Fillimi i ushqyerjes së fëmijës zakonisht përkon me dhënien e miellit të orizit ose frutave, dhe kjo këshillohet të kryhet zakonisht në moshën 5-6 mujore. Duhet të jetë kështu pasi ky krem është i lehtë dhe pa përmbajtje gluteni (proteinë që mund të shkaktojë alergji në moshë të hershme tek bebet).
Por cila është mënyra që mund të përdorni për të gatuar këtë ushqim për beben tuaj?
Miell orizi dhe qumësht
Mund ta përgatisni duke përdorur 180 ml qumësht nga ai që fëmija pi zakonisht (ose sasinë që mendoni se fëmija juaj mund të konsumojë) si edhe 3-4 lugë miell orizi. E tresni me anën e një piruni. Në fund mund të shtoni edhe pure frutash për më shumë shije, sigurisht pasi fëmija ta ketë konsumuar disa ditë pa fruta.
Miell orizi me lëng perimesh
Ju duhet të zieni fillimisht për të paktën 20 minuta perimet (1 kungull, 1 karrotë, 1 patate) me 200 ml ujë. Pasi perimet kanë zier merrni nga lëngu i zierjes dhe shtoni rreth 4 lugë miell orizi.
Miell orizi me pure perimesh dhe djathë
Zieni në 1 lt ujë perimet (1 karrotë, 1 patate, ½ qepë, 1 kungull, spinaq, 1 kërcell selinoje). Pasi kanë zier merrni rreth 150 ml nga lëngu dhe përziheni me miellin e orizit (4-5 lugë). Shtoni pure perimesh si edhe vaj ulliri bashkë me djathin parmixhan.
Krem orizi me karrotë
Zieni në shumë ujë 1 karrotë dhe një copë kungull portokalli për të paktën 30 minuta. Kur të jenë zier i kaloni vetëm perimet në frulator. Në një tenxhere tjetër të vogël hidhni 180 ml lëng, disa lugë perimesh si edhe miellin e orizit. Pasi i keni përzier mirë shtoni vajin e ullirit dhe djathin parmixhan.
Krem orizi me spinaq dhe bizele
Zieni në shumë ujë një kungull jeshil, spinaqin dhe 2-3 lugë bizele për të paktën 30 minuta dhe më pas i kaloni në frulator. Përzieni rreth 180 lëng perimesh me 2-3 lugë pure dhe miellin e orizit. Mund të shtoni edhe djathin bashkë me vajin e ullirit.
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu