Ndonjëherë mjafton një pjesë nga jeta për të të bërë të shkruash në mënyrë që ndoshta nuk e kishe menduar se do ta bëje më parë. Ndonjëherë njeriu ka nevojë të tregojë dicka edhe pse mund të kenë kaluar vite dhe dhimbja të jetë qetësuar disi. Them disi sepse ka disa gjëra që dhëmbin perjetë!Mund ta personifikoj dhimbjen kryesisht me humbjen e një fëmije, por mund ta personifikoj edhe më mirë me humbjen e një fëmije për shkak të një dashurie të marrë fund. E ndërsa vitet kalonin dhe mendohej se unë isha dashuria e tij e vetme, një tjetër fund tragjik na priste. Ndërsa ato ditë mezi prisja të merrja vesh nëse prisja një fëmijë nga ai, ai mezi priste të shkonte drejt dikujt tjetër. Diku lidhja jonë shumë vjecare dhe dashuria që të gjithë e shihnin me respekt kishte ngecur dhe madje edhe pse po mundohesha ta bëja të funksiononte nuk po ja dilja. Atë fëmijë e doja shumë, jo sepse mund te me kthente serish te ai por sapo mendoja per te shpresa per “jeten” vazhdonte. Per te, femija mund te ishte thjesht nje pengese dhe asgje me teper.
Iku drejt jetës që kishte menduar të krijonte pa menduar kurrsesi për gjendjen time! “Hiqe”! Kaq do të mjaftonte që ky kapitull të mbyllej përgjithmonë. Për të morën fund vite të tëra bashkëjetese, dhe me problemet e para që na dolën në jetë u hodh në krahët e dikujt tjeter. Ja mbylla atë bisedë duke i thënë shkurt dhe qartë se fëmijën do ta mbaja dhe se nuk doja t’ja dija më për të. Nga ana tjetër mendoja se cfarë do të bëja. Mbështetjen e familjes time e kisha por kjo nuk do të mjaftonte, pasi ishte shkruar të ndodhte ndryshe. Nuk e di nëse ishte shkaktar stresi apo dicka tjetër por që në vizitën e parë që bëra doktori më tha se shtatëzania ime nuk dukej se po ecte mirë. “E vetmja gjë që të rekomandoj për momentin është të pish sa më shumë lëngje dhe të qëndrosh shtrirë. Do të flasim sërish pas dy javësh”, këto ishin fjalët e tij. Dhe ndërsa ditët kalonin për mua gjithcka dukej se po rëndohej edhe më shumë. Pavarësisht vendimit që kisha marrë, qetësisë dhe mbështetjes që më ofronte familja ime unë nuk isha e qetë! Tashmë isha siguruar që fëmijën nuk do ta hiqja dhe duke qënë se nuk kisha asnjë gjë tjetër për të cilën të luftoja që ta mbaja mendjen të zënë, kisha filluar të ndjeja dhimbje. Për shumë ditë vemëndja ime u përqëndrua tek jeta e ish të fejuarit tim dhe “gruas” se tij. Pasojat u ndien menjëherë dhe një natë përfundoj në spital. Pas vizitës doktori më thotë se zemra e fëmijës nuk punonte më dhe se duhej të më bënte pastrim sa më parë. Ishte dicka që nuk mund ta ndalja ashtu sic nuk e ndala dot atë të shkonte me dikë tjetër. Ditët kalonin dhe unë nuk isha më e para, u dobësova, gjumë nuk flija, ushqim haja shumë rrallë dhe fytyra ime dukej sikur i përkiste një vajze 35 vjecare. Por dihet që koha shëron cdo plagë. Nuk mund të them se koha të bën të harrosh cdo gjë, thjesht të mëson të jetosh me apo pa to. Mund t’ju them se pas 6 muajsh “lumturia” e tij me atë tjetrën kishte marrë fund, dhe tashmë më duhej t’i rikthehesha edhe njëherë bisedave të vjetra. Të gjitha këto ishin të tepërta. Ishte rikthyer në jetën time në një moment që unë dukej se po rigjeja forcë për të ecur përpara dhe dukej se kisha filluar të mësoja si të jetoja pa të. Kjo do të ishte një arsye më shumë që unë të mos e pranoja më në jetën time atë njeri që nuk deshi as fëmijën e tij! Midis shumë mendimeve që më shkonin nëpër mend mendoja se në një moment do të tundohesha për t’u rikthyer me të. Por jo! Aq sa kisha vuajtur më mjaftonte për të mos e shkatërruar edhe më tej jetën time. Megjithatë, ai edhe pse kanë kaluar kaq vite do të sjellë gjithmonë kujtime tek mua, do të më kujtojë atë fëmijë që e desha aq shumë dhe që nuk arrita ta njoh, dhe do të më bëjë gjithmonë të pyes veten se si mundet një njeri që dashuron aq shumë të shpërfytyrohet dhe të kthehet në një person aq negativ. Megjithatë tashmë unë u mësova të jetoj pa të, dhe ndoshta urrejtja është zbutur pak. Në mendjen time më pëlqen ta risjell të dashur dhe të qeshur, ta risjell pa vese dhe negativitet. Unë e kam dashur shumë, e desha shumë atë person që rrezatonte pozitivitet me të gjithë, kisha nevojë që dikush të më deshte në atë mënyrë! Por mendoj se as ai nuk do të jetë në gjendje të dashurojë ose më mirë të them të trajtojë një njeri në atë mënyrë. Dhe mund t’ju them se sot, pas kaq kohe nuk ka mbetur më asgjë nga ne, kanë mbetur këto kujtime të hedhura këtu, dhe dy persona që kanë harruar si ishte të jetoje dhe dashuroje njëri-tjetrin!
Materiale te ngjashme
A keni raste te familjarëve...
Nëse ti ose të afërmit e tu jeni prekur nga kanceri i trashëguar, mund të pyesni veten se si mund ta përdorni këto njohuri në të ardhmen dhe të jeni...
Për ty mike që je...
E di… Ndiej padrejtësi tani që po shkruaj për ty. Ndihem fajtore sepse jam një nga gratë me fat. Çdo fjalë që shkruaj më thumbon... Sepse e di. E di...
9 mënyra si t’i tregoj...
Të zbulosh se je shtatzënë është një nga momentet më të rëndësishme të jetës. Është lajmi më i madh i jetës suaj, lajmi që mezi prisni t'i ndani me partnerin...
Shkon në spital me temperaturë...
Mëngjësi i sotëm ka ardhur me një lajm të trishtë për një familje në Elbasan dhe tronditës për gjithë qytetarët. Një vogëlushe 3-vjeçare ka ndërruar jetë në spitalin rajonal të...
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu