Karakteristikat e qumeshtit artificial

0 0

Duhet theksuar gjithmonë se qumështi i gjirit është ushqimi më i mirë për fëmijën, kjo jo vetëm në aspektin ushqyes por edhe ate psikologjik, pasi mundëson krijimin e një marrëdhënie shumë të ngushtë nënë-fëmijë. Por, megjithatë jo në të gjitha rastet nëna mundet ta ushqejë me gji fëmijën e saj, për shumë arsye si për shembull një sëmundje e nënës, sasi jo e mjaftueshme qumështi (edhe pse ndodh rrallë), apo thjesht për arsye të tjera personale.
Zëvendësuesi në të tilla raste është qumështi artificial, i cili është alternative më e mirë, pasi garanton një ushqyerje të mirë të fëmijës.
Por, si është i përbërë qumështi artificial?
– Vlerat ushqyese dhe kaloritë që qumështi artificial përmban janë të llogaritura në bazë të moshës së fëmijës;
– Të gjithë llojet e qumështit artificial duhet të prodhohen në bazë të normës europiane 91/321/CE, sipas së cilës duhet t’i përmbahen përbërësve të hartuar në dokumenta, kjo për të gjitha kategoritë e qumështit (qumështi fillestar, qumështi numër 2, numër 3 etj).
Qumështi i muajve të parë (numri 1)
Ky lloj qumështi është i përshtatshëm për fëmijët deri në muajin e 6-të të jetës. Që të prodhohet ky qumësht bëhet eleminimi i elementëve jo ushqyes si edhe ato që janë cilësuar si jo të përshtatshëm për fëmijët e vegjël, nga qumështi i lopës ose ai me natyrë vegjetale. Ky lloj qumështi është prodhuar në mënyrë të tillë që të përmbushë nevojat e fëmijës gjatë muajve të parë, i cili gjatë kësaj kohe duhet të shtojë në peshë rreth 200 gr në javë.
Pjesa e izoluar e qumështit të lopës më pas integrohet brenda substancave të tjera të cilat konsiderohen të rëndësishme për rritjen e fëmijës si karnitina, e cila është e përfshirë në metabolizmin e acideve yndyrore si edhe inositoli i cili përfshihet në proçesin e formimit të membranave qelizore.
Produkti përfundimtar gjendet në formë pluhuri me përmbajtje të vogël kripe, i cili më pas shkrihet në ujë. Mund të gjendet edhe në formë të lëngshme.
Cilat janë substancat kryesore që ndodhen në përbërjen e qumështit fillestar, krahasuar me qumështin e lopës?
– Kazeina (proteinë e qumështit)
Struktura e saj është modifikuar në mënyrë të tillë që laktantit të mos i shkaktojë kriza kapsllëku, kolika dhe alergji.
– Përmban acide yndyrore të cilat janë më të tretshme për organizmin e fëmijës;
– Përmban sheqerna më të absorbueshme nga organizmi i fëmijës;
– Kripërat e natriumit, kalçiumit dhe fosforit janë të përshtatura në mënyrë të tillë që të sigurojnë një aktivitet elektrolitik në përputhje me zhvillimin e veshkave së të porsalindurit. Prania e këyre kripërave shmang shfaqjen e çrregullimeve në sistemin muskulor, nervor si edhe çrregullimet e zemrës, të cilat mund të jenë serioze.
– Beta-latoglobulina dhe latoalbumina mundësojnë uljen e rrezikut të alergjive;
– Përmban vitamina dhe minerale të shtuara të cilat janë të rëndësishme për rritjen dhe zhvillimin e fëmijës.
Duhet theksuar se jo gjithmonë kërkesat e ligjit garantojnë siguri në këtë produkt. Në disa raste prodhuesit për t’ju përshtatur parametrave të kërkesave ligjore në aspektin proteinik, mund të shtojnë melaminën, e cila është një derivat industrial me përmbajtje të lartë azoti, shumë e dëmshme për shëndetin e fëmijëve të vegjël.
Qumështi i vazhdimësisë (numri 2)
Ky qumësht është prodhuar për t’ju përshtatur kërkesave të fëmijëve nga muaji i 6-të deri në të 12-të. Në krahasim me qumështin e muajve të parë ky qumësht është prodhuar nga modifikimi më pak i ndjeshëm i qumështit të lopës. Ai është pasuruar me minerale të tilla si hekuri, bakri, natriumi, kaliumi, kalçiumi, magnezi dhe fosfori. Në këtë fazë rritja e fëmijës merr karakteristika të ndryshme nga faza e parë. Tani fillojnë të zhvillohen muskujt, vërehet zgjatja e kockave, fëmija fillon të lëvizë dhe për pasjoë ai ka nevojë për më shumë energji. Qumështi i vazhdimësisë përmban më shumë kalori, yndyrna, karbohidrate dhe kripëra minerale.
Përmbajtja e duhur e kalorive kontrollohet nga “European Society of Pediatric Gastroenterology, Hepatology and Nutrition” (Shoqata europiane pediatrike e shëndetit dhe ushqyerjes), e cila është një komision që përditëson në mënyrë të vazhdueshme parametrat e qumështit artificial në bazë të studimeve që i bëhen qumështit të gjirit.
Ky lloj qumështi shoqëron ushqyerjen e fëmijës, e cila bëhet me fruta, perime, mish etj.
Qumështi për nevoja të veçanta
Në treg gjenden disa lloje qumështi të cilët i përgjigjen nevojave të veçanta të ushqyerjes së fëmijës.
Si janë të ndarë ata dhe cfarë përbërje kanë?
– Qumështi hipoalergjik(kundër alergjive)
Ky qumësht nuk ka në përbërjen e tij proteina të qumështit të lopës. Ato janë të zëvëndësuara nga aminoacide të thjeshta dhe peptide. Ai rekomandohet në rastet kur fëmija shfaq alergji apo intoleranca të tjera të dukshme.
– Qumështi i sojës
Qumështi i sojës rekomandohet në rastet kur është vërtetuar që fëmija është alergjik ndaj qumështit të lopës si edhe në rastet kur dyshohet. Proteinat e qumështit të lopës zëvendësohen nga soja dhe yndyrnat nga një përzierje vajrash vegjetalë. Ky qumësht nuk përmban laktozë dhe sakarozë.
– Qumështi pa laktozë
Ai rekomandohet për fëmijët të cilët kanë shfaqur intolerancë ndaj laktozës dhe sheqerit. Qumështi i lopës trajtohet me enzimën përgjegjëse për tretjen e laktozës në subjektet e rrezikuara. Kjo enzimë e kthen laktozën në glukozë dhe galaktozë, dy sheqerna të cilat janë lehtësisht të tretshme. Intoleranca ndaj laktozës manifestohet me diarre.
– Qumësht për fëmijët prematurë
Ky qumësht është shumë kalorik dhe lehtësisht i tretshëm dhe mund të përdoret edhe nga fëmijët e lindur në term, por me peshë të vogël.
– Qumështi i rritjes
Qumështi në fjalë rekomandohet të përdoret nga mosha 1-vjeçare dhe gjendet në formë të lëngshme. Përbërja e këtij qumështi është shumë e ngjashme me atë të lopës, por rezulton të jetë më e pasur me hekur, zink, vitamin A dhe D. Dispozita proteinike rezulton më e pakët, dhe për pasojë qumështi do të jetë më i tretshëm dhe më pak alergjik.
Gjithashtu në treg mund të gjejmë edhe lloje të tjera qumështi si për shembull ai antirefluks.
Përfundime
Për ta bërë sa më mirë ushqyerjen me qumësht artificial duhet të ndiqen rregullat e caktuara. Biberonat duhet të sterilizohen dhe uji që do të përdoret duhet të jetë i zier.
Ushqyerja me gji është diçka e natyrshme e cila bëhet në bazë të kërkesave të fëmijës, në bazë të rritjes dhe zhvillimit të tij. Nëse gjatë ushqyerjes me gji fëmija mund të pijë sa herë të dojë, gjatë ushqyerjes me biberon duhet të ndiqet një orar fiks, në mënyrë që fëmija të ketë mundësi të zhvillojë enzimat tretëse. Nuk duhet ta detyroni asnjëherë fëmijën ta mbarojë biberonin me qumësht, pasi fëmija duhet të pijë sipas nevojës.






Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu



Materiale te ngjashme

Kur ke një fëmijë në...

Nëse ti ke një fëmijë Ujor, ja cfarë duhet të dish..: UJORI (21 janar - 19 shkurt) Ky fëmijë do të jetë gjithmonë origjinal. Ai është një novator i lindur...

Emra mysliman per bebe

Tradicionalisht në komunitetin mysliman, foshnjave u vihet një emër në ditën e shtatë pas lindjes. Kuptimi i emrit është shumë i rëndësishëm. Myslimanët favorizojnë emrat që janë të virtytshëm dhe...

Qumështi i gjirit ndihmon zemrën...

Dihet prej kohësh që qumështi i gjirit është ushqimi më i mirë për të porsalindurin dhe për fëmijën deri në një vit e më tej, nëse është e mundur. Në...

Rritje e numrit të lindjeve...

Tashmë është demonstruar gjerësisht: pandemia Covid-19 ka pasur një sërë pasojash negative indirekte, përveç atyre më të njohura dhe të lidhura ngushtë me infeksionin. Midis tyre, ka gjithashtu një rritje...

Ne kemi reklame ju lutem caktivizoni adblock ne menyre qe te navigoni lehtesisht.
Faleminderit!

A keni një llogari? Identifikohu


Regjistrohu


X

Ndrysho fjalkalimin


X