Mikrovala është kthyer në një pajisje elektroshtëpiake shumë të përdorshme për shkak të shpejtësisë dhe prakticitetit që ajo ofron në lidhje me ngrohjen e ushqimit. Që është praktike tashmë dihet, por a është ajo një pajisje e shëndetshme, sidomos për fëmijët e vegjël? Mund ta përdorim atë për të ngrohur ushqimin e tyre?
A është e dëmshme mikrovala?
Shumë mjekë shprehen se me ecjen përpara të shkencës dhe përparimet që janë bërë në lidhje me shumë pajisje elektroshtëpiake, këto pajisje janë tashmë të sigurta në përdorim edhe nga ana shëndetësore. Ata shprehen gjithashtu se nuk ka vend për frikë në lidhje me rrezikun kancerogjen që mendohej se paraqeste përdorimi i mikrovalës, kjo sepse mikrovala ngroh ushqimin duke shfrytëzuar veprimin e molekulave të ujit dhe yndyrës të pranishme në ushqim, me fushën elektromagnetike që përmban. Ky veprim transmeton një sasi energjie tepër të vogël e cila nuk ndikon aspak në shëndetin e njeriut.
Ushqimi i fëmijës dhe përdorimi i mikrovalës
Duhet të keni parasysh se përdorimi i mikrovalës për të ngrohur ushqimet e fëmijës si edhe qumështin nuk rekomandohet sepse ngrohja nuk bëhet në mënyrë të njëjtë (uniforme). Nëse vendosni të përdorni këtë mënyrë, duhet të kontrolloni mirë temperaturën e qumështit në momentin që do t’ja jepni fëmijës. Brenda biberonit të qumështit, temperatura në pjesën e sipërme të tij do të jetë dyfish më e lartë se pjesa e poshtme. Pasi e keni ngrohur qumështin, duhet të mbyllni kapakun dhe më pas ta tundni mirë në mënyrë që nxehtësia të bëhet e njëtrajtshme në të gjithë lëngun.
Përsa i përket përgatitjes së ushqimeve, kjo furrë mund të përdoret për të gatuar perime në avull, mënyrë e cila është tepër efektive për të ruajtur të gjitha vlerat e tyre ushqyese.
Lexoni edhe: Rreth nje ushqyerje te shendetshme me biberon

Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu