Depresioni pas lindjes, ja si e perjetojne nenat

0 0

Ardhja në jetë e një fëmije e ndryshon humorin e gruas, dhe kjo si pasojë e rënies së nivelit të hormoneve, por edhe si pasojë e nevojës për t’ju përshtatur ritmeve të reja, nevojave të fëmijës, pagjumësisë, lodhjes etj. Rreth 80% e grave përjetojnë simptomat e të ashtuquajturave baby-blues, të cilat janë forma më e lehtë e depresionit pas lindjes.

Problemi nuk duhet parë tek shfaqja e simptomave të depresionit më shumë se tek fakti që gruaja e ka të vështirë të njohë dhe pranojë se po kalon baby-blues, për të përmendur edhe vështirësinë që ajo ka në lidhje me ndihmën që duhet të kërkojë, e cila është tepër e rëndësishme! Duke qënë se nënat kanë nevojë të njihen sa më shumë me gjthcka që ka lidhje me botën e depresionit post-partum, PERNENAT mundohet t’i japë në çdo rast rëndësinë e duhur, duke e trajtuar shpesh në artikuj të ndryshëm informues si temë. Jo pa qëllim ne kemi zgjedhur të trajtojmë këtë temë në diskutimin e javës “KOHA TË BISEDOJMË”, ku nënat kanë qënë të lira të shprehin eksperiencën e tyre, kjo për ta bërë një nënë tjetër të kuptojë që nuk është e vetme në këtë shqetësim, si edhe për të shprehur pak nga vetja në formë lehtësimi.

Ja se çfarë kanë shprehur nënat në komente

Për disa nëna nuk kanë dijeni në lidhje me simptomat që shfaq depresioni post partum, nuk e njohin atë dhe nuk kanë asnjë ndihmë në jetën e përditshme.

  • Edhe pse nuk kam asnjë ndihmë, prapë po perpiqem t’i kaloj vetë vështirësite e përditshmërisë. Është thjesht periudhë kalimtare, më vonë të merr malli për kohën kur fëmija yt ishte bebe.
    Përsa i takon depresionit, skam kërkuar shumë informacion dhe ne thelb nuk e di cilat janë simptomat.

Një nënë shprehet se e ka kaluar një formë të këtij problemi, dhe se mendon që është e rëndësishme ndihma e familjarëve, por edhe e pamjes së jashtme.

  • Po unë kam kaluar shumë keq, vetëm qaja se di pse, pa arsye…por kalon. Unë e kalova brenda 1 muaji. Bëra 1 ndryshim në look, preva dhe lyeva flokët, vërtet mu largua, pastaj duke patur edhe ndihmën e bashkëshortit dhe mamasë time ishte edhe më e lehtë. Do t’ i këshilloja nënat e reja që të mos qëndrojnë vetëm, por të bëjnë ndryshim, sic unë

bëra dhe të dalin mos të qëndrojnë të mbyllura.

 

Ndonjëherë mungesa e bashkëkëshortit është ajo që e thellon edhe më shumë depresionin, ku në disa raste mamaja apo vjehrra janë figura që po aq sa të ndihmojnë edhe të përkeqësojnë simptomat, sigurisht jo me qëllim.

  • Mendoj se e kam kaluar edhe unë depresionin pas lindjes. Ishte e tmerrshme! Po ju shpjegoj pak situatën time si fillim. Kur isha në muajin e 4 të shtatzanisë burrit tim i doli një kurs në USA dhe duhet të ikte se sbën, dhe kursi zgjaste 6.5 muaj, dmth ai vinte dy muaj pasi unë të kisha lindur. Sigurisht duke menduar që ishte një rast që nuk do vinte më, ai iku, dhe unë ngela vetëm. Me burrin kam një marrdhënie shumë të mirë, jemi shokë të ngushtë, dhe me asnje njeri tjetër nuk e kam këtë marrdhënie, as me motreën, as me mamin, as me babin, dhe kur ai iku u ndjeva shume e braktisur. Pastaj linda, një mrekulli të vogël , një ëngjëll me fytyrën time  , dhe ditët e para në spital isha shumë e lumtur. Duke qënë se linda me çezar, isha edhe dru nga qetësuesat, dhe nuk e kuptoja mirë gjendjen. Kisha probleme me gjirin, po për momentin nuk po ja vija veshin. Qumështi nuk po më vinte, kokat e gjoksit i kisha të futura brenda dhe vajza nuk i kapte dot, por në spital (privat) shërbimi ishte shumë i mirë dhe infermieret dhe doktoreshat më jepnin gjithë kohën zemër. Pastaj u ktheva në shtëpi. Tmerrrrrrr! Mami iku në shtëpinë e saj, unë ngela me vjehrrën, që kishte ardhur meqë do lindja unë. Ajo nuk dinte asgjë për fëmijët, edhe djalin e saj ja kishte rritur e jëma, dhe nuk kishte rritur fëmijë vet. Bebi qante se donte te pinte, unë nuk kisha qumësht, ishte bërë pis dhe duhej larë, ajo nuk dinte ta lante, dhe qaj qaj qaj u mek, u nxi, u bë blu. Mua desh më ra pika. U tremba aq shumë sa nuk e keni idenë. U cova dhe e lava bebin vetë, dhe ajo rrinte më shikonte, pastaj e dërgova të blinte një qumësht ne farmaci, dhe kur erdhi më tregonte se si kishte parë atje një bebe 9 muajsh që pinte gji te mami i vet, dhe ajo kishte plot. Mbasi e rregullova vajzen fillova te qaja qaja qaja pa fund, kam qarë gjithë natën. Të nesërmen mami erdhi dhe ndenji me mua deri sa erdhi burri. Dhe aty filloi tamam periudha e depresionit për mua. Unë nuk kisha qumësht, dmth më erdhi po kisha pak, nuk e ngopja vajzën, dhe mami nuk e pranonte këtë gjë. Ngulmonte e ngulmonte të rrija dhe ta mbaja në gji, dhe unë rrija nga dy ore rrjesht e mbaja, bëja një orë pushim, dhe e vija prapë nga dy orë të tjera. Isha shumë e mërzitur, isha shumë e lodhur, çdo pjesë e trupit me dhimbte. Flisja me burrin dhe i thosha që kisha frikë se vajza do më vdiste, se unë spo mundohesha aq sa duhej, se kishte diçka që nuk shkonte me mua. Ai më mbeshteste gjithe kohen, më thoshte zemër mos u torturo as ti as bebin, jepi qumësht shtesë, lerja mamit dy tre orë dhe fli, qetësohu, lere një natë të cohet vetëm mami t’i japi për të pirë dhe ti bëje një natë gjumin rehat. Por unë nuk mundesha, nuk e lija dot. Më dukej vetja shumë e keqe po mos të cohesha, po të keërkoja ndihmë, po t’i jepja formulë. Mami bënte sikur do e helmoja kur merrja i përgatisja një bibiron në ditë. Nuk është se ajo e bente që unë të vuaja, e di, ajo për mirë mundohej, por ndonjëherë ajo që është e mirë për një, nuk është e mirë për një tjetër. Dhe kështu avash avash fillova mendoja sikur të vdisja nuk do zhgenjeja me njeri, vetëm vajza më bënte të shtyja ditët. Dilja çdo ditë, qeshja, flisja, bëja sikur isha e lumtur, por në fakt çdo gjë e shikoja të zezë. Pastaj burrit i mbaroi kursi, u kthye, filloi merrej shumë me vajzën dhe mua më linte të merresha me veten time. Kur vajza bëri 3 muajshe mua më iku qumështi fare, por ama mu rikthye dëshira për të jetuar. Tani kur e kujtoj them me vete si e çoja nëpër mend ta lija vajzen vetëm, mos ta shikoja kur rritej, mos të rritej në gjoksin tim. Depresioni eshte i tmerrshëm, kërkoni ndihmë se vetëm nuk dilet, vetëm bie më thellë.

Nëna është ilaci i shpirtit! Të bën ta kalosh periudhën pas lindjes në mënyrën më të mirë të mundëshme!

  • Mami ime është heroina ime, mos ta kisha e ta kem pranë dhe me telefon që më qetëson nuk e di çfarë do kisha bërë, se ndryshe vetëm siç jam me gocën do isha futur në depresion çdo ditë!

Pra siç e shikoni të gjitha nënat e kalojnë depresionin në formën e tyre, kush me sipmtoma më të rënda dhe dikush me simptoma më të lehta. Ajo që është e rëndësishme është ndihma! Është e rëndësishme të njihet dhe pranohet ekzistenca e tij tek nëna. Nëse ju nuk e pranoni atë as personat që ju duan nuk kanë si të veprojnë. Nuk është turp të pranosh se nuk mundesh më të kujdesesh për fëmijën, se je lodhur, se je pa gjumë, se nuk di si lahet apo ndërrohet bebelina, se ke vështirësi gjatë ushqyerjes me gji. Për të gjitha vjen një moment që nuk mundemi më, që nuk ja dalim dot, ose të paktën mendojmë se nuk ja dalim dot. Ti mund t’ja dalësh, ti nuk ke pse mendon se nuk do të kesh më ditë të qeta në jetën tënde. Gjithçka do të ndryshojë, fëmija do të rritet, do të qajë më pak, do të flejë më mirë, do të jetë më i pavarur, dhe ndoshta atëherë do të mungojë ajo varësia që kishte ndaj teje. Informohu sot, prano depresionin post-partum, dhe mbi të gjitha kërko ndihmë!

Nga nenat pernenat






Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu



Materiale te ngjashme

Lidhja me fëmijën tuaj pas...

Fëmija juaj i porsalindur është në kraharorin tuaj ndërsa derdhni lot gëzimi. Besojmë se e keni imagjinuar momentin kur fëmija juaj vjen në botë si momenti më i lumtur i...

A keni raste te familjarëve...

Nëse ti ose të afërmit e tu jeni prekur nga kanceri i trashëguar, mund të pyesni veten se si mund ta përdorni këto njohuri në të ardhmen dhe të jeni...

DIVO, për t’i bërë 1000...

Çdo ditë është e rëndësishme por 1000 ditët e para të jetës janë vendimtare pasi janë castet ku krijohen rrenjët, baza e zhvillimit të fëmijës tuaj por ndërkohë edhe modeli...

Për ty mike që je...

E di… Ndiej padrejtësi tani që po shkruaj për ty. Ndihem fajtore sepse jam një nga gratë me fat. Çdo fjalë që shkruaj më thumbon... Sepse e di. E di...

Ne kemi reklame ju lutem caktivizoni adblock ne menyre qe te navigoni lehtesisht.
Faleminderit!

A keni një llogari? Identifikohu


Regjistrohu


X

Ndrysho fjalkalimin


X