Fillimi i vitit të ri shkollor po afrohet gjithnjë edhe më shumë dhe krahas blerjes së artikujve mësimorë, prindërit duhet të reflektojnë pak më shumë edhe rreth sjelljes së tyre në drejtim të fëmijëve. Ja cilat janë disa nga veprimet që prindërit nuk duhet të bëjnë ndërsa fëmija është rikthyer në shkollë.
- Mos bëni detyrat e fëmijës
Ndonjëherë në momentin e kryerjes së mësimeve, fëmija mund të paraqesë vështirësi sidomos në zgjidhjen e problemeve të matematikës, dhe mund të ndodhë që në momentin e parë që ai kërkon ndihmë nga nëna apo babai ata ndoshta ofrohen t’ja japin në një mënyrë të gabuar. Zgjidhja e problemeve nga ana e prindërve shpesh bëhet në mënyrë automatike pasi është një mënyrë më e thjeshtë dhe më e shpejtë, pa harruar të përmendim faktin se në këtë mënyrë fëmija do të ketë detyra të punuara shumë mirë për t’ja paraqitur mësueses.
Mendohuni mirë, a është kjo mënyra më e mirë për ta bërë fëmijën të mësojë si duhet? Sigurisht që jo! Atëherë rrugët janë dy: ta dërgoni fëmijën në shkollë pa detyra dhe në këtë mënyrë mësuesja do të kuptojë që ndoshta shpjegimi nuk ka qënë i qartë ose i mjaftueshëm për fëmijën, dhe për pasojë nuk ka mundur ta zgjidhë detyrën që i është dhënë. Në këtë mënyrë edhe fëmija do të mësojë të marrë përsipër përgjegjësitë që i takojnë. Dhe rruga e dytë është ajo e dhënies së ndihmës në mënyrë të moderuar, për shembull duke i vizatuar figura në mënyrë që ai ta ketë më të thjeshtë të zgjidhë detyrën e dhënë. Kjo do të jetë një mënyrë e mirë për ta bërë fëmijën të krijojë pavarësi në zgjidhjen e detyrave të shkollës.
- Mos e ekzagjeroni me aktivitetet jashtë shkollore
Edhe nëse fëmija juaj ka një aftësi të caktuar si për shembull pikturën, ju nuk duhet ta ekzagjeroni me aktivitetet jashtë shkollore. Mund të marrë mësime në lidhje me një drejtim të caktuar një herë apo dy në javë, dhe jo të mbingarkohet me aktivitete të ndryshme. Një aktivitet mjaft intensive do të rezultojë jo vetëm lodhës për fëmijën, por edhe do ta çorientojë atë.
- Mos i bezdisni mësuesit e fëmijes
Është normale të shqetësoheni për fëmijën tuaj dhe ecurinë e tij në shkollë, por kjo nuk duhet t’ju drejtojë drejt sjelljeve jo të drejta në lidhje me mësuesit e fëmijës. Ju mund të shkoni ta takoni apo t’i telefononi nëse ekziston vërtet një motiv i rëndësishëm, por nuk mund të quhet me rëndësi të shkoni t’i kërkoni mësueses t’i ndërrojë shokun e bankës apo ta pyesni nëse ka ngrënë ushqimin. Gjithashtu duhet të dini se nëse ka dicka që nuk shkon ajo mund t’ju telefonojë vetë e para.
- Mos u ofroni gjithmonë të bëni vullnetarin
Ndonjëherë mund të ndodhë që në klasën e fëmijës tuaj të nevojitet ndihma e prindit në lidhje me një aktivitet të caktuar. Aprovimi i kërkëses që fëmija mund t’ju paraqesë, mund ta bëjë atë të ndihet krenar për ju, por nuk duhet të thoni gjithmonë “po”. Është shumë i rëndësishëm shëndeti juaj mendor dhe për këtë nuk duhet të mbingarkoheni. Pra mësoni të thoni edhe fjalën “jo”, duke lejuar një prind tjetër të marrë përgjegjësitë e kryerjes së aktivitetit.
- Mos u krahasoni me prindërit e tjerë
Ju duhet të kuptoni se nuk ka asnjë kuptim të krahasoni fëmijën tuaj me fëmijët e tjerë, dhe këtë duhet ta bëni edhe me veten tuaj. Ju ka ndodhur ndonjëherë të ndiheni në faj se nuk keni mundur t’i lexoni fëmijës në mbrëmje për 30 minuta? Prindër qetësohuni! Përpiquni të bëni më të mirën për fëmijët tuaj, i falni dashuri, i përkëdhelni dhe dëgjoni gjithmonë atë që kanë për të thënë. Mos e komplikoni jeten duke krahasuar mënyrën tuaj së të sjellurit me fëmijën me atë të dikujt tjetër. Filloni të mendoni dhe të besoni se jeni duke e rritur dhe edukuar atë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu