Përse ndodh?
Shumë gra shtatzëna mendojnë se nuk arrijnë të bëjnë një gjumë të mirë pasi nuk ndihen rehat, kanë nevojë të urinojnë shpesh, kanë krampe këmbësh, vuajnë nga ankthi dhe padurimi për të marrë në krah fëmijën e tyr. Duke marrë në konsideratë të gjitha ndryshimet fizike dhe emocionale nuk është çudi që 8 nga 10 gra kanë probleme me gjumin gjatë shtatzanisë.
Cfarë mund të bëni për të përmirësuar gjumin tuaj?
Kryeni një ritual që do t’ju qetësojë
Idealja do të ishte një banjo e ngrohtë, një filxhan me çaj kamomili, dëgjimi i një muzike të qetë, pra gjithçka që do t’ju krjijojë një atmosferë të këndshme para gjumit.
Krijoni atmosferën e duhur në dhomën tuaj
Sigurohuni që temperatura në dhomën tuaj të jetë e duhura për të bërë një gjumë të qetë. Gjithashtu përpiquni të krijoni një ambient të errët. Diçka që do të ndikonte negativisht në cilësinë e gjumit do të ishte zhurma e makinave nëse dhoma juaj do të kishte një dritare në rrugë. Nëse pas 20-30 minutave pasi jeni shtrirë nuk arrini të flini, shkoni në një dhomë tjetër, lexoni diçka, dëgjoni muzikë derisa të ndiheni e lodhur dhe më pas kthehuni sërish në shtrat. Nuk duhet të shqetësoheni se nuk keni gjumë, pasi ankthi e përkeqëson situatën. Mos harroni se pagjumësia edhe pse është frustruese është një fenomen normal për shtatzaninë.
Evitoni kafeinën dhe ujin gjatë natës
Evitoni pirjen e kafesë në çdo lloj forme, pasi kafeina mund të jetë e pranishme edhe në një copë çokollatë. Gjithashtu pini sa më shumë ujë gjatë ditës dhe evitoni pirjen e tij gjatë natës. Nëse keni etje pini shumë pak, pasi në të kundërt do të kishit nevojë të shkonit shpesh në banjo.
Hani diçka të lehtë para se të flini
Hani diçka të lehtë para se të flini në mënyrë që të mos keni krampe në stomak gjatë natës. Mund të jetë diçka që përmban proteina dhe karbohidrate, ose qumësht i ngrohtë apo çaj pa përmbajtje kafeine. Evitoni sheqerin i cili do t’ju mbushë me energji në një moment të gabuar.
Lini hapur një dritare
Ajri i freskët mund t’ju qetësojë, por nëse temperaturat janë të larta dhe hapja e dritares do të krijojë një ajër të rënduar do të ishte mirë të freskonit dhomën tuaj me anën e kondicionerit.
Kryeni marrëdhënie seksuale
Nëse jeni në humorin e duhur mund të kryeni marrëdhënie seksuale me bashkëshortin tuaj. Ose një alternativë mund të ishte një masazh relaksues nga ai. Të dyja janë mënyra shumë të mira për t’u qetësuar.
Kryeni ushtrime
Provoni të kryeni disa ushtrime që mund t’ju qetësojnë, ndoshta edhe joga. Nëse nuk keni dëshirë të bëni ushtrime të tilla, provoni të merrni një tabelë me kafshë (dele) dhe filloni t’i numëroni pasi monotonia e të numëruarit të kafshëve e heq pagjumësinë.
Ndizni në banjo një dritë të vogël
Duke qënë se do t’ju duhet të shkoni shpesh në banjo do të ishte mirë të linit ndezur një dritë të vogël me qëllim që të mos ndizni dritën e madhe sa herë hyni brenda, gjë e cila do t’jua bënte edhe më të vështirë të binit sërish në gjumë.
Përpiquni të krijoni një rutinë gjumi
Shkoni për të fjetur dhe zgjohuni gjithmonë në të njëjtën orë. Do të jetë më e lehtë të bini në gjumë nëse do të krijoni një rutinë të përditshme.
Bëni shëtitje të gjata
Bëni shëtitje të gjata, sidomos gjatë pasdites. Ato do t’ju ndihmojnë të qetësoheni disi. Gjithashtu përpiquni të mësoni si të bëni frymëmarrje të thella. Një alternativë e mirë do të ishte ndjekja e një kursi përgatitor (kursi i lindjes).
Lexoni dhe: Crregullimet e gjumit ne shtatzani
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu