Korrupsioni është një fenomen që prek sadopak jetën e gjithësecilit nga ne dhe bëhet edhe më i rëndësishëm kur vjen puna tek disa sektorë specifikë, për vetë faktin se trajtojnë çështje delikate sic është jeta e njeriut. Korrupsioni në spitale dhe maternitete, pagesat që nënat apo familjarët e tyre duhet të paguajnë për të marrë një shërbim, është një problem që shqetëson së tepërmi të gjitha familjet shqiptare. Për të sjellë një informacion sa më të plotë në lidhje me këtë fenomen, kemi organizuar një sondazh i cili është zhvilluar në bazë të eksperiencave të nënave. Bazuar në këtë sonazh të zhvilluar 4 javë më parë në pernenat.al, rezultatet përfundimtare kanë qënë përkatësisht 94% (708) vota po dhe 6% (47) kanë votuar për jo.
“Pernenat” vendosi që këto rezultate t’i komentojë në “Koha të bisedojmë”, për t’i analizuar më pas në këtë artikull.
A ka vërtet korrupsion në spitalet tona?
Për një pjesë të mirë të nenave që jetojnë në Shqipëri, kjo mund të duket një pyetje naive. Kategoria e këtyre nënave ka komentuar duke theksuar se nëse nuk paguan, nuk merr shërbim.
“Të kesh frikë të sëmuresh apo të lindësh edhe pse ke një jetë që paguan sigurimet shoqërore. Nga njëra anë të kërkojnë shuma të mëdha dhe nga ana tjetër stë zënë me dorë po nuk i pate. Ky është realiteti!”
Disa nëna nuk kanë ngurruar të shprehin edhe mendimin e tyre duke sjellë raste konkrete, eksperienca personale, gjatë së cilave kanë rrezikuar jetën vetëm sepse nuk kanë dhënë lekë. Të tjera tregojnë si kanë qënë të detyruara të paguajnë menjëherë pas lindjes.
“Për të dyja lindjet në spitalin e Durrësit kam paguar konkretisht: tek e para 350.000, tek e dyta 370.000 (vetëm mjeku). Kur dola nga spitali pas 3 ditësh kishte shkruar “fatura” 700.000 lekë të vjetra. U trajtova si princeshë, i pata mjekët e infermierët tek koka orë e sekondë, nuk pata problemin më të vogël as unë as djemtë. Megjithatë mendoja se çmund të beje po të mos kishe lekë?!”
Tipi i dytë i komenteve përfaqëson nënat të cilat besojnë se shkaktarë të korrupsionit në Shqipëri jemi vetë ne. Ato shprehen se me korrupsionin jemi mësuar edhe vetë ne, pra edhe kur mjekët nuk na kërkojnë para jua japim ne vetë.
“Unë kam lindur me operacion dhe nuk më kanë kërkuar para. Megjithatë shërbimi ndryshon pasi jep lekët, aq më tepër kur je e detyruar të qëndrosh gjatë në spital. Jam e mendimit që mjekët i kemi mësuar vetë dhe nuk po i çmësojmë dot pasi edhe kur nuk kërkojnë, vazhdojmë të japim.”
Ka plot raste kur paguajmë pasi kemi marrë një shërbim të mirë edhe pse mjeku nuk na ka kërkuar ta bëjmë këtë!
Tipi i tretë i komenteve i referohet nënave të cilat tregojnë se në Shqipëri nuk ka korrupsion duke faktuar se gjatë vizitave në spitale atyre nuk u kanë kërkuar “kokërr leku” dhe kanë marrë një shërbim të shkëlqyer.
“Varet nga eksperienca e secilit. Unë kam lindur tek Koco Gliozheni. Natën që shkova nuk ishte mjekja që më ndoqi gjatë shtatzanise por doktori që më ra ishte shumë i mirë, mamia gjithashtu, s’do i harroj sa të kem jetë. Më kanë trajtuar shumë mirë të gjithë edhe asnjëri nuk i doli burrit t’i kërkonte para jashtë. Linda vetë, nje 5.000 (të re i dha burri doktorit dhe 2.000 (të reja) mamisë). Ato jua dha se kishte dëshirë nga gëzimi por askush nuk i kërkoi lekë. Unë mendoj që pak e kemi dhe vetë fajin ne se ashtu i kemi mësuar.”
Por a kanë paguar këto nëna vetëm me dëshirën e tyre për këtë shërbim të marrë? Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme, përgjigja e së cilës bën pjestar këdo në palën e atyre që kontribuojnë në korrupsion.
Për të sjellë një informacion sa më të saktë në lidhje me këtë fenomen, stafi i PERNENAT ka kontaktuar me përgjegjësit e sektorit të statistikave në Ministrinë e Shëndetësisë, por nuk ka mundur të marrë një përgjigje konkrete edhe pas rreth 15 ditësh pritje. Shpresojmë ta mundësojmë atë sa më parë të jetë e mundur për ju!
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu