Aborti

0 0

Aborti është humbja spontane (jo e provokuar) e shtatzanise para javës së 20-të. Rreth 20% e shtatzanive të identifikuara përfundojnë në abort spontan, por numri i humbjeve spontane është më i madh, pasi pjesa më e madhe e shtatzanive përfundojnë përpara se vetë gruaja ta dijë që është shtatzanë.
Shpesh herë është vështirë të përcaktohet apo të gjendet shkaktari i vërtetë. Shumica e dështimeve ndodhin pasi fetusi nuk është i zhvilluar mirë.
Cilat jane shenjat e abortit?
Shumica e aborteve spontane ndodhin para javës së 12-të.
Shenjat që mund të paraqesë një abort spontan janë:
– Sekrecione vaginale në ngjyrë të errët deri në ngjyrë të kuqe (hemoragji);
– Dhimbje dhe krampe të fundit të barkut apo të fundshpinës;
– Rrjedhje likidi apo pjesëzash indore nëpëmjet vaginës.
Megjithatë, duhet theksuar se pjesa më e madhe e grave me hemoragji vaginale gjatë tremujorit të parë arrijnë ta përfundojnë me sukses shtatzaninë.
Cilat janë shkaqet e abortit spontan?
1- Anomalitë kromozomike dhe gjenetike.
Shumica e dështimeve ndodhin sepse fetusi nuk është formuar mirë. Kjo ndodh si pasojë e gabimeve kromozomike rastësore, dhe jo si pasojë e problemeve të trashëguara nga prindërit. Pra, nuk duhet kuptuar që ka ndonjë problem gjenetik / kromozomik të lidhur me prindërit.
Të tilla raste mund të jenë:
– Shtatzania an-embrionike (pa embrion) e quajtur ndryshe edhe “Blighted ovum”. Në këtë rast embrioni nuk arrin të zhvillohet deri në atë pikë sa të bëhet i dukshëm ekografikisht;
– Ndalim i zhvillimit të embrionit brenda mitrës. Në këtë rast embrioni është i pranishëm por, zhvillimi i tij ndalon në një moment të caktuar (ose pushojnë rrahjet e zemrës);
– Shtatzania molare.
2- Sëmundje të ndryshme të nënës:
– Diabet i pakontrolluar;
– Infeksione amtare (toksoplazma / CMV / Ureaplazma etj);
– Probleme hormonale;
– Semundje të mitrës apo qafës së mitrës;
– Septumet (perdet) në miter;
– Miomat që prekin kavitetin e mitrës;
– Polipet;
– Semundje të qafës së mitrës (shkurtimi dhe hapja para kohe );
– Semundje të gjendrës tiroide;
– Anomali kromozomike / gjenetike.
3- Sëmundje të ndryshme të babait
– Anomali kromozomike / gjenetike
Çfarë nuk e shkakton abortin?
– Aktiviteti i përditshem (normal);
– Ushtrimet fizike (jo te ekzagjeruara);
– Puna, me kusht që të mos ketë ekspozim ndaj lëndëve kimike apo radioaktive.
Cilët janë faktorët që rrisin rrezikun për abort?
– Mosha materne
Luan një rol shumë të rëndësishëm në mbarëvajtjen e shtatzanisë. Me rritjen e moshës materne, reduktohet edhe cilësia e vezëve dhe për rrjedhojë rritet përqindja e anomalive kromozomike/gjenetike, të cilat pasqyrohen në rritjen e përqindjes së shtatzanive që përfundojnë në abort. Gratë në moshë 35 vjeç kanë rreth 20% risk. Gratë në moshë 40 vjec kanë rreth 40% risk. Gratë në moshë 45 vjec kanë rreth 80% risk.
– Dështimet e mëparshme (sëmundja abortive)
Gratë të cilat kanë pasur 2 apo me shumë dështime të njëpasnjëshme kanë risk më të lartë për të bërë abort spontan.
– Sëmundjet kronike
Mund të përmendim diabetin e pakontrolluar, sëmundjet kronike të veshkave apo mëlçisë.
– Probleme të mitrës dhe qafës së mitrës
Anomali të lindura të mitrës si për shembull septumet (perdet), fibromioma, qafa e mitrës e keqformuar apo e dëmtuar nga abortet e mëparshme etj.
– Veset e ndryshme
Duhani, alkooli, drogat. Përdorimi në sasi të madhe dhe të vazhdueshme, ul cilësine e qelizave riprodhuese si edhe dëmton ambientin ku do kryhet konceptimi dhe më pas zhvillimi i embrionit.
– Pesha
Gratë shumë të dobëta (nën peshë) si dhe shumë të shëndosha (mbipeshë) janë të prirura për të bërë aborte spontane.
– Testet prenatale invazive
Marrja e vileve koriale (CVS) apo amniocenteza.
Komplikacionet që mund të sjellë aborti spontan:
Në disa raste mund të zhvillohet infeksion uterin dhe gruaja do të ketë shenjat e mëposhtme:

– Ethe;
– Rrjedhje vaginale me erë të rëndë;
– Rëndim të gjendjes së përgjithshme;
– Dhimbje e fundit te barkut.
Si bëhet diagnostikimi?
1-Ekzaminimi pelvik:

– Ekografia
Gjatë së cilës shihet dhomëza gestacionale, embrioni, dhe prania e rrahjeve të zemrës për të përcaktuar nëse zhvillimi i embrionit është normal.
– Analiza e gjakut
Nëse ndodh aborti spontan atëherë kryhet dozimi sasior ne gjak i hormonit të shtatzanisë, beta hCG, për të ndjekur evolucionin e abortit. Kjo bëhet për të kuptuar nëse kemi të bëjmë me një rrezik aborti, abort inkomplet apo abort komplet. Mund të kërkohen edhe disa analiza qe drejtohen drejt hetimit të shkakut për abort.
– Analizat e pjesëve të abortit
Nëse ka dalje të pjesëzave të abortit, atëherë ato dërgohen në laborator për të përcaktuar diagnozën histopatologjike dhe kariotipin e embrionit.
Aborti në varësi të evolucionit mund te jete i disa formave :
1- Rrezik aborti

– Gruaja ka hemoragji;
– Qafa e mitrës nuk është hapur;
– Shtatzania mund të vazhdojë pa u komplikuar, me mjekim apo me rregullim te mënyrës së jetesës.
2- Abort i pashmangshëm
– Ka hemoragji;
– Mitra ka kontraksione të vazhdueshme dhe qafa e mitres eshte e hapur.
3- Abort jo i plotë
– Indet fetale apo placentare kanë dalë pjesërisht;
– Pjesa tjeter ka mbetur akoma ne brendesi te hapesires se mitres.
4- Abort i munguar ( missed abort )
– Indet embrionike dhe placentare jane në miter;
– Embrioni nuk ka rrahje të zemrës, ose nuk është formuar kurrë.
5- Abort i plotë (komplet)
– Të gjitha pjeset indore embrionale dhe placentare kanë dale jashtë mitrës. Ndodh kryesisht para javës së 12- të së shtatzanisë.
6- Abort septik
– Ndodh kur brenda mitrës krijohet infeksion. Në këtë rast gjendja e gruas rrezikohet nga komplikacionet, dhe nevojitet kujdesi mjeksor në mënyrë të menjëhershme.
Si bëhet terapia e abortit?
Përmes ekzamnimit ekografik shihet gjendja e embrionit, nese eshte i formuar apo jo, dhe nese ka rrahje te zemres se tij. Mund të tentohet për të shpëtuar shtatzaninë vetëm në rastet me rrezik aborti, pra kur nuk ka ndodhur ende abort. Në rast se ka ndodhur aborti, qëllimi është të sigurohemi që uterusi të pastrohet sa më mirë në mënyrë që të mos kemi komplikacione infektive.
Si duhet të veprojmë kur kemi të bëjmë me rreziku për abort?
Përveç medikamenteve (me rrugë venoze, orale, vaginale) këshillohet rregjim deri sa të pushojë hemoragjia dhe dhimbja. Në të njëjtën kohë mund të shmangen aktiviteti fizik, marrëdheniet seksuale edhe udhëtimet.
Si duhet të veprojmë kur kemi të bëjmë me një rast aborti irreversibël (të pashmangshëm)?
Në rastet kur embrioni nuk jeton më ose kur aborti është i pakthyeshëm (kur një pjesë e shtatzanisë është ekspozuar jashtë mitrës) mund te ndiqen disa rrugë manaxhimi.
Cilat janë këto rrugë?
– Trajtimi prites
Nëse nuk ka shenja infeksioni, mund të lihet që aborti të kompletohet në mënyrë spontane. Kjo mund të kërkojë nga disa ditë deri në disa javë (për fat të keq edhe 3-4 javë). Nëse nuk ndodh nxjerrja e të gjitha indeve jashtë, do të nevojitet trajtimi mjekësor apo kirurgjikal.
– Trajtimi mjekësor
Nëse pacientja e dëshiron, mund të përshpjetohet proçesi i nxjerrjes jashtë të produkteve të shtatzanise nëpëmjet marrjes së medikamenteve. Kjo është efikase në 70-90% të rasteve.
– Trajtimi kirurgjikal
Këtu bëhet fjalë që pacientja t’i nënshtrohet krutazhit përmes instrumentave kirurgjikalë dhe nën efektin e anestezisë. Krutazhi konsiston në kryerjen e evakuimit dhe pastrimit të kavitetit uterin nga përmbajtja abortive. Gruaja mund të largohet për në shtëpi brenda ditës, dhe të rinisë aktivitetin normal 1-2 ditë më pas. Marrëdhëniet seksuale mund të rinisen pas një periudhe të paktën 2 javore. Në varësi të gjendjes së gruas mjeku mund të këshillojë marrjen e antibiotikëve apo të qetësuesve të ndryshëm.
Në me pak se 5% të grave mundet që të ndodhin aborte njeri pas tjetrit, dhe më pak se 1% e tyre mund të bëjnë edhe një të tretë. Në këtë rast themi se gruaja ka sëmundje abortive, të cilat kërkojnë analiza shtesë për të evidentuar shkakun.

Lexoni edhe: Si ndikon aborti ne shtatzanine e radhes?






Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu



Materiale te ngjashme

Pse çdo grua shtatzënë duhet...

Anomalitë gjenetike mund të ndodhin në çdo shtatzëni, prandaj testi NIPT është i rëndësishëm për çdo grua shtatzënë, pavarësisht nga mosha e saj apo risku i predispozitës gjenetike. Ekspertët mjekësorë...

MËSONI MË SHUMË PËR TESTIN...

A e dini se mund të zbuloni nëse fëmija juaj është i shëndetshëm që në javën e 10-të të shtatzënisë? Ju mund ta zbuloni shëndetin gjenetik të foshnjës tuaj gjatë...

Jo çdo NIPT është NIFTY

"Çfarë është testi NIFTY? A janë NIPT dhe NIFTY e njëjta gjë? A ka rëndësi se cilin të zgjedhësh? Këto janë të gjitha pyetjet me të cilat përballen shumë gra...

Gjithçka që duhet të dini...

Testi NIFTY nga GenePlanet u mundëson prindërve të ardhshëm të mësojnë më shumë për shëndetin e foshnjës së tyre ndërkohë që ai ose ajo është ende në mitër. Në këtë...

Ne kemi reklame ju lutem caktivizoni adblock ne menyre qe te navigoni lehtesisht.
Faleminderit!

A keni një llogari? Identifikohu


Regjistrohu


X

Ndrysho fjalkalimin


X