Fiori Dardha është një shembull i mirë i gruas në karrierë dhe nënës së përkushtuar. Gjithmonë shumë transparente me publikun që e ndjek, ajo tregon se ka një jetë aktive si profesionale ashtu edhe familjare. Pavarësisht se është një personazh publik, shumë e impenjuar në televizion, ajo përpiqet të shfrytëzojë çdo moment pranë Abelit, i cili e ka pikë të dobët mamin.
Me dashurinë dhe ëndrrat e një nëne për birin e saj, Fiori Dardha rrëfen edhe planet që ka thurur me mendje e zemër për të ardhmen e Abelit, të cilat ndryshojnë çdo ditë.
E megjithatë, duke kërkuar vetëm lumturinë e të birit, Fiori thotë “… le të bëhet çfarë t’i dojë e bardha zemër”.
Si i ke përjetuar momentet e para kur mësove se do të bëheshe nënë?
Emocion i fortë shumë, gëzim i pamatë, por edhe një ndjesi e pashpjegueshme ankthi.
A ke pasur probleme gjatë shtatzanisë? Cilat kanë qenë dhe si i ke tejkaluar?
Muajt e parë të shtatzanisë ishin të mbarë. Problemet më nisën në tremujorin e dytë. Më është dashur të qëndroj disa kohë regjim shtrati. Në shtatzani është e rëndësishme që ta kesh sa më të ulët nivelin e stresit. Pavarësisht problemeve shëndetësore, jam përpjekur që t’i krijoj vetes një gjendje emocionale të mirë gjatë shtatzanisë.
Ke bërë lindje natyrale apo me operacion? A e ke zgjedhur vetë mënyrën e lindjes?
Problemet që lindën gjatë shtatzanisë, e bënë të detyrueshme lindjen me operacion.
Sa e vështirë ka qenë periudha pas lindjes? Si u përshtate me ndryshimet që pasuan në jetën tënde?
Për fatin tim të mirë, kam patur shumë ndihmë nga familja ime. Bashkëshorti ka qenë një mbështetje e jashtëzakonshme. 40 ditët e para e bënim me turne, disa orë kujdesesha unë për Abelin dhe më pas bashkëshorti, perveç pjesës së gjidhënies.
Djalin e ke ushqyer me gji apo me qumësht formulë? Për sa kohë?
Pengu im më i madh është që nuk kam mundur ta ushqej djalin me gji për një kohë të gjatë. Nuk pata qumësht dhe Abeli nuk ka pirë gji më shumë se 3 javë.
Edhe sot që është 6 vjeç, kur sëmuret, unë menjëherë mendoj “nuk ka pirë gji, ndaj edhe nuk ka shumë imunitet”. Mendoj kështu, pavarësisht se Abeli është një fëmijë shumë i shëndetshëm, që sëmuret si gjithë të tjerët.
Me kë është më i lidhur Abeli me mamin apo me babin?
Abeli është shumë i lidhur me të dy, por pikë të dobët ka mamin.
Ju si një figurë e ekranit, do të dëshironit që edhe djali të ndiqte të njëjtën rrugë?
Eh, sa shumë ëndrra kam thurur për Abelin. E shoh, që nuk i pëlqen shumë ekrani, pavarësisht se ka sensin e protagonizmit.
Unë një ditë dua të bëhet doktor, një ditë futbollist, një ditë arkitekt.
Abeli është shumë i dhënë pas teknologjisë. Le të bëhet çfarë t’i dojë e bardha zemër.
A e ndëshkon djalin kur nuk sillet mirë? Nëse po, cili është ndëshkimi?
Une jam një mama shumë tolerante dhe këtë ia njoh si defekt të madh vetes. Nuk e kam ndëshkuar kurrë. Shpesh them me shaka, që Abeli “ma ka pirë lëngun”.
Kush kujdeset për djalin kur jeni në punë? Pse ke zgjedhur pikërisht atë person?
Për Abelin kujdesen prindërit e mi dhe dadoja e tij. Është shumë i lidhur me gjyshërit. Edhe kur shkojmë me pushime, gjyshërit janë me ne, sepse ndryshe, nuk ka pushime. Abeli nuk bën dot pa ta. Unë jam me fat që kam prindërit dhe që kujdesen aq mirë për djalin tim. Edhe me dadon e tij ka nje marrëdhënie të shkëlqyer. E duan shumë njëri-tjetrin.
Kur ke dalë për herë të parë në punë pasi lindi Abeli?
Në punë kam dalë pas 5 muajsh.
Sipas teje cila është mosha e duhur për tu bërë prind?
Nuk jam fare e zonja për të dhënë receta. Fëmija është dhuratë e Zotit! Është i mirëpritur në çdo kohë!
Ardhja në jetë e Abelit ka qenë e planifikuar apo e rastësishme?
Donim të kishim një fëmijë dhe erdhi atëherë kur nuk e prisja.
A keni në plan për një fëmijë të dyte? Apo është ende herët?
E kam në plan dhe as vetë nuk e kuptoj pse po e shtyj kaq shumë.
Në momentet që qëndroni gjatë me djalin, si e kaloni kohën? Çfare aktivitesh zhvilloni?
Mezi i pres fundjavat. E diela është vetëm dita e Abelit. Mezi pres të tërbohemi të dy! Më ndodh të bëhem më fëmijë se Abeli kur luajmë bashkë.
Një mesazh për ato që janë nëna?
Nenat nuk kanë nevojë për mesazhe. Të jesh nënë nuk është profesion, është bekim!
Intervistuar nga Merita
Lexo edhe: “Titulli nene, me i shtrenjti qe mbaj”
Sorry, there are no polls available at the moment.
')}
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu