Infeksion apo inflamacion?
“Mbi të gjitha duhet të bëjmë dallimin midis një infeksioni vaginal dhe një inflamacioni”, shprehet Chiara Lucchetti, specialiste e repartit së gjinekologjisë pediatrike të Romës. “Në më të shumtën e rasteve kemi të bëjmë me inflamacione të mukozës gjenitale, të cilat nëse nuk kurohen menjëherë mund të favorizojnë futjen e mikrobeve”.
Inflamacionet manifestohen me skuqje, djegie, dhe fryrje të mukozës, gjendje e cila ndonjëherë mund të shoqërohet edhe me sekrecione mukotike në sasi shumë të vogël. Infeksioni karakterizohet nga sekrecione me ngjyrë të bardhë në të verdhë, në sasi të mëdha dhe shpesh të shoqëruara edhe me kruarje dhe djegie gjatë urinimit. Në disa raste mund të vërehen edhe gjurmë gjaku, kjo do të ndodhë nëse mukoza është e irrituar.
Cilat janë shkaqet e shfaqjes së infeksionit/inflamacionit?
Shfaqja e inflamacionit mund të ketë shkaqe të ndryshme, por më kryesori është abuzimi me detergjentët, të cilët nëse nuk do të shpëlahen në mënyrën e duhur, do të qëndrojnë në kontakt me mukozën vaginale e cila nuk ka ende të krijuar një barriere natyrale si tek të rriturit. Përgjegjës mund të jenë edhe detergjenti larës dhe zbutësi që mund të përdoren gjatë larjes së veshjeve intime, të cilat shpesh mund të mbeten tek mbathjet e fëmijës.
Përsa i përket infeksioneve, një faktor favorizues mund të jetë kontakti me feçet, nga të cilat rrjedhin pjesa më e madhe e mikrobeve dhe në vecanti e E. Coli. Në këtë grup mund të futet edhe prekja e fëmijës në zonën vaginale me duar të papastra, sidomos gjatë përdorimit të tualetit në shkollë. Krahas shkatarëve intestinalë, një faktor tjetër mund të jenë viruset që provokojnë gripin. Në këtë rast infeksioni konsiderohet me origjinë nga rrugët e frymëmarrjes. Këto viruse futen në zonën gjenitale me anë të prekjes me dorë.
Kush mund të preket më shumë nga infeksionet?
Subjektet më të rrezikuara ndaj infeksioneve dhe inflamacioneve do të jenë vajzat që kanë lëkurë të ndjeshme ndaj alergjive ose që janë duke marrë një kurë me antibiotik, kjo pasi në këtë rast dobësohet mbrojtja natyrale e organizmit.
Rregullat e parandalimit
• Pas dushit, pas përdorimit të banjos ose pasi jeni kthyer nga pishina, duhet që fëmija të shpëlahet në bidet në mënyrë që të eleminohen mbetjet e detergjentëve (shampoo, balsam, shkumë dushi) apo papastërtitë e tjera.
• Mos abuzoni me përdorimin e detergjentëve larës dhe sigurohuni që veshjet intime të vazjës të jenë shpëlarë plotësisht.
• Mos e lejoni vajzën tuaj të përdorë larësin intim të posaçëm për personat e rritur, të cilat kanë një pH të përshtatshëm për personat që kanë arritur zhvillimin e pubertetit. Deri në adoleshencë detergjenti më i mirë do të ishte soda bikarbonat. Tresni 1-2 lugë sodë në bidet ose në një shishe me ujë dhe e mësoni vajzën të shpëlahet disa herë gjatë ditës. Gjithashtu i përshtatshëm do të ishte edhe përdorimi i një detergjenti me pH alkalin (mbi 7).
• Vajza duhet të lajë shpesh duart. Kjo është një mënyrë shumë e mirë për ta mbrojtur nga shumë infeksione, qofshin ato të rrugëve të frymëmarrjes apo vaginale. Idealja do të ishte larja e tyre para dhe pas përdorimit të banjos.
• Sigurohuni që vajza të shkojë shpesh në banjo gjatë ditës. Në përgjithësi fëmijët duke qënë të zënë me lojën kanë tendencë ta mbajnë urinën. Kjo do të bëjë që në urinë të rritet përqëndrimi i bakterieve.
Si mund të kurohet infeksioni, inflamacioni?
• Nuk ekziston një terapi e caktuar, thjesht duhet të evitohet kontakti me agjentët irritues si edhe duhet të lubrifikohet zona vaginale me anën e një kremi hidratues dhe qetësues. Evitoni përdorimin e pomadave me bazë zinku, të cilat pengojnë ajrosjen e mirë.
• Nëse dyshoni për një infeksion, duhet të shkoni për të bërë një vizitë tek mjeku, i cili do t’ju udhëzojë në lidhje me analizat që duhet të bëni. Zakonisht pas diagnostikimit rekomadohet përdorimi i një pomade për rreth 4-5 ditë, dhe në rast se nuk kalon mund të lindë nevoja e një terapie orale e udhëzuar nga mjeku.
Lexoni dhe: Problemet më të shpeshta të urinimit së fëmijës
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu