Përbërësit e bakllavasë turke
- 1 kg miell;
- 7 vezë (4 të plota dhe 3 vetëm të verdhat);
- 1 gotë uji me vaj;
- 1 gotë uji me kos ;
- Pak lëng limoni;
- 600 gr gjalpë për lyerjen e bakllavasë;
- 750 gr arra të qërruara;
- Niseshte për hapjn e petëve.
Si të përgatisim bakllava turke?
Marrim miellin, vezët, kosin, vajin dhe lëngun e limonit dhe zëmë brumin jo shumë të fortë. Pasi e zëmë brumin e lëmë të qetësohet për gati një orë dhe më pas e ndajmë në 4 pjesë të barabarta.
Secilën nga këto pjesë e bëjmë kulecë të vegjël sa një kokërr arre. Nga secila pjesë do të dalin 20-22 kuleçë.
I hapim petët jo shumë të mëdha dhe i vendosim njera mbi tjetrën duke i lyer me pak niseshte. Pasi i mbarojmë së hapuri të gjitha dhe i kemi vendosur mbi njëra-tjetrën.
Hapim petën e madhe (nga bashkimi i të gjitha petëve të vendosura mbi njëra-tjetrën) sa madhësia e tepsisë dhe i vendosim në tepsi të lyer me vaj dhe më pas petën që kemi vendosur në tepsi e lyejmë me gjalpë dhe hedhim arrat e qëruara dhe të shtypura (brenda arrave, sipas dëshirës mund të hedhim edhe pak kanellë). Ashtu siç vepruam me pjesën e parë të brumit, do të vazhdojmë edhe me pjesët e tjera, ku secilës pjesë i hedhim arrat në mes.
Pasi ta kemi përfunduar të gjithë brumin dhe ta kemi vendosur në tepsi, e presim dhe formë ylli (jo feta shumë të medha) dhe e lyejmë me gjalpë. Tepsinë që kemi e fusim në furrë. Në fillim temperatura duhet të jetë 150 gradë, dhe në momentin që do të fillojë të skuqet pjesa e sipërme e ulim temperaturën në 100 gradë. Proçesi i pjekjes duhet të vazhdojë për 4-4.5 orë me qëllim që bakllavaja të kullojë sa më mirë.
Sherbeti për bakllavanë turke
Përbërësit
- 1.5 kg sheqer;
- ½ limon (lëngun);
- 1 lt ujë.
Përgatitja
Në një tenxhere sheqerin dhe ujin dhe e vendosim të ziej derisa të trashet sherbeti (e provojmë tek thoi i madh i dorës dhe nëse qëndron sumbull është gati ). Sherbeti nuk hidhet direkt nga zjarri. Atë duhet ta lemë 5 min pastaj ja hedhim.Bakllavaja duhet të jetë e ftohtë në momentin që do t’i hidhet sherbeti.
Shënim: Nëse arrave nuk ju keni hedhur kanellë mund t’ja hidhni sherbetit. Ju bëftë mirë dhe gëzuar për shumë vjet!
Lexo edhe: Bajame te karamelizuara
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu