Azoospermia

0 0

Cfarë është Azoospermia?
Azoospermia është mungesa e spermatozoideve në ejakulat. Ajo konsiderohet si shkalla me e rëndë e infertilitetit mashkullor.
Sa e shpeshtë është Azoospermia?
Një në 100 meshkuj është azoospermik.
Cilat janë shkakqet e Azoospermisë?
1- Infeksionet
– Infeksionet e parotitit të kaluara në fëmijëri. Në një pjesë të rasteve me parotit kemi edhe prekje të testikujve duke bërë që funksioni i tyre të dëmtohet.
– Infeksione të ndryshme në moshë të rritur (epididimitis, uretriti) mund të shkatojnë bllokime të duktuseve të ndryshëm (kanaleve) ose edhe shkatërrim të tyre.
2- Kriptorkidizmi (moszbritja e testikujve)
Në lindje, meshkujt duhet t’i kenë testikujt të zbritur në skrotum. Në disa raste, kjo zbritje nuk ndodh para lindjes duke bërë që testikujt të gjenden në brendësi të trupit.
Kriptorkidizmi ndodh në 3% të lindjeve në term dhe në 30% të lindjeve prematurë. Në shumicën e rasteve me kriptorkidizëm zbritja e testikujve ndodh spontanisht brenda vitit të parë të jetës.
Duke qenë se spermatogjeneza kërkon temperaturë më të vogël se ajo e trupit, nëse kriptorkidizmi nuk korrigjohet, funksioni kryesor i testikujve (prodhimi i spermatozoideve) dëmtohet rëndë.
3- Përdorimi i steroideve (hormoneve)
Administrimi në mënyrë abuzive i steroideve mund të shkaktojë Azoospermi. Marrja e tyre çon sinjale në tru që japin informacionin se trupi po prodhon shumë testosterone, kështu që në mënyrë automatike ndalohet prodhimi i testosteronit. Ndalimi i prodhimit të testosteronit shkakton Azoospermi.
4- Hiperprolaktinemia
Nivelet e larta të prolaktinës frenojnë spermatogjenezën.
5- Trajtimi i kancerit (trajtimi kirurgjikal, kimioterapia, radioterapia)
Të gjitha këto kanë një impakt shkatërrimtar mbi funksionin riprodhues.
6- Hiperplazia kongenitale e gjendrës mbiveshkore
7- Varikocela
Është një sëmundje që shkakton zgjerim dhe përdredhje të venave testikulare. Këto zgjerime shkatojnë rritje të temperaturës lokale dhe për rrjedhojë edhe dëmtim të speramtogjenezës. Vetëm gradat e avancuara mund të përfitojnë nga trajtimi kirurgjikal. Gradat fillestare nuk përfitojnë nga ky trajtim kirurgjikal.
8- Diabeti
9- Traumat në skrotum
Traumat e ndryshme, sado minimale në dukje, mund të jenë shumë të rrezikshme pasi mund të shkaktojnë dëmtim të furnizimit me gjak të testikujve ose edhe dëmtim të duktuseve (kanaleve).
10- Defekte kromozomike si për shembull sindroma Klinefelter
Në këtë sindromë kemi një kariotip jo normal (46 XXY) tek mashkulli, pra kemi një kromozom X më tepër. Në shumicën e rasteve me sindromë Klinelfelter kemi Azoospermi.
11- Defektet gjenetike në kromozomin Y
12- Mungesa (agenezia) e vas deferens
Bën që sperma pavarësisht se prodhohet në testikul, të mos kalojë në ejakulat. Kjo është një sëmundje e lindur dhe shoqërohet me një rrezik të lartë për të qenë mbartës i fibrozës kistike (tjetër sëmundje gjenetike).
13- Autoimuniteti ndaj spermatozoideve
Është një sëmundje gjatë së cilës sistemi imun drejtohet kundrejt spermatozoideve.
14- Toksinat e ndryshme
Puna apo jetesa në ambiente toksike mund të rezultojë shkatëruese për spermatogjenezën.
15- Banjat me ujë të nxehtë
Një zakon i tillë, mund të shkaktojë dëmtim të rëndë të spermatogjenezës.
16- Hipogonadizmi hipogonadotropik
Është një term që përfaqëson deficitin hormonal (mungesë të gonadotropinave dhe testosteronit) dhe hipogonadizëm (penis dhe testikuj me dimensione të reduktuara).
Kjo gjendje haset në rastet e mëposhtme:
– Defiçit hormonal i instaluar që përpara pubertetit. Në këto raste kemi eunukoidizëm (pamje prej eunuku, xhuxh).
– Sindroma Kallman, është një sëmundje gjenetike, e cila shkakton hipogonadizëm hipogonadotropik të shoqëruar edhe me mungesë të ndjenjës së nuhatjes.
– Tumoret në hipofizë dhe hipotalamus. Këto janë 2 gjendra në tru, të cilat rregullojnë funksionin seksual përmes prodhimit të gonadotropinave të cilat sinjalizojnë testikulin të prodhojë spermë. Dëmtimi i tyre nga tumore të ndryshme sjell edhe heqjen e stimulit për testikujt.
– Sindroma SCO (Sertoli Cell Only syndrome). Në maturimin e spermatozoideve kanë rëndësi 2 qeliza: qelizat Sertoli dhe Qelizat Leydig. Qelizat Sertoli kanë për detyrë sigurimin e lënës ushqimore për spermatozoidet, ndërkohë që qelizat Leydig sigurojnë testosterone për spermatozoidet. Në SCO qelizat Leydig ose mungojnë ose janë anormale.
Si kurohet Azoospermia?
Menaxhimi dhe trajtimi i rasteve me Azoospermi varet nga shkaku i saj.
Korrigjimi i dizekuilibrit hormonal
Korrigjimi i dizekuilibrit apo edhe i deficitit hormonal mund të restaurojë funksionin testikular.
Si mund të bëhet:
– Ndërprerja e steroideve (hormoneve) në rastin e marrjes abusive të tyre;
– Marrja e gonadotropinave në rastet me hipogonadizëm hipogonadotropik;
– Korrigjimi i hiperprolaktinemisë;
– Trajtimi i hiperplazisë kongenitale të gjendrave mbiveshkore.
Kirurgjia rekonstruktive
Kirurgjia rekonstruktive rezervohet në rastet me agenezi të vas deferens (vetëm pas analizave gjenetike) ose tek meshkujt të cilët në të kaluarën kanë kryer vazektomi. Kjo lloj kirurgjie jo gjithmonë rezulton me sukses dhe për më tepër praktikohet vetëm në pak qendra të specializuara nëpër botë.
Ekstraksioni kirurgjikal i spermës nga testikujt
Ekstraksioni kirurgjikal i spermës nga testikujt mund të rezultojnë pozitiv për spermatozoide (pra të gjejë) në 50-70% të rasteve me Azoospermi. Rezervohet në rastet me Azoospermi obstruktive (nga traumat, infeksionet, agenezitë e vas deferens, vasektomisë etj) dhe në disa raste me Azoospermi produktive (sindroma Klinelfelter, kriptorkidizmi, infeksionet si orkiti etj). Ekstraksioni kirurgjikal rezulton pozitiv në 100% të rasteve me Azoospermi obstruktive dhe në 50-60% të rasteve me Azoospermi produktive.
Ekstraksioni kirurgjikal i spermës kryhet nën anestezi gjenerale ose nën anestezi lokale.
Teknikat kirurgjikale të ekstraksionit të spermës janë si më poshtë:
– Ekstraksioni testikular i spermës;
– Ekstraksioni testikular i spermës me mikrodiseksion;
– Aspirimi perkutan testikular i spermës me age fine;
– Aspirimi perkutan i spermës;
– Biopsia testikulare perkutane;
– Aspirimi mikrokirurgjikal epididimal i spermës.
Shume kohë më parë, meshkujt me azospermi nuk kishin mundësi për të plotësuar dëshirën e tyre për të qenë prindër biologjikë. Në erën e Fertilizimit in Vitro dhe sidomos pas perfeksionimit të tij me anën e ICSI (Intracitoplasmatic sperm injection) të qënit prind për ta u shndërrua në realitet. ICSI bën të mundur që spermatozoide në numër ose me kapacitet të reduktuar të fertilizojnë ovocitet dhe të krijojnë embrione.
Raste të vecanta:
– Rrezatimi
Në rastin e azospermisë nga rrezatimi, ekstraksioni testikular i spermës mund të jetë pozitiv brenda 4 viteve të para pas radioterapisë.
– Sindroma Klinefelter
Në rastet e meshkujve me sindromë Klinefelter, do të konstatojmë Azoospermi në 90% të rasteve. Ektraksioni kirurgjikal i spermës rezulton pozitiv për spermatozoide në 50% të këtyre meshkujve. Këto spermatozoide mund të përdoren në IVF përmes mikroinjeksionit (ICSI) për tu dhënë mundësi këtyre meshkujve të bëhen prindër.
– Mikrodelecionet e kromozomit Y
Në rast se analizat gjenetike tregojnë mikrodelecione të kromozomit Y, nuk ekziston ndonjë mjekim. Ekstraksioni kirurgjikal i spermës nga testikujt mund të rezultojë pozitiv për spermatozoide në 30-50% të rasteve. Megjithatë nuk rekomandohet kryerja e IVF-ICSI me këto spermatozoide pasi defektet në kromozomin Y mund të trashëgohen tek fëmija. Kështu që në këto raste këshillohet donacioni i spermës ose adoptimi.
– Kriptorkidizmi
Kriptorkidizmi duhet të trajtohet me orkidopeksi brenda vitit të parë të jetës, kjo do të përmirësonte shanset për fertilitet në moshën fertile. Në rastet e neglizhuara me dekada, prodhimi i spermës është i dëmtuar shumë rëndë duke e bërë thuajse të pamundur gjetjen e spermatozoideve përmes teknikave kirurgjikale. Një rrezik tjetër që kanë meshkujt me kriptorkidizëm është edhe rreziku shfaqjes së kancerit testikular. Për këtë arsye orkidopeksia duhet kryer sa më herët
– Sindroma SCO (Sindroma e qelizave Sertoli)
Në rastet me SCO ekstraksioni testikular i spermës rezulton negativ. Mjekim për këtë sindromë nuk ka. Alternativat janë donacioni i spermës ose adoptimi.






Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu



Materiale te ngjashme

Pse çdo grua shtatzënë duhet...

Anomalitë gjenetike mund të ndodhin në çdo shtatzëni, prandaj testi NIPT është i rëndësishëm për çdo grua shtatzënë, pavarësisht nga mosha e saj apo risku i predispozitës gjenetike. Ekspertët mjekësorë...

MËSONI MË SHUMË PËR TESTIN...

A e dini se mund të zbuloni nëse fëmija juaj është i shëndetshëm që në javën e 10-të të shtatzënisë? Ju mund ta zbuloni shëndetin gjenetik të foshnjës tuaj gjatë...

Jo çdo NIPT është NIFTY

"Çfarë është testi NIFTY? A janë NIPT dhe NIFTY e njëjta gjë? A ka rëndësi se cilin të zgjedhësh? Këto janë të gjitha pyetjet me të cilat përballen shumë gra...

Gjithçka që duhet të dini...

Testi NIFTY nga GenePlanet u mundëson prindërve të ardhshëm të mësojnë më shumë për shëndetin e foshnjës së tyre ndërkohë që ai ose ajo është ende në mitër. Në këtë...

Ne kemi reklame ju lutem caktivizoni adblock ne menyre qe te navigoni lehtesisht.
Faleminderit!

A keni një llogari? Identifikohu


Regjistrohu


X

Ndrysho fjalkalimin


X