Cilat jane gabimet qe bejne femrat infertile?

0 0

Në një pjesë të mirë të rasteve, ardhja e një fëmije vonohet për shkak edhe të disa gabimeve që femrat kryejnë spontanisht apo edhe me rekomandimet e farmacistit apo ndonjë mjeku që nuk ka eksperiencën e duhur në trajtimin e infertilitetit, shprehet mjeku gjinekolog Elton Peci.
Më poshtë po rendisim se cilat janë këto gabime që femrat bëjnë shpesh:
1- Fillojnë të marrin kontraceptivë për të rregulluar ciklin e tyre, pa ditur më parë se cili është shkaku që cikli i tyre është i çrregullt.
Menstruacionet e çrregullta janë tregues i faktit që ju mund të mos ovuloni (mund të mos keni ovulacion) në periudhën e duhur. Kjo gjendje quhet anovulacion dhe femrat që nuk ovulojnë do të kenë cikle jo të rregullta, dhe për rrjedhojë do të jenë infertile.
Infertiliteti këtu rezulton nga mungesa e ovulacionit (anovulacioni). Duke marrë kontraceptivë ju mund të rregulloni ciklin menstrual, ai do të vijë me rregullsinë e orëve zviceriane, por kjo nuk do të trajtojë shkakun se përse cikli juaj është jo i rregullt (në mungesë të kontraceptivëve). Kjo do të thotë që kur ju të ndaloni kontraceptivët dhe të përpiqeni për të patur një fëmijë, periodat do të çrregullohen sërish pasi ju do të keni sërish anovulacion. Në këtë mënyrë ju do të keni nevojë për ndihmën e një mjeku me eksperiencë në infertilitet për stimulimin e ovulacionit, këtë radhë jo me kontraceptivë!
2- Nuk u japin rëndësi menstruacioneve me fluks të tepër (më të bollshëm se norma).
Të pasurit e menstruacioneve me fluks më të madh se norma në shumicën e rasteve nuk përbën ndonjë problem serioz. Por në momentin që ju vëreni një ndryshim në fluks (i cili vjen duke u bërë gjithnjë e më i bollshëm) atëherë ju duhet të drejtoheni tek mjeku. Në këto raste shkaku shtimit të fluksit menstrual mund të jetë i lidhur edhe me infertilitetin tuaj, për shembull mund të jetë një polip endometrial apo një miomë uterine.
3- Shqetësohen më shumë për ngjyrën e periodave.
Për t’u arritur shtatëzania, duhet që të kemi 4 faktorë: vezë, spermë, mitër dhe tubat e fallopit. Duke qenë se femrat nuk kanë se si ti shikojnë vezët e tyre, por mund të shikojnë ciklin e tyre menstrual, ato stresohen për cdo ndryshim minimal të periodave të tyre.
Nëse cikli është shumë i errët ato mendojnë se ka toksina (papastërti) në trupin e tyre të cilat nuk janë pastruar dhe që i pengojnë ato të mbeten shtatëzëna. Për fat të keq, shumë gjinekologë (sidomos ata që nuk kanë njohuritë e duhura mbi fertilitetin) në këtë pikë do t’u rekomandonin këtyre femrave pastrimin (krutazhin) me qëllim rritjen shanseve për shtatëzani. Kjo është plotësisht e pavend! Pra, ju duhet të shqetësoheni për 4 faktorët më lart, dhe jo për të tjerë!
4- Shqetësohen më tepër për sekrecionet e tyre fiziologjike (normale) vaginale.
Shumë femra mendojnë se shtatëzania nuk vjen pasi trupi i tyre punon në mënyrë jo normale. Shumë prej tyre nuk arrijnë të konstatojnë ritmin e disa ndryshimeve që në fund të fundit janë normale dhe tregojnë funksionim normal të trupit të tyre. Për shembull, shumë femra shqetësohen për shtimin e sekrecioneve vaginale (transparente ose me nuancë lehtësisht opake) në mes të ciklit dhe kujtojnë se kanë ndonjë infeksion. Kjo nuk është aspak e vërtetë! Përkundrazi kjo është shenjë e ovulacionit normal dhe shtimit të mukusit cervikal me qëllim lehtësimin e kalimit të spermës. Pikërisht ky është moment i duhur për të provuar shtatëzaninë me anën e kontaktit seksual.
Për sa kohë që nuk keni shqetësime të tjera (djegie apo kruarje vaginale, skuqje, sekrecione me ngjyrë apo me aromë të keqe) nuk keni pse të shqetësoheni nga shtimi i sekrecioneve ne mes të ciklit kur kjo ndodh cdo muaj në mënyrë të rregullt.
5- Zgjedhja e momentit të gabuar për të provuar për shtatëzani,pasi kryejnë kontakt seksual në momentin më pak fertil të ciklit të tyre.
Shumë femra nuk kanë njohuritë e duhura se si të llogarisin ditët e tyre fertile. Për këtë arsye, shpesh herë ato nuk arrijnë të programojnë kontaktin seksual në përputhje me ditët fertile dhe kuptohet që sjell vonesë të shtatëzanisë.
6- Mendojnë se çdo femër ka një cikël menstrual 28 ditor dhe për rrjedhojë çdo femër duhet të ovulojë në ditën 14.
Kjo është e vërtetë vetëm në libra. Shumë femra normale e kanë ciklin menstrual që varion nga 21 – 35 dite ne femrat adulte dhe nga 21 – 45 ditë ne rastin e femrave adoleshente. Duke qenë se ovulacioni ndodh 14 ditë përpara ardhjes së periodave të ardhshme, kuptohet që ovulacioni mund të variojë nga dita 7 (në ato femra me cikle 21 ditore) deri në ditën 21 (në femrat me cikle 35 ditore).
7- Nuk dine ose përtojnë të rregjistrojnë dhe ndjekin ciklet e tyre menstruale.
Femrat nuk janë të qarta në lidhje me spotingun (njollat) të cilat i ngatërrojnë me ardhjen e menstruacioneve. Në të vërtetë, këto janë njolla premenstruale dhe duhet të injorohen. Vetëm dita kur fillon fluksi normal do të merret si dita e fillimit të menstruacioneve (dita 1).
8- Mundohen të “maksimalizojnë” shanset për shtatëzani duke “ruajtur” spermën, pra duke planifikuar kontaktin seksual vetëm për ditët fertile.
Kjo mund të jetë shumë jo produktive pasi rrit stresin tek burrat. Një mashkull në të tilla raste do të ndihej si i venë në pritje për tu testuar në ditët fertile. Kjo e degradon marrëdhënien në çift në vetëm “për qëllime riprodhimi” dhe kjo është e dëmshme për jetën seksuale të një çiftit.
9- Mundohen të planifikojnë kontaktin seksual duke u nisur nga matja ditore e temperaturës trupore.
Kjo është një mbetje nga kohët e vjetra kur gjinekologët nuk kishin njohuritë e duhura se si funksiononte sistemi riprodhues. Për të kuptuar në detaje funksionin normal ose jo të sistemit riprodhues ka analiza dhe ekzaminime të caktuara që mund të bëhen. Nga ana tjetër, matja e temperaturës nuk sjell përfitim pasi na jep konkluzione retrospektive (pra për ciklin që ka kaluar) duke e bërë të pamundur për femrën njohjen e ditëve fertile, kjo pasi temperatura rritet pasi ka ndodhur ovulacioni.
10- Nuk zgjedhin specialistin e duhur në infertilitet.
Kjo sjell humbje kohe dhe shpenzime të pa justifikuara financiare (për analiza dhe ekzaminime të panevojshme). Zgjedhja e specialistit te duhur në infertilitet është ndoshta pika më delikate ku gabojne shumë cifte infertile.
Ka shumë kritere në të cilat duhet të bazohemi kur duam të bëjmë një zgjedhje të tillë. Zgjedhja duhet të marre parasysh edhe stadin final të trajtimit të infertilitetit, Fertilizimin In Vitro.
Dihet botërisht që ata mjekë që kryejnë edhe Fertilizim In Vitro, janë më në gjendje të menaxhojnë infertilitetin. Kjo nuk do të thotë që ju duhet të kryeni patjetër Fertilizim In Vitro. Por, këta mjekë e njohin të gjithë gamën e trajtimeve të infertilitetit dhe janë më pak të prirur të bëjnë gabime ashtu siç ndodh rëndom kur zgjidhet një gjinekolog i thjeshtë për trajtimin e infertilitetit.






Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu



Materiale te ngjashme

Pse çdo grua shtatzënë duhet...

Anomalitë gjenetike mund të ndodhin në çdo shtatzëni, prandaj testi NIPT është i rëndësishëm për çdo grua shtatzënë, pavarësisht nga mosha e saj apo risku i predispozitës gjenetike. Ekspertët mjekësorë...

MËSONI MË SHUMË PËR TESTIN...

A e dini se mund të zbuloni nëse fëmija juaj është i shëndetshëm që në javën e 10-të të shtatzënisë? Ju mund ta zbuloni shëndetin gjenetik të foshnjës tuaj gjatë...

Jo çdo NIPT është NIFTY

"Çfarë është testi NIFTY? A janë NIPT dhe NIFTY e njëjta gjë? A ka rëndësi se cilin të zgjedhësh? Këto janë të gjitha pyetjet me të cilat përballen shumë gra...

Gjithçka që duhet të dini...

Testi NIFTY nga GenePlanet u mundëson prindërve të ardhshëm të mësojnë më shumë për shëndetin e foshnjës së tyre ndërkohë që ai ose ajo është ende në mitër. Në këtë...

Ne kemi reklame ju lutem caktivizoni adblock ne menyre qe te navigoni lehtesisht.
Faleminderit!

A keni një llogari? Identifikohu


Regjistrohu


X

Ndrysho fjalkalimin


X