatëzanisë ju keni më shumë nevojë për kalcium, mungesa e të cilit mund të sjellë dëmtime të dhëmbëve. Procedurat normale me anestezi lokale mund të kryhen gjatë shtatezanisë pa problem, ndërsa ndërhyrjet më të vështira të cilat kërkojnë anestezi më të thellë, është mire të shtyhen për tremujorin e dytë të saj. Në rastet e infeksioneve të rënda të dhëmbëve, të quajtura absese, trajtimi me antibiotikë është i domosdoshëm, por ky i fundit duhet të zgjidhet në bashkëpunim me gjinekologun.
Kujdesi për gjoksin dhe barkun
Kujdesi për thithat e gjirit është shumë i rëndësishëm. Ndërsa përdorimi i kremrave të ndryshëm për lyerjen e gjirit apo barkut për të parandaluar strijat ( të çarat e lëkurës ), nuk është i provuar nga asnjë studim shkencor.
Në përgjithësi përhapja e këtyre strijave përputhet me rritjen e mitrës dhe shtimin në peshë të nënës.
Këtu duhen parë edhe mundësitë e parandalimit të tyre. Tani po diskutohet gjithnjë e më shumë se rritja e konsumit të lëngjeve nga gruaja shtatezanë, luan një rol shumë të madh në parandalimin e strijave, madje shumë më tepër se kremrat apo vajrat e kushtueshme.






Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu



Materiale te ngjashme

Pse çdo grua shtatzënë duhet...

Anomalitë gjenetike mund të ndodhin në çdo shtatzëni, prandaj testi NIPT është i rëndësishëm për çdo grua shtatzënë, pavarësisht nga mosha e saj apo risku i predispozitës gjenetike. Ekspertët mjekësorë...

MËSONI MË SHUMË PËR TESTIN...

A e dini se mund të zbuloni nëse fëmija juaj është i shëndetshëm që në javën e 10-të të shtatzënisë? Ju mund ta zbuloni shëndetin gjenetik të foshnjës tuaj gjatë...

Jo çdo NIPT është NIFTY

"Çfarë është testi NIFTY? A janë NIPT dhe NIFTY e njëjta gjë? A ka rëndësi se cilin të zgjedhësh? Këto janë të gjitha pyetjet me të cilat përballen shumë gra...

Gjithçka që duhet të dini...

Testi NIFTY nga GenePlanet u mundëson prindërve të ardhshëm të mësojnë më shumë për shëndetin e foshnjës së tyre ndërkohë që ai ose ajo është ende në mitër. Në këtë...

Ne kemi reklame ju lutem caktivizoni adblock ne menyre qe te navigoni lehtesisht.
Faleminderit!

A keni një llogari? Identifikohu


Regjistrohu


X

Ndrysho fjalkalimin


X