Disa probleme gjate ushqyerjes me gji

0 0

Kthimi në shtëpi, është për gruan fundi i “medikalizimit”. Pasi del nga spitali, merr fund të qenit nën trysninë e rregullave të spitalit dhe për nënën fillon një jetë e re së bashku me fëmijën.
Por kthimi në shtëpi mund të shoqërohet edhe me një sërë rrethanash të vështira për nënën dhe fëmijën. Për fëmijën, kthimi në shtëpi përfaqëson një ndryshim të dytë të rëndësishëm në pak ditë. Pas stresit të lindjes, kthimi në shtëpi kërkon nga fëmija një përshtatje të re dhe një ritëm të ndryshëm jete nga ai i spitalit.
Jo për të gjithë fëmijët, por për disa prej tyre ky ndryshim i dytë shoqërohet me të qarë të shpeshtë, ndonjëherë edhe gjatë gjithë natës. Por, të qarët e fëmijës nuk duhet të interpretohet nga nëna gjithmonë si e qarë urie. Eshtë e vërtetë që sasia e qumështit mund të mos jetë ende ajo që duhet, por ju duhet të dini se kjo rrethanë do të rregullohet me vendosjen e shpeshtë të fëmijës në gji.
Shumica e nënave mendon se nuk është në gjendje të prodhojë mjaftueshëm qumësht për fëmijën e saj dhe për këtë mundohet ta plotësojë me qumësht artificial dhe kjo është dicka e gabuar.
Megjithatë në disa raste prodhimi jo i mjaftueshëm i qumështit lidhet me disa probleme individuale të nënës.
Hypogalaktia ( prodhimi i qumështit me pakicë )
Fjalë për fjalë do të thotë prodhim i mangët i qumështit. Një problem i tillë shfaqet shumë e rrallë tek njeriu dhe në fakt ndodh vetëm në 1% të grave.
Shpesh këtë problem gratë e lidhin me madhësinë e gjinjve, por kjo nuk është e vërtetë. Madhësia e gjinjve nuk ka asnjë rëndësi në prodhimin e qumështit.
Në shumicën e rasteve, rënia e prodhimit të qumështit është e lidhur me vendime të shpejtuara, të papërshtatshme dhe arbitrare si:
– dhënia e ujit me sheqer;
– dhënia para kohe e qumështit artificial;
përdorimi i hershëm i biberonit;
– kujdesi i pakët për thithin e gjirit;
– moskujdesi i duhur dhe trajtimi i parregullt i fryrjes ose të çarave të gjirit etj.
Në rastet kur vërtetë qumështi i nënës është i pamjaftueshëm, atëherë duhet të këshilloheni me mjekun e fëmijës, i cili mund dhe duhet të vendosë nëse është e nevojshme apo jo ushqyerja plotësuese.
Problemet apo defektet e thithit
Sa më mirë që të thithë gjirin fëmija, aq më e mirë bëhet ushqyerja me gji. Thithjet e fëmijës nxisin prodhimin dhe daljen e qumështit. Por që thithja të jetë e efektshme, duhet që fëmija të ketë mundësi ta kapë mirë thithin. Atëherë, duhet që thithi të ketë një madhësi dhe formë të përshtatshme, që t’i lejojë të porsalindurit ta kapë mirë atë.
Në këtë rast duhet të theksojmë se nuk ka rëndësi forma dhe madhësia e gjirit, sepse edhe një gji i vogël është në gjendje të prodhojë aq qumësht sa ka nevojë fëmija. Përkundrazi, defektet e thithit si për shembull thithi i sheshtë ose i futur nga brenda, mund të krijojnë ndonjë problem, sidomos në fillim të gjidhënies.
Ky problem nuk është i pakapërcyeshëm dhe mund të kalohet pa vështirësi. Mjafton një ngacmim i thithit pas lindjes dhe problemi në shumicën e rasteve zgjidhet. Një ngacmim i tillë mund të realizohet me anë të kapjes së të zezës së gjirit ndërmjet gishtit të madh dhe atij tregues dhe në shumicën e rasteve thithi del jashtë.
Ndonjëherë tjetër është thjesht “loja” që bën fëmija me thithin në përpjekjet e tij për t`u ushqyer, që nxit thithin të dalë.
Ju nuk duhet të alarmohemi për defektin e thithit nëse ende nuk keni lindur, sepse me afrimin e lindjes thithi e ndryshon formën e tij. Përvec kësaj jo në të gjitha rastet fëmija nuk është në gjendje të thithë, sepse nëna ka një thith defektoz. Nëna që ka një thith të futur brenda ose të sheshtë duhet të rrijë e qetë, sepse kjo gjë nuk përbën pengesë për ushqyerjen me gji.
Para se të mendojmë se kemi një defekt të thithit, duhet të provojmë a është funksionues një thith, domethënë, nëqoftëse e vendosim fëmijën në gji, a është në gjendje ai të thithë apo jo.
Është themelore që nëna të ndihmohet qysh sapo lind të mësojë teknikën më të përshtatshme për të vendosur fëmijën në gji. Nëna duhet të mësohet se më e rëndësishme sesa kapja e gjirit, është loja e fëmijës me të zezën e gjirit, pozicioni i rehatshëm i saj dhe i të porsalindurit kur ai vendoset në gji. Këto janë gjërat që stimulojnë prodhimin e qumështit dhe nxjerrjen e tij.
Dhimbjet e gjirit
Rreth ditës së 2-3-të pas lindjes dhe ndonjëherë gjatë gjithë 2 javëve të para, shumë nëna ankohen për dhimbje të gjirit sa herë që përgatiten të marrin fëmijën në gji. Kjo dhimbje zgjat pak minuta, është e bezdisshme dhe e pranishme
pothuaj tek të gjitha gratë që ushqejnë fëmijën me gji.
Eshtë e kuptueshme që dhimbja nuk është e dicka e pëlqyeshme për një grua që sapo ka lindur dhe që duhet të marri veten prej lodhjes që i ka shkaktuar lindja. Për më tepër kjo dhimbje e ngarkon emocionalisht nënën, sepse mund të shoqërohet me një pakësim të qumështit. Kur nuk ka arsye të tjera ( për shembull çarje të thithit ), duhet të konsiderohet një dukuri normale që zhduket me ardhjen e mirë të qumështit.
Pse ndodh fryrja e gjinjve?
Shfaqet zakonisht rreth ditës së 3- 4-t të jetës, atëherë kur qumështi vjen papritur dhe me shumicë. Gjiri i gruas është i fortë në prekje dhe tepër i dhimbshëm. Një dukuri e tillë është e lidhur me zbrazjen jo të mirë të gjirit dhe zakonisht nuk ndodh kur fëmija thith mirë dhe vihet shpesh në gji.
Sidoqoftë, fryrja e gjinjve shfaqet atëherë kur:
-Nëna prodhon shumë qumësht ( më tepër se sa mund të pijë fëmija, zakonisht gjatë ditëve të para të jetës);
– Vonohet vënia në gji e fëmijës;
– Fëmija nuk vendoset mirë në gji dhe për pasojë nuk e zbraz mirë gjirin;
– Fëmija mbahet pak në gji për shkak të dhimbjeve të gjirit, ose nëna i vendos orare të rrepta ushqyerjes së bebit.
Në mjaft raste, një rrethanë e tillë kushtëzon ndonjëherë ndërprerjen e ushqyerjes me gji, veprim i cili konsiderohet i nxituar. Fryrja e gjinjve përbën një problem jo vetëm sepse shkakton mjaft dhimbje, por sepse nëse gjiri nuk zbrazet shpesh dhe mirë, mund të shoqërohet me çarjen e thithave dhe infeksionin e gjëndrës së qumështit ( mastit ).
Zakonisht këto probleme lindin si pasojë e vecimit të nënës nga fëmija, e cila mund të ndodhi për disa arsye, për shembull si pasojë e gjendjes jo të mirë shëndetësore të fëmijës ( lindje para kohe etj ) gjë e cila shoqërohet me vendosjen e të porsalindurit në një repart të veçantë, kur nëna ka një problem dhe është ende e pafuqishme për të marrë në gji fëmijën etj.
Në të gjitha këto raste, nënës duhet t`i shtrydhet gjiri, të paktën çdo 3 orë, me qëllim që qumështi të mund të përdoret për fëmijën e saj, të shmanget rënia e prodhimit të qumështit si edhe të parandalohet fryrja e gjinjve.
Myku i thithit
Duhet t`i kushtohet vëmendje edhe një dëmtimi tjetër të thithit, gjatë të cilit gjiri merr një ngjyrë si të peshkut koran të shoqëruar me dhimbje të forta djegëse që shpërndahen në të gjithë gjirin.
Në këtë rast mund të kemi të bëjmë me një infeksion të shkaktuar prej mykut. Prania në thith e disa pikave të bardha që shfaqen gjithashtu edhe në gojën e fëmijës, e vërteton këtë sëmundje.
Mjekimi është shumë i thjeshtë, por duhet të trajtohen njëkohësisht si nëna dhe fëmija. Për fëmijën bëhet pastrimi i gojës me anën e një garze, të cilën e kemi zhytur në ujë me sodë buke me një përqëndrim 5 %, ose duke përdorur një “xhel” që përmban një ilaç kundër mykut. Gjithashtu, mund të përdorim dhe pluhur “Nystatinë”, të cilin e hedhim në gojën e fëmijës pak para se ta ushqejmë.
Nëna duhet të mjekojë gjirin me një pomadë me përmbajtje specifike kundër mykut. Por, më e rëndësishme është që nëna të mos e mbajë të lagësht gjirin, duke e fshirë me një copë të butë pa e fërkuar.

Lexoni edhe: Dhimbja e gjirit gjate ushqyerjes se femijes






Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu



Materiale te ngjashme

Lidhja me fëmijën tuaj pas...

Fëmija juaj i porsalindur është në kraharorin tuaj ndërsa derdhni lot gëzimi. Besojmë se e keni imagjinuar momentin kur fëmija juaj vjen në botë si momenti më i lumtur i...

Pse çdo grua shtatzënë duhet...

Anomalitë gjenetike mund të ndodhin në çdo shtatzëni, prandaj testi NIPT është i rëndësishëm për çdo grua shtatzënë, pavarësisht nga mosha e saj apo risku i predispozitës gjenetike. Ekspertët mjekësorë...

MËSONI MË SHUMË PËR TESTIN...

A e dini se mund të zbuloni nëse fëmija juaj është i shëndetshëm që në javën e 10-të të shtatzënisë? Ju mund ta zbuloni shëndetin gjenetik të foshnjës tuaj gjatë...

DIVO, për t’i bërë 1000...

Çdo ditë është e rëndësishme por 1000 ditët e para të jetës janë vendimtare pasi janë castet ku krijohen rrenjët, baza e zhvillimit të fëmijës tuaj por ndërkohë edhe modeli...

Ne kemi reklame ju lutem caktivizoni adblock ne menyre qe te navigoni lehtesisht.
Faleminderit!

A keni një llogari? Identifikohu


Regjistrohu


X

Ndrysho fjalkalimin


X