Koha e kaluar para ekranit e zhvillon apo e pengon të folurën e fëmijës?

0 0

Koha që fëmija kalon përpara ekranit të pajisjeve teknologjike mund të përfshijë kohën pasive të ekranit, si për shembull shikimin e një videoje, ose kohën aktive para ekranit, siç është luajtja e një loje, ku ka elemente ndërveprimi. Përdorimi i ekraneve dhe pajisjeve dixhitale është rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit dhe po evoluon me shpejtësi në aspektin e përdorimit për shoqërim, arsim dhe industri. Mosha mesatare e fëmijëve që kanë një telefon inteligjent tani është 9 vjeç dhe fëmijët gjithnjë e më të vegjël kanë akses të shpeshtë në ekrane.

Prindërit dhe profesionistët kanë shprehur nevojën për udhëzime të qarta për përdorimin e kohës para ekranit, për shkak të sasisë së madhe të informacionit anekdotik në internet që deklaron efektin e dëmshëm të përdorimit të ekranit në zhvillimin e fëmijëve. Në mënyrë shqetësuese ky informacion mund të interpretohet lehtësisht si provë reale kundër përdorimit të ekraneve me fëmijë dhe shpesh perceptohet një negativitet ndaj përdorimit të tyre. Por çfarë thonë në fakt provat?

Për Mbretërinë e Bashkuar, Kolegji Mbretëror i Pediatrisë dhe Shëndetit të Fëmijëve publikoi një udhëzues në janar 2019, i cili përmbledh dëshmitë e ndikimit të kohës para ekranit në shëndet dhe ofron këshilla për prindërit dhe profesionistët. Ata zbuluan se megjithëse ka prova për një lidhje midis kohës para ekranit dhe obezitetit dhe simptomave depresive, është e vështirë të përcaktohet një shkak i drejtpërdrejtë. Lidhja midis përdorimit të ekranit dhe rezultateve arsimore u zbulua të ishte edhe më e dobët. Ata arritën në përfundimin se provat për një efekt të dobishëm ose të dëmshëm të kohës para ekranit janë në përgjithësi shumë të dobëta dhe si rezultat ata aktualisht nuk janë në gjendje të bëjnë rekomandime për kufizimet e kohës para ekranit për fëmijët.

Në të kundërt, në Kanada dhe SHBA, ekspertët bëjnë rekomandime për kufizimet e kohës para ekranit. Ata këshillojnë që fëmijët të mos përdorin ekranet para se të jenë të paktën 18 muajsh dhe se fëmijët nga 2 deri në 5 vjeç duhet të kenë kohë të kufizuar para ekranit, më pak se 1 orë në ditë. Megjithatë, këto udhëzime janë kritikuar se nuk janë plotësisht të bazuara në prova. Provat e dëmit që shkaktohet shpesh mbivlerësohen dhe ka një fokus në rreziqet e mundshme të përdorimit të ekraneve, në vend të përfitimeve të mundshme.

Si rezultat i kësaj këshille kontradiktore, ka pasur thirrje për kërkime të mëtejshme për të eksploruar efektet e kohës para ekranit në shëndet dhe mirëqenie. Dy studime të publikuara këtë vit kanë shqyrtuar në mënyrë specifike ndikimin e kohës para ekranit në zhvillimin e gjuhës.

Një studim i përfunduar në Francë (Collet et al 2019) zbuloi se fëmijët e ekspozuar ndaj ekraneve në mëngjes para çerdhes ose shkollës, kishin tre herë më shumë gjasa të zhvillonin një çrregullim gjuhësor. Ata panë ekspozimin ndaj ekraneve në periudha të ndryshme të ditës dhe ekspozimi në mëngjes ishte më i lidhur me vështirësitë gjuhësore. Hulumtimet e mëparshme kanë treguar ndikimin e aktiviteteve me ritme të shpejta në funksionin ekzekutiv te fëmijët, duke i emocionuar dhe rraskapitur ata, kështu që autorët kanë hehdur hipotezën se ekspozimi në ekran në mëngjes mund të ndikojë në aftësinë e fëmijëve për të marrë njohuri dhe për të mësuar për pjesën tjetër të ditës.

Një studim tjetër i përfunduar në Kore (Moon et al 2019) shqyrtoi marrëdhënien midis përdorimit të telefonave inteligjentë dhe/ose tabletave dhe zhvillimit të gjuhës. Në mënyrë të ngjashme, ata zbuluan se me rritjen e kohës para ekranit, aftësitë gjuhësore shprehëse u ulën për fëmijët 3-vjeçarë. Studimi rekomandon që koha e përdorimit të ekranit të reduktohet për të përmirësuar zhvillimin e gjuhës tek fëmijët.

Megjithëse këto studime tregojnë një ndikim të mundshëm të përdorimit të ekranit në zhvillimin e gjuhës, nevojiten kërkime të mëtejshme për të ndërtuar bazën e provave rreth kësaj çështjeje. Pra, ndërsa presim udhëzime të qarta për kufijtë e kohës para ekranit, çfarë këshillash duhet t’u japim prindërve?

Sigurohuni që të ketë një ekuilibër të kohës para ekranit dhe aktiviteteve të tjera

Një nga arsyet e hipotezuara për efekte të mundshme të dëmshme është se përdorimi i ekraneve mund të zvogëlojë kohën për aktivitete të tjera pozitive dhe të rëndësishme, si gjumi, ushtrimet dhe koha e kaluar duke ndërvepruar me të tjerët. Rekomandimi kryesor i bërë nga Kolegji Mbretëror i Pediatrisë dhe Shëndetit të Fëmijëve është që familjet të negociojnë kufizimet e kohës para ekranit bazuar në nevojat e fëmijës, mënyrat në të cilat përdoren ekranet dhe shkalla në të cilën përdorimi i ekraneve redukton kohën për aktivitetet fizike e sociale dhe gjumin. Ne e dimë se mënyra më e mirë për të zhvilluar aftësitë gjuhësore dhe të komunikimit të fëmijëve është përmes ndërveprimeve të përditshme ballë për ballë, për shembull gjatë kohës së banjës, kohës së ngrënies ose shkuarjes në park, prandaj është e rëndësishme që ndërveprimet ballë për ballë të kenë përparësi. Është gjithashtu e rëndësishme që prindërit të marrin në konsideratë nëse përdorimi i tyre i një ekrani ose pajisjeje inteligjente po bllokon një mundësi të mundshme për ndërveprim ballë për ballë me fëmijën.






Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu



Materiale te ngjashme

Kur ke një fëmijë në...

Nëse ti ke një fëmijë Ujor, ja cfarë duhet të dish..: UJORI (21 janar - 19 shkurt) Ky fëmijë do të jetë gjithmonë origjinal. Ai është një novator i lindur...

A duhet të trajtohen dhëmbët...

Të mendosh se dhëmbët e qumështit, si të përkohshëm, nuk duhen mbrojtur është gabim. Jo vetëm që duhen larë me kujdes, por duhet pasur kujdes edhe në rast problemesh. Përndryshe...

Ilaçe të reja për trajtimin...

Gjithnjë e më shumë të rinj po vuajnë nga problemet e astmës, sëmundje që në situata të caktuara vështirëson frymëmarrjen. Deri më tani, trajtimi i astmës tek fëmijët bazohej te...

Kukulla për fëmijë, 6 sugjerime...

Më poshtë kemi përgatitur një listë me gjashtë flimat vizatimorë më të përshtatshëm e të bukur për t'i parë fëmijët tuaj gjatë periudhave të festave e pse jo edhe natën...

Ne kemi reklame ju lutem caktivizoni adblock ne menyre qe te navigoni lehtesisht.
Faleminderit!

A keni një llogari? Identifikohu


Regjistrohu


X

Ndrysho fjalkalimin


X