- Kur shkoni te mjeku, lajmërojeni që më parë fëmijën, edhe pse mund të jetë i vogël. I thoni se do të shkoni në një dhomë ku një teta apo një xhaxhi, që është doktor, do ta vizitojë për sëmundjen që ka. Tregojini se çfarë do t’i ndodhë atij në vizitë. Nëse do të bëjë gjilpërë apo vaksinë, tregojini që në shtëpi se do te shpohet dhe do t’i dhembë. Nëse do të qepet apo do të mjekojë dhëmballën, përshkruani gjithçka pa e gënjyer dhe me thjeshtësi. Premtojini se do t’ia mbani dorën e tij me tuajën dhe se do të jeni pranë.
- Sapo të hyni në dhomën e vizitës, mos rrini të heshtur. Flisni në fillim me fëmijën tuaj, jo me personelin shëndetësor, duke i thënë: “Mos u tremb, se unë jam këtu me ty”. Gjithmonë filloni duke prezantuar fëmijën tuaj, duke ju drejtuar mjekut: ky është djali/vajza ime… dhe është për 4 vjeç. Fëmijët, në një konsultore apo spital, tremben shumë nga shishet në dollap, bluzat e bardha apo aparatet. Përpiquni shpejt e shpejt t’i tregoni diçka për ato që ai sheh në formën e një tregimi.
- Mos i kërkoni fëmijës tuaj të jetë “hero” apo “i fortë”. Ndërpriteni fjalën e mjekut “…më falni një sekondë” për çdo kërkesë apo pyetje të fëmijës, duke i dhënë të kuptojë se për ju është më i rëndësishmi në botë.
- Mos shfaqni pasiguri para fëmijës. Nuk duhet të lejoni asnjëherë që në situata të tilla mjeku apo infermierja t’ju akuzojë për pakujdesi, paaftësi, si shkaktarë të sëmundjes së fëmijës, t’ju flasë pa respekt dhe ashpërsisht. Nëna e respektuar është nëna fuqiplotë, që do të thotë qenie e sigurt. Shumë shpesh dashuria, për një fëmijë, është siguri, dhe për fëmijën nuk ka qetësi më të madhe se nëna e sigurt.
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu