Në dimër është ftohtë dhe tundimi për të qëndruar në shtëpi dhe për t’i lënë fëmijët të luajnë në ambient të ngrohtë brenda, bëhet më i fortë. Ekziston gjithashtu frika se ata mund të sëmuren dhe aq më tepër në kohën e Covidit që po jetojmë.
Në fakt, e kundërta është vërtetuar shkencërisht, domethënë, loja në gjelbërim jashtë, madje edhe në parqet dhe kopshtet e qyteteve mund të ndihmojë në forcimin e sistemit imunitar të fëmijëve.
Më pak beton e më shumë gjelbërim
Ky është rezultati i një studimi, të botuar në revistën Science Advances, kryer nga ekspertë nga Universiteti i Helsinkit, i cili analizoi gjithsej 75 fëmijë të moshës midis tre dhe pesë vjeçare, të regjistruar në dhjetë kopshte të ndryshme në Finlandë. “Literatura ekzistuese – shpjegon Aki Sinkkonen nga Universiteti i Helsinkit – mbështet hipotezën që jeta në qytet shoqërohet me një sistem imunitar më të dobët, për shkak të ekspozimit më pak të shpeshtë ndaj mikrobiotës, e cila mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të alergjive, astmës, ekzemës, sëmundjeve inflamatore të zorrëve, sklerozë të shumëfishtë dhe diabet të tipit 1”. Ekipi ka modifikuar hapësirat e lojërave në natyrë të katër çerdheve në Finlandë, duke i bërë më të gjelbërt oborret që dikur ishin të mbuluara me beton, rërë ose zhavorr duke futur bar, shkurre, bimë të vogla dhe dhe natyror”. Për 28 ditë, nxënësit kaluan një orë e gjysmë çdo ditë në oborr duke luajtur dhe duke iu përkushtuar kopshtarisë.
Ndryshimi i mikrobiotës
“Fëmijët që luajtën në gjelbërim – vazhdon eksperti – mbajtën një mikrobiotë më të larmishme të lëkurës dhe zorrëve, e cila duket se kontribuon në rregullimin më të mirë të sistemit imunitar. Këto rezultate sugjerojnë që mbrojtja trupore e fëmijëve që jetojnë në qytete mund të forcohet duke siguruar qasje të përditshme në hapësira të gjelbërta dhe terreneve të lojërave”. Studimi zbuloi se ekspozimi ndaj mjedisit më natyror dhe tokës favorizon rregullimin e sistemit imunitar, duke stimuluar rrugët imunorregulluese. “Ne ishim shumë të befasuar nga këto të dhëna – thotë shkencëtari – pas vetëm 28 ditësh, ndryshimi në përbërjen e mikrobiotës ishte i dukshëm. Unë besoj se studimi ynë mund të veprojë si një pararendës i praktikave të reja parandaluese të afta për të kundërshtuar epidemitë e ardhshme të ndërmjetësuara nga imuniteti”.
Komenti i imunologut
“Unë mendoj se është një punë e mrekullueshme – komenton imunologu Graham Rook, në University College London – shumë nga çrregullimet që po rriten në popullatat urbane perëndimore janë për shkak të dështimit të mekanizmave që kontrollojnë sistemin imunitar dhe ky hulumtim tregon se ekspozimi i fëmijëve në një mjedis natyror biodiversitar rrit disa mekanizma thelbësorë të kontrollit. Autorët arritën një rezultat të jashtëzakonshëm të aplikimit”.
Lexo edhe: 11 menyrat me te mira per te forcuar imunitetin e femijes tuaj
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu