Një 13-vjeçare ka inskenuar dje një skenë të denjë për filma. Adoleshentja përgatiti “rrëmbimin” e saj vetëm sepse prindërit nuk i kishin dhënë leje për të shkuar tek ditëlindja e një shoqeje.
Motra e saj e vogël i lajmëroi të gjithë se 13-vjeçaren e kishin rrëmbyer me një makinë Fiat Punto të kuqe dhe familja, mediat dhe policia u alarmuan.
Çfarë i bën fëmijët të rebelohen kaq shumë dhe a ishte kjo një shenjë e një problemi tjetër të fëmijës?
Përnënat.al ka pyetur psikologen e njohur Adelina Pjetra, e cila ka dhënë disa këshilla për nënat e faqes sonë, duke qenë se rritja e një fëmije, sidomos gjatë periudhës së adoleshencës nuk është kurrë e lehtë.
“Fëmijët e kësaj moshe para dhe gjatë adoleshencës janë në një fazë kur pësojnë një lloj “krize identiteti. Ata kanë prioritet shoqërinë. Shoqëria për ta është para familjes pasi duan të ndihen të pranuar, të pëlqehen dhe të përshtaten në grupet shoqërore. Për këtë arsye ata përdorin çdo formë për të qenë pjesë e grupit. Interneti, telvizori etj, i ndihmon duke u zhvilluar imagjinatën (edhe pse ndonjëherë me pasoja) për të thurur ndonjëherë edhe histori si kjo e rrëmbimit”, është shprehur psikologia Pjetra.
Por cili është roli që duhet të luajë familja kur fëmija reblohet?
Prindërit duhet të ndërtojnë ose rindërtojnë një komunikim me fëmijët e tyre. Ata duhet të riadresojnë dëshirat e fëmijëve të kësaj grupmoshe, t’i bëjnë ata më socialë. Duhet t’i çojnë në aktivitete dhe sporte jashtë shkollës, pasi duhet të pranojmë se një rutinë vetëm shkollë dhe shtëpi nuk i përshtatet adoleshentëve të kësaj kohe që po jetojmë dhe as moshës së tyre, duke qenë se ata janë mjaft energjikë.
Si të parandalojmë rebelimet e tilla që të mos arrijnë deri në ekstrem?
Ajo që thuhet gjithmonë nga psikologët është se thelbësore konsiderohet arritja e komunikimit. Komunikimi duke u bazuar në rregullat brenda familjes. Duhet të vendosen disa rregulla çfarë lejohet dhe çfarë nuk lejohet në familje, por këto rregulla duhet t’u përshtaten të dyja palëve (dhe jo vetëm prindërve). Nuk mund t’i stoposh fëmijës të drejtën për të dalë me shokët, sepse ai do të gjejë më pas forma të tjera për ta bërë, njëlloj siç ka vepruar edhe kjo vajzë.
Sa i lirë duhet të lihet fëmija?
Duke pasur parasysh se sa e rëndësishme është shoqëria për këtë grupmoshë, prindërit duhet të mundohen t’u mundësojnë takime shoqërore fëmijëve por me rregulla të përcaktuara. Që do të thotë në orare të caktuara, në ditë të caktuara, etj, pra edhe këtu duhet bërë një marrëveshje ku prindi duhet të sillet si i tillë, fëmija të zbatojë këshillat e prindit por edhe prindi të tolerojë dëshirat e fëmijës”,ka thënë psikologia Pjetra.
Pra kur familja e ndalon në mënyrë kategorike,është shumë strikte dhe jotolerante, atëherë fëmija gjen forma dhe mënyra të tjera për të arritur qëllimin. Sa më e ngurtë dhe jokomunikuese të jetë familja aq më ekstrem është manipulimi ose gënjeshtra nga fëmija”, ka theksuar ajo.
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu